Provimet e lirimit, dalin përgjigjet për Letërsinë

Jun 18, 2011 | 10:57
SHPËRNDAJE

Dje, rreth 51 400 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhanë Provimin e parë të Lirimit, atë të Gjuhë-Letërsisë.Ashtu si maturantët, nxënësit e këtyre shkollave kanë zhvilluar testin me 25 pyetje për 2 orë e 30 minuta. Disa e kanë cilësuar të vështirë provimin e parë, duke u shprehur se në test kanë hasur edhe pyetje nga tekstet jo shkollore, ndërkohë që ka pasur edhe nga ata që janë shprehur se gjithçka ka ecur mirë. “Provimi ishte i nivelit  mesatar, por besoj se kemi dalë mirë. Kishim ese në fund nga libra jashtëshkollorë, jo të teksteve. Ishte disi i vështirë, jo shumë, por edhe shumë i lehtë nuk ishte”, thanë disa prej nxënësve. Vlerësimi i Provimeve të Lirimit do të jetë i njëjtë me atë të Maturës Shtetërore, në qendrat e posaçme dhe manual. Testi i dytë është ai i Matematikës, më 23 qershor. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Gazeta publikon çelësin e përgjigjeve të sakta, të cilat vihen në dispozicion nga Ministria e Arsimit. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP-ja i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë drejtorive arsimore ose zyrave arsimore skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota.

PeRGJIGJET e testit te gjuhe-letersise per shkollat 9-vjeçare

SKEMA E VLERËSIMIT
Kjo është një skemë vlerësimi, në të cilën jepen disa orientime lidhur me vlerësimin e përgjigjeve të nxënësit.
o Testi përmban një total prej 50 pikësh.
o Testi ka 25 pyetje.

PJESA I
Pyetja 1 C 1 pikë
Pyetja 2 C 1 pikë
Pyetja 3 D 1 pikë
Pyetja 4 A 1 pikë
Pyetja 5 D 1 pikë
Pyetja 6 3 pikë
Model përgjigjeje me 3 pikë
Autori i kësaj pjese mbështetet më shumë në opinionet e tij se sa në fakte.
Për shembull, ai thotë se nuk është e vështirë të mësosh fjalë të reja dhe kuptimet e tyre, por ai nuk ofron asnjë fakt për ta mbështetur këtë pohim.
Nga përvoja ime, unë e di se është shumë e vështirë të mësosh fjalë të reja dhe kuptimet e tyre.
Ai shpjegon se çfarë mund të bënte për të mësuar fjalë të reja, por meqë kjo funksionon për të, nuk do të thotë se mund të funksionojë për këdo.
Ai bën pohime të tjera, të tilla si: Pasurimi i fjalorit do t’ju ndihmonte të përmirësoni më tej esetë që shkruani në shkollë. Megjithatë, ai nuk përmend ndonjë shembull të nxënësve që kanë marrë nota më të mira pasi kanë përmirësuar fjalorin e tyre.
Ai gjithashtu thotë se: Punëdhënësi juaj i ardhshëm do të përzgjidhte atë aplikant, që do të zotëronte një gjuhë të pasur e të rrjedhshme. Por ai nuk na tregon asnjë studim që është bërë për të mbështetur pohimin e tij.
Model përgjigjeje me 2 pikë
Autori i kësaj pjese mbështetet më shumë në opinionet e tij se sa në fakte. Ai thotë se mund të mësosh fjalë të reja, por nuk jep asnjë shembull se si ndodh kjo.
Ai thotë se pasurimi i fjalorit do të na ndihmojë të përmirësojmë esetë ose të punësohemi.
Model përgjigjeje me 1 pikë
Autori i kësaj pjese mbështetet më shumë në opinionet e tij se sa në fakte.
Ai thotë se mund të mësosh fjalë të reja, por s’tregon se si.
OSE
Ai thotë se mund të përmirësojmë esetë.
OSE
Ai thotë se pasurimi i fjalorit mund të na ndihmojë të punësohemi më lehtë.
3 pikë Përgjigjja jep një shpjegim të plotë nëse autori i kësaj pjese mbështetet më shumë në fakte apo në opinione. Përgjigjja është e mbështetur me shembuj nga pjesa.
2 pikë Përgjigjja jep një shpjegim të kufizuar nëse autori i kësaj pjese mbështetet më shumë në fakte apo në opinione. Përgjigjja është e mbështetur me shembuj të paktë nga pjesa.
1 pikë Përgjigjja jep një shpjegim minimal nëse autori i kësaj pjese mbështetet më shumë në fakte apo në opinione. Përgjigjja është e mbështetur me shumë pak ose asnjë shembull nga pjesa.
0 pikë Përgjigjja është gabim ose nuk ka përgjigje fare.
Shënim:
Në rast se nxënësi jep një përgjigje që nuk përafrohet me modelin e dhënë më sipër, por që komisioni i vlerësimit e gjykon si të saktë, atëherë ai do të marrë pikët e plota.

Pyetja 7 C 1 pikë
Pyetja 8 D 1 pikë
Pyetja 9 B 1 pikë
Pyetja 10 B 1 pikë
Pyetja 11 (A) D 1 pikë
Pyetja 11 (B) 1 pikë
Model përgjigjeje
Plaku mendon se rruga ndryshoi gjithçka, pasi ajo ndryshoi pamjen e malit (më parë ishte gjithë shkurre, gjineshtra, etj), pra ndryshoi mjedisin, e sistemoi, e rregulloi.
OSE
Rruga i bashkon njerëzit, ua lehtëson lëvizjen. Më parë banorët e fshatrave përtej malit e kishin të vështirë për të përshkuar zonën e tyre malore.
1 pikë Nëse tregon pse rruga ndryshoi gjithçka.
0 pikë Nëse përgjigjja është gabim ose nuk ka përgjigje fare.
Shënim:
Nxënësi do të marrë pikë edhe kur në përgjigjen e dhënë citon pjesën (fjali, fjalë ose shprehje) e duhur nga historia.

Pyetja 12 – 2 pikë
Model përgjigjeje
Kur djali dhe plaku bashkëbisedojnë, ai përdor fjali pyetëse gjatë gjithë dialogut.
Kjo tregon se ai është kureshtar.
1 pikë Nëse zbulon llojin e fjalisë sipas kumtimit (pyetëse).
1 pikë Nëse përcakton natyrën kureshtare të djalit.
0 pikë Nëse përgjigjja është gabim ose nuk ka përgjigje fare.

Pyetja 13 – 2 pikë
Model përgjigjeje
Në këtë pjesë jepen disa mësime si:
asgjë nuk mund të bëhet kur je i vetëm. Shumë njerëz mund të bëjnë gjëra të madha.
rruga i bashkon njerëzit, i qytetëron, ua lehtëson jetën, kurse lufta jo.
njeriu mëson shumë nga brezi më i vjetër, i cili është plot mençuri, dije e maturi.
njeriu mëson shumë nga rruga e jetës.
Etj
2 pikë Nëse shkruan dy mësime që mund të nxirren nga kjo histori.
OSE
1 pikë Nëse shkruan vetëm një mësim të nxjerrë nga kjo histori.
0 pikë Nëse përgjigjja është gabim ose nuk ka përgjigje fare.
Shënim:
Në përgjigjen e dhënë, çdo nxënës e formulon mësimin e nxjerrë sipas mënyrës së vet. I takon komisionit të vlerësimit të vendosë nëse përgjigjja i përmbush si duhet kriteret e pyetjes ose jo.

Pyetja 14 – 2 pikë
Model përgjigjeje
Kjo histori tregohet në vetën e parë. Pra është djali që e tregon atë.
E veçanta qëndron në faktin se, përdorimi i kësaj vete e bën historinë më të besueshme, më të afërt, më të ngrohtë dhe më emocionale, pasi është vetë personazhi që rrëfen dhe çdo gjë e tregon përmes shikimit të tij.
1 pikë Nëse tregon se në ç’vetë rrëfehet kjo histori.
1 pikë Nëse shpjegon të veçantën e këtij përdorimi.
0 pikë Nëse përgjigjja është gabim ose nuk ka përgjigje fare.
Shënim:
Nxënësi do të marrë pikë edhe kur gjen vetëm një të veçantë: e bën më të besueshme, ose më emocionale, ose më të afërt.

Pyetja 15 (A) – 3 pikë
Model përgjigjeje
Plaku, edhe pse është në moshë, të krijon idenë e një njeriu të fortë (ai ende punon shumë) dhe të papërtuar. Autori nuk jep detaje të pamjes së tij, por vetëm zëri që i oshtinte dhe mosha (shtatëdhjetë vjeç në kurriz), si dhe në nëntekst kuptohet që duhet të jetë ende shumë i fuqishëm, përsa kohë djali urtësohet para tij (bëhesha manar).
OSE
Plaku të krijon idenë e një njeriu të zgjuar, të mençur, me shumë përvojë nga jeta, sepse djali kalon shumë kohë me të. Pra ai ka shumë gjëra, që e tërheqin shumë vëmendjen e tij.
OSE
Plaku duhet të dijë edhe të rrëfejë shumë bukur, pasi ai i përshkruan malet, udhët, pra duhet të ketë një shpirt shumë të pasur, që jeta mes atyre viseve ia ka mësuar.
Ai dinte gjithçka, shpjegonte gjithçka, duke më treguar udhët e tyre.
Etj
3 pikë Nëse jep një përgjigje të plotë për përfytyrimin që i krijohet, bashkë më dy detaje ose shprehje që mbështesin idenë e dhënë (1 pikë përshkrimi dhe 2 pikë dy detajet).
OSE
2 pikë Nëse jep një përgjigje të plotë për përfytyrimin që i krijohet, por gjen vetëm një detaj ose shprehje që mbështet idenë e dhënë.
OSE
1 pikë Nëse jep një përgjigje të plotë për përfytyrimin që i krijohet, por pa dhënë asnjë detaj ose shprehje që të mbështesë idenë e dhënë.
0 pikë Nëse përgjigjja është gabim ose nuk ka përgjigje fare.
Shënim:
Në përgjigje nxënësi mund të përshkruajë pamjen e jashtme të plakut ose mençurinë e tij (ajo çfarë ai i mëson djalit), por mund t’i japë edhe të dyja bashkë.
Nëse nxënësi jep vetëm një detaj ose shprehje, por pa asnjë shpjegim përkatës do të marrë 0 pikë.
Pyetja 15 (B) – 1 pikë
1 pikë Fjala e përdorur në paragrafin e fundit që nënkupton pikërisht: një jetë plot aventura, të papritura dhe rreziqe është odiseja.
0 pikë Nëse përgjigjja është gabim (shkruan një fjalë tjetër) ose nuk ka përgjigje fare.
Pyetja 15 (C) – 3 pikë
Model përgjigjeje
E veçanta qëndron në lidhjen që ata të dy kanë. Djali qëndron pranë plakut pasi e tërheq gjithçka ai di, gjithçka ai i mëson. Nuk ka rëndësi mosha e tij, djali e do dhe e vlerëson.
OSE
Djali ka një moshë, ku më shumë do ta tërhiqnin lojërat. Janë pushimet dhe është te gjyshja. Ai mund të iki e të luajë, por preferon të rrijë me orë të tëra pa lëvizur pranë plakut dhe ta shohë kur punon dhe të mësojë prej tij shumë gjëra që s’i di.
OSE
Është një lidhje e bukur mes brezave, ku më i riu mëson prej më të vjetrit dhe ky i fundit i hap portat e dijes.
Ilustrime:
Dhe ai më mësonte gjithfarë gjërash që s’i dija… m’i ka përshkruar malet tona para se të njihesha me to…
I bëri malet për mua tokë të premtuar…
Etj
1 pikë Nëse shpjegon qartë lidhjen e veçantë midis djalit dhe plakut, duke theksuar disa nga momentet e dhëna në model.
DHE
2 pikë Nëse shpjegimin e shoqëron me dy ilustrime (1 pikë për secilin ilustrim).
0 pikë Nëse përgjigjja është gabim ose nuk ka përgjigje fare
Shënim:
Në rast se nxënësi jep një përgjigje që nuk përafrohet me modelin e dhënë më sipër, por që komisioni i vlerësimit e gjykon si të saktë, atëherë ai do të marrë pikët e plota.
Nëse nxënësi jep vetëm një ilustrim, por pa asnjë shpjegim përkatës ai do të marrë 0 pikë.

Pyetja 16 A 1 pikë
Pyetja 17 D 1 pikë
Pyetja 18 1 pikë
1 pikë Rasa: kallëzore
Pyetja 19 2 pikë
1 pikë Lloji: vetor
1 pikë Veta: III (e tretë)
Pyetja 20 3 pikë
1 pikë pastaj: ndajfolje
1 pikë pranë: parafjalë
1 pikë malore: mbiemër
Pyetja 21 2 pikë
1 pikë Mënyra: lidhore
1 pikë Koha: e pakryer
Pyetja 22 2 pikë
1 pikë Kryefjala: ajo rrugë
1 pikë Shprehur me: grup emëror

Pyetja 23 – 3 pikë
1 pikë gjithçka: kundrinor i drejtë (ose kundrinor)
1 pikë ishte i gatshëm: kallëzues emëror (ose kallëzues)
1 pikë më parë: rrethanor kohe (ose rrethanor)

Pyetja 24 (a) D – 1 pikë
Pyetja 24 (b) – 1 pikë
1 pikë Fjali nënrenditëse kushtore

Pyetja 25 – 6 pikë
Në vlerësimin e rubrikës të shkruajmë duhet pasur parasysh:
Përgjigjja e nxënësit duhet vlerësuar në tërësinë e saj, për cilësinë që paraqet, për ndjeshmërinë, mendimin, idetë që ka shprehur dhe origjinalitetin e tyre.
Nxënësit që kanë probleme në drejtshkrim, por arrijnë të komunikojnë me shkrim një të kuptuar të qartë të pyetjes, do të marrin pikët e plota për shtjellimin e idesë. Nga ana tjetër, nxënësit që shkruajnë qartë, rrjedhshëm dhe pa gabime, por nuk dëshmojnë ndonjë të kuptuar të mirë pyetjes, do të marrin pikë për stilin dhe saktësinë drejtshkrimore, por nuk do të vlerësohen për shtjellimin e idesë.
Gabime që nuk ndikojnë në cilësinë e përgjithshme të përgjigjes, nuk do të merren në konsideratë në vlerësim. Do të hiqen pikë vetëm për ato gabime që ndikojnë mbi cilësinë dhe që ju i gjykoni si të rënda.

Kriteret e vlerësimit
KRITERI I: SHTJELLIMI I IDESË 2 pikë
Vlerësuesi do të shikojë nëse nxënësi:
o zgjedh një nga pohimet dhe argumenton zgjedhjen që ka bërë;
o shprehet qartë, përmes detajeve dhe shprehjeve të përzgjedhura, se është më mirë të mbetet fëmijë apo të rritet sa më parë;
o përdor ilustrime mbështetëse;
o ka qartësi mendimi.
KRITERI II: STRUKTURA 1 pikë
o respekton elementet e një eseje:
hyrjen
zhvillimin
përfundimin
Nxënësi merr 1 pikë nëse përgjigjen e dhënë e strukturon sipas skemës së mësipërme.
Nëse mungon njëra prej tyre, ai do të marrë 0 pikë për këtë rubrikë.
KRITERI III: STILI DHE ORIGJINALITETI 1 pikë
o krijon, përmes gjuhës që përdor, një përshtypje të përgjithshme për atë që do të shprehë;
o ka fjalor të pasur;
o ka stil origjinal;
o përdor fjali që variojnë në modele, gjatësi dhe ritëm.
KRITERI IV: SAKTËSIA GJUHËSORE 2 pikë
o strukturon qartë përgjigjen nga pikëpamja gramatikore;
o ndërton fjali që janë të sakta dhe të qarta;
o ka saktësi drejtshkrimore

 

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura