Provimi/ Dalin rezultatet, nuk kalojnë testin gjysma e mësuesve

Jan 23, 2016 | 17:39
SHPËRNDAJE

Gjysma e stafit mësimor në Tiranë duhet të trajnohet për të përmirësuar cilësinë në punë. Ky është një nga treguesit e raportit të hartuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit pas analizimit të rezultateve të 1700 mësuesve e drejtues shkollash në kryeqytet që u testuan në muajin nëntor.

rama mesuesitNdonëse arritjet e tyre në përgjithësi vlerësohen të kënaqshme, shumica prej tyre shfaqin mangësi në të paktën një nga katër fushat e testit. Problematikë paraqitet përgatitja e ulët e mësuesve me përvojë, ku shpesh dijet e tyre nuk përkojnë me vitet e punës.

“Mësues me disa vite punë kanë rezultate të dobëta, ndërkohë që ka mësues me më pak vite në arsim që kanë rezultate më të mira”, nënvizohet në raport. Në të njëjtën sitë kalojnë sot edhe 16 mijë e 572 mësues në rrethe. Pas identifikimit të nivelit të të gjithë mësuesve në vend, Ministria e Arsimit do të krijojë hartën e nevojave për trajnime e zhvillimin profesional.

“Kryefjala e këtij procesi është ta shikojmë në thellësi problemin, duke mos u marrë vetëm me pasojat, por për të analizuar shkaqet, që të japim më pas zgjidhjet për vënien e standardeve”, deklaron zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

ANALIZA

Pjesa më e madhe e mësuesve rezultojnë të kenë dije të mjaftueshme. Siç tregohet edhe në tabelën përbri, rreth 70% e tyre janë në nivelin e tretë, me arritje të kënaqshme e nevojë për t’u përmirësuar në disa fusha të caktuara.

tabNevojë të konsiderueshme për t’u përmirësuar kanë 26% e tyre, ndërsa arritje të pakënaqshme kanë demonstruar së paku 1% e mësuesve, që e përkthyer në shifra i bie 16. Ndërsa mësuesit me arritje maksimale, nga 25-30 pikë, rezultojnë të jenë katërfish më shumë. Ata që kanë shkëlqyer në provim janë mësuesit e arsimit fillor, të gjuhës shqipe, asaj angleze dhe matematikës.

Ndërkohë që me nevoja të konsiderueshme për trajnim rezultojnë mësuesit e edukimit fizik dhe të arsimit parashkollor. Në raportin e saj, IZHA ka bërë një detajim të rezultateve të mësuesve në katër fushat e testimit, nga ku rezulton se mangësitë më të mëdha janë në atë të planifikimit të një ore mësimi. Jo pak mangësi paraqesin edhe tri fushat e tjera, Mësimdhënia, Komunikimi e Zhvillimi profesional.

Besarta Basha 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura