Provimi për mësuesit, test edhe drejtshkrimit

Aug 20, 2012 | 13:58
SHPËRNDAJE

Mësuesit e sapodiplomuar për herë të parë këtë vit do t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit. Testin do ta japin në muajin tetor. Pasi kanë mbaruar studimet, të rinjtë duhet të kryejnë një vit praktikë e më pas të japin provimin. Vetëm në këtë mënyrë ata do të marrin licencën e ushtrimit të profesionit. Këtë vit kanë të drejtë ta kryejnë këtë test vetëm ata që kanë përfunduar vitin e praktikës profesionale. Nga sa bën me dije MASH, ata do të testohen, përveç lëndëve për të cilat janë diplomuar, edhe për drejtshkrimin. Pyetjet e këtij grupi do të zënë 40% të tezës. “Veçoria e këtij provimi është se për çdo mësues, pavarësisht nga lënda, një pjesë e tezës do të jetë drejtshkrimi dhe përgatitja didaktiko-pedagogjike. Pjesa tjetër do të jetë nga lënda ose lëndët ku kandidatët japin mësim, e ndarë kjo në 40 për qind me 60 për qind”, bëri me dije dje Ministria e Arsimit. Provimi do të organizohet, ashtu si dhe Provimet e tjera të Shtetit, për profesionet e rregulluara në mënyrë dixhitale. Në provim do të marrin pjesë vetëm kandidatët që janë vlerësuar pozitivisht në praktikën profesionale nga komisionet e shkollave dhe drejtoritë arsimore rajonale. Vetëm mësuesit që kalojnë me sukses Provimin e Shtetit, do të kenë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve të ndryshme të vendit. Ky është një standard i ri, që synon rritjen e cilësisë së përgatitjes së mësuesve të rinj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura