Provim për klasën e pestë MAS: Jo nxënës analfabetë

Jan 25, 2016 | 14:40
SHPËRNDAJE

Në fund të pesë viteve shkollë, çdo nxënës duhet të dijë së paku shkrim e lexim, aftësi që duhet t’i demonstrojnë në një test që do të praktikohet që në këtë përfundimviti shkollor. Kjo është mënyra që ka gjetur Ministria e Arsimit për të shmangur daljen e analfabetëve funksionalë nga shkollat shqiptare.

nxenesReforma e re në arsim parashikon një provim shtesë për nxënësit që përfundojnë ciklin e ulët, duke e çuar në tre numrin e testimeve që duhet t’i nënshtrohet një nxënës, i cili përfundon 12 vite shkollë në arsimin parauniversitar. Këtë risi e ka cekur më herët edhe ministrja Lindita Nikolla gjatë një eventi me mësuesit.

“Këtë vit do të realizohet një reformë e re, në klasat e pesta në të gjithë Shqipërinë do të pilotojmë provimin kombëtar dhe një vit më pas do ta bëjmë provim të detyrueshëm dalës”.

PROVIMI

Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, shpjegon arsyet që kanë nxitur MAS të ndërmarrë një hap të tillë, e cila nuk bëhet me qëllim për të penalizuar nxënësit apo edhe mësuesit që i ‘prodhojnë’.

“Qëllimi i provimit kombëtar nuk është për të standardizuar dhe penalizuar mësuesit, por për të parë cilësinë e një politike të re që po bëjmë në luftën kundër analfabetizmit funksional”. Testimi i nxënësve të klasës së pestë mësohet se do të kryhet në bazë të modelit që ndjek programi për vlerësimin ndërkombëtar, ndërsa do të shërbejë edhe si matës i punës së mësuesve. “Testi do të zhvillohet sipas modelit të PISA-s, për të parë cilat janë rastet apo formatet që ndiqen, në mënyrë që në mbyllje të këtij viti, mësuesit të shikojnë deri ku kanë të kuptuarit, qasje të fillesave të mendimit kritik dhe raportit të debatit”, vë në dukje Malaj.

Një testim i tillë do të zhvillohet për herë të parë këtë vit, për t’u kthyer në praktikë të përhershme. Njësoj si provimi i PISA-s, edhe këtë test do ta organizojë Agjencia Kombëtare e Provimeve, pasi ekspertët e këtij institucioni janë të trajnuar për të ndjekur një praktikë të tillë. E gjitha kjo bëhet për të parë nivelin e nxënësve që përfundojnë një cikël mësimor, por edhe që ministria të mund të ndërtojë në të ardhmen politika dhe plane veprimi më të mira.

Futja e një testimi kombëtar për klasën e pestë futet pikërisht këtë vit mësimor, pas ndryshimeve që pësoi edhe ligji për arsimin parauniversitar. Kështu, qeveria vendosi të mbajë të pandryshuar sistemin 5+4+3, ndryshe nga ç’ishte parashikuar në ligj, sipas të cilit, cikli fillor duhet të kthehej me gjashtë klasë.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura