Prova frymëzuese e Amerikës

Jan 23, 2021 | 17:12
SHPËRNDAJE

Prec-ZogajPREÇ ZOGAJ

Amerika u vu në provë, prej nga dolëm me të fortë” ishte një prej frazave kyçe të fjalimit të Joe Biden në ditën e përurimit të tij si President i SHBA. Është një fjali që referon para së gjithash ngjarjet e dhunshme të para dy javëve në Uashington, kur turmat e mbështetësve të ish-Presidentit Tramp pushtuan selinë e Kongresit dhe tentuan të pengojnë certifikimin e zotit Biden nga ligjvënësit amerikanë si President i zgjedhur.

Bota i pa më sy ato skena ku pati të vrarë dhe të plagosur. Kasandrat politike anembanë botës, kryesisht armiq të SHBA-ve, paralajmëruan duke fërkuar duart fundin e demokracisë në bastionin më të madh të saj. Miqtë e shumtë të këtij vendi vajtuan dobësitë dhe vunë në dyshim të ardhmen e saj.

Kjo ngjarje e paimagjinueshme ishte paralajmëruar, në fakt, qëkurse Presidenti humbës, zoti Donald Tramp, shpalli mosnjohjen e rezultateve të zgjedhjeve që, sipas tij, ishin manipuluar masivisht, çfarë nxiti zemërimin dhe daljen në protesta kërcënuese të grupeve mbështetëse të tij. Zoti Tramp dhe skuadra e tij shteruan pranë gjykatave të vendit hapësirat e gjera ligjore të kontestimit të zgjedhjeve.

Deri këtu ishin në të drejtën e tyre për të transparencë dhe heqje të çdo meraku. Paditë e tyre, siç dihet, u rrëzuan njëra pas tjetrës nga gjykatat për mungesë provash. Këmbëngulja edhe pas kësaj e zotit Tramp për të bllokuar në rrugë të tjera kalimin e pushtetit la pa mend miliona e miliona njerëz.

Mobilizimi i mbështetësve të manipuluar nga bindja e tij tashmë paranojake apo e kërkuar se i kishin vjedhur fitoren ktheu fantazmat e përplasjeve civile në SHBA. Ankthi ishte madh në mbarë botën.

Çfarë do të ndodhte kur të mblidhej Kongresi? Çfarë do të ndodhte ditën e inaugurimit të Presidentit?

Atë që ndodhi e pamë me sy. Por përpjekjet e shumanshme për të zhbërë vullnetin e zgjedhësve, të cilat bënë të kundërtën e asaj që filloi të thuhej andej-këndej nëpër botë, sikur demokracia amerikane qenkësh bërë vulnerabël dhe po gremisej.

Edhe pse të padëshirueshme sigurisht, kontestimet e dhunshme nxorën në pah forcën e demokracisë amerikane, sundimin e ligjit, qëndrueshmërinë e institucioneve, urtësinë e Presidentit fitues, Joe Biden, që nuk i fryu asnjëherë zjarrit edhe pse u provokua pareshtur nga rivali i mundur, marzhin e limituar të së keqes përballë superstrukturës solide të shtetit amerikan dhe gjithë kostelacionit të vlerave që mbajnë në këmbë dhe ushqejnë fuqinë me të madhe të botës, pamundësinë absolute për të përmbysur me fiksime dhe metoda të dhunshme vullnetin e zgjedhësve në SHBA, siç kanë bërë përgjatë historisë jo pak aventurierë politikë mendjeprishur të stampës diktatoriale.

Amerika u vu vërtet në provë. Dhe fitoi. Kjo është një fitore e madhe për demokracinë dhe civilizimin që përfshin në rrezen e saj gjithë vendet dhe njerëzit e lirë të planetit. Edhe ne shqiptarëve. Le të imagjinojmë për një çast sikur dhuna dhe paranojat të kishin sukses. Fati i SHBA do të futej në terr dhe në stuhi.

Sundimi i dhunës dhe demoniakes mbi ligjin dhe vlerat do të bëhej normë në shumë vende të tjera ku liderët me prirje autokratike presin me padurim të heqin qafe zgjedhjet dhe votën e lirë. Bota do të bëhej lëmsh për kushedi sa vite. Kjo nuk ndodhi.

“Nuk do të ndodhë kurrë. As sot, as nesër”, thirri në mënyrë kuptimplote Presidenti Biden në fjalën e tij. Tingëllon e disi e pakëndshme të thuhet, por rrotacioni përmes pengesash i pushtetit në SHBA solli me shumë dobi sesa do të kishte sjellë një rrotacion qetë e normal si herë të tjera.

Ishte momenti që demokracia amerikane ta dëshmonte në përballje forcën e vet. Pas kësaj, të gjithë ata që tundohen t’u drejtohen metodave antidemokratike për të mbajtur apo marrë pushtetin duhet t’i bëjnë llogaritë me shembullin amerikan. Një fjalë tjetër kyçe e Presidentit ditën e inaugurimit ishte fjala bashkim, një sfidë aq aktuale në Amerikën e këtyre viteve.

Në këtë pikë, Biden citoi Presidentin Abraham Linkoln, i cili, kur firmoste shpalljen kundër skllavërisë në një ditë janari të vitit 1863, ka thënë: “Nëse emri im do të kalojnë ndonjëherë në histori, do të ndodhë për këtë akt. Gjithë shpirti im është aty”. Në analogji me paraardhësin e famshëm, Biden theksoi se gjithë shpirti i tij ishte të bashkonte Amerikën, popullin dhe kombin amerikan.

Bashkim rreth gjërave të përbashkëta që dashurojnë amerikanët dhe i përcaktojnë amerikanë. Presidenti përmendi mundësitë, sigurinë, lirinë, dinjitetin, respektin, nderin, të vërtetën. Bashkim në diversitet gjithashtu, “ku mosdakordësitë nuk duhet të çojnë në ndarje”. “Mund ta bëjmë nëse hapim shpirtrat në vend që të ngrijmë zemrat; nëse dëshmojmë pak tolerancë dhe përulje, nëse jemi të disponueshëm të hyjmë në brendinë e tjetrit, siç thoshte nëna ime, vetëm për një moment”.

Shumë njerëz në Shqipëri e kanë ndjekur drejtpërsëdrejti ose e kanë lexuar në gazeta fjalën e Presidentit Biden dhe dinë shumë me tepër sesa këto që po citoj këtu nga përmbajtja e saj.

Por unë i përzgjedh këto pjesë për t’u bërë jehonë e për t’i përballur me realitetin e varfër apo të sëmurë të ligjërimit politik në vendin tonë, ku klasi, etika, e folura konstruktive, lënë shumë për të dëshiruar, ndërsa agresiviteti dhe sharjet janë gati normë dhe vlerësohen si medalje.

Duket të mësojmë më në fund nga shembujt e mirë, nga mënyra e artikulimit politik të shtetarëve dhe politikaneve të kulturuar, burrat dhe gra, në SHBA dhe në botë. Jemi një vend ku në shumicën dërmuese të rasteve nuk çojmë dot deri në fund një debat pa plasur sherri, fyerjet, banaliteti.

Duhet të dimë se në fund të fundit historia e civilizimit përfundon në një lëmim të gjuhës dhe ushtrim të ligjërimit që lejon dialogun e bashkëpunimin në respekt të ndërsjellë. Në ditën historike të inaugurimit të Presidentit të 46-të, SHBA rrezaton këtë etikë. Edhe për ne. Është një gjë e madhe. Jo e vetmja, sigurisht. Biden dhe administrata e tij kanë një politikë të tërë për rajonin, Shqipërinë dhe Kosovë. Një politikë të miqësive dhe mbështetjes së fortë, për të cilën do të kemi rast të shkruajmë në vijimësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura