Provimi i mësuesve, Nikolla: Nuk ka largime nga puna

Jan 24, 2016 | 13:17
SHPËRNDAJE

Dje përfundoi cikli i testimit të të gjithë mësuesve në vend mbi aftësitë e tyre në punë, por që nuk do të ketë aspak ndikim në vendin e punës.

Ministrja Nikolla
Ministrja Nikolla

Nga Durrësi, ku ndodhej për të inspektuar procesin e testimit, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla theksoi se nuk do të ketë largime nga puna, duke dhënë skemën se si do të procedohet me ata mësues që marrin pikë minimale.

“Me ata mësues që do të kenë më tepër nevojë, qeveria do të investojë që ata të kenë mundësi të performojnë ashtu siç duhet. Nuk bëhet fjalë për largime nga puna dhe kjo është një gënjeshtër e radhës për këdo që e thotë. E ca më shumë nga ata që e lanë në rënie të lirë arsimin dhe e shkatërruan deri në këtë fazë”.

Veç krijimit të një harte për zhvillimin profesional të mësuesve, prova e djeshme për mësuesit do t’u japë mundësinë të kualifikohen pa dhënë asnjë lekë, ndryshe nga ç’ka ndodhur vitet e më- parshme. Në mbështetje të nismës së MAS-it ka dalë edhe qeveria, e cila nëpërmjet portalit Transparenca.al thekson se nuk bëhet fjalë për një testim të mirëfilltë dhe se ky proces vetëm i mbështet mësuesit.

“Sqarojmë se ky nuk është një testim i mirëfilltë, por vlerësim i nevojave të mësuesve, i cili zhvillohet për të identifikuar nevojat reale për zhvillimin e tyre profesional”. Deri më sot rezulton të mos ketë asnjë raport të standardeve të cilësisë së mësuesve, si edhe nevojave individuale për zhvillim profesional.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura