“Prova” e Adrian Pacit në Galerinë Kombëtare, si iu rikthye veprës pas 15 vitesh

Sep 27, 2019 | 10:33
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Në shtëpinë më të madhe të arteve pamore vendase, ndihet entuziazmi i kthimit të birit emigrant. Mes emocioneve, që mbartin rrëfimet artistike por edhe jetësore, që Adrian Paci propozon në Galerinë Kombëtare të Arteve, ambienti bëhet më familjar.

70937041_2393911630856912_3793589886359961600_n

Krahas “Provës”, që mban dhe emrin e ekspozitës, si dhe “Bukurshkrimit”, që ekspozohen për herë të parë, Paci sjell në Galeri fotografi, piktura, skulptura e video-instilacione, që përshkruajnë rrugëtimin e tij prej fillimit e deri në ditët e sotme.

“Kam dashur të ekspozoj edhe disa punë që kanë një lidhje me Galerinë, pasi janë ekspozuar më herët në ekspozitën ‘Onufri’ apo në Bienalen e parë të Tiranës”, tregon ai. Pesha e 22 viteve emigracion, prej ’97-ës kur artisti u largua drejt Italisë shpaloset që në dy veprat e para të realizuara në vitin 2001. Fotografitë nga “Back Home” sjellin nostalgjinë dhe shpresën e emigrantëve.

Portretet familjare të të larguarve, duke pozuar përballë imazheve të pikturuara të shtëpive që kanë pasur në Shqipëri, krijojnë një moment dialogu të fortë, mes jetës që lanë pas dhe asaj të resë, në një tjetër vend. Pesha e emigracionit, e një çatie, por mbi të gjitha e kujtimeve, që Adrian Paci zgjedh t’i mbart me vete, vjen gati therëse te “Home to go”.

70786004_10157293400477860_7714403747773808640_n

Në skulpturën e bardhë ndihet ngarkesa emocionale, fizike dhe psikologjike e njerëzve që largohen, pa u shkëputur nga ajo çka jetuan, e as nga vetë vendi i tyre. “Veprat e mia janë të tilla, të lidhura me një dimension njerëzor, duke krijuar një situatë sa ekzistenciale edhe teatrale. Nga një anë krijohet një realitet i dhimbshëm, e nga ana tjetër është dëshira për ‘fiction’, për ‘lojë’.

Edhe ‘Home to go’ fton për një lloj reflektimi, duke rrëfyer zhvendosjen fizike të elementit të çatisë që shndërrohet në zhvendosje konceptuale”, thotë artisti. Ndërsa shkojmë drejt veprave të tjera, fjalët “Provë” të videos së Pacit dëgjohen në sfond. Si të tjera punë të kësaj ekspozite, të cilat bashkëveprojnë me njëratjetrën, edhe “Prova” lidhet me një vepër të mëhershme të tij. “Turn on” zë fill në 2004- ën, në qytetin e tij të lindjes. Paci tregon se sa herë që shkonte në Shkodër, i tërhiqnin vëmendjen një grup burrash, që dilnin çdo ditë në të njëjtin vend për të kërkuar punë. “Atëherë, unë me ‘Turn on’ vendosa të bëj bashkë energjinë njerëzore që ata kanë brenda vetes me gjeneratorin, i cili në një moment të caktuar ndizet dhe ndriçon llambat që ata mbajnë në dorë” , tregon ai.

Fotografia e “Turn on” qëndron gati diskrete në shkallët e brendshme, nën efektin e veçantë të dritës, që duket sikur buron prej saj. Pas 15 vitesh, Paci zgjedh që me personazhe të këtij imazhi të krijojë një tjetër vepër.

event12

Te “Prova”, vendi ku videoja realizohet, ndryshon, ndërsa gjeneratori zëvendësohet nga mikrofoni. “Mirëpo, e vetmja fjalë që arrijnë të thonë para mikrofonit është ‘Prova’. Pra, është një tentativë për të bërë bashkë gjendjen e tyre ekzistenciale me momentin e ‘fiction-it’ ku fjala është vetëm fillesa, pasi nuk arrin të kthehet në diskurs.

Megjithatë, ndihet prezenca e saj, zëri dëgjohet, por qëndron në gjendjen fillestare, si edhe vetë arkitektura e vendit ku është xhiruar video”, rrëfen Paci. Në ekspozitë nuk mungojnë as ritet kolektive vendase të filmuara në vitet ’90, prej dasmave malësore, të cilat shpalosen përmes “The last gestures” (2010). Në video jepet momenti kur nusja del nga shtëpia, duke u përcjellë nga familjarët e saj.

“Jemi në një shtëpi në Malësinë e Mirditës. Gjestet janë nga një anë të brishta, por ndihet edhe një lloj vrazhdësie. Është një moment tranzicioni, mbyllet cikli i vajzërisë, për të nisur jeta si grua, në shtëpinë e burrit. Më intereson veçanërisht momenti i bashkimit, si një fakt ekzistencial në jetën e njeriut, në një realitet të ri”, shpjegon artisti. Një realitet gati i shkëputur prej fantazisë, është ai i videos “The column” të krijuar për Galerinë Kombëtare “Jeu de Paume” të Parisit, e i ekspozuar në 2014-ën në Bienalen e Arkitekturës së Venecias. Historia merr shkas nga një rrëfim që Paci do dëgjonte prej një restauratori, i cili do t’i tregonte se në Kinë, për të kursyer kohën, realizohen skulptura gjatë udhëtimit.

Videoja paraqet anijen e në të disa skulptorë kinezë që e copëtojnë gurin derisa i japin formën e një kolone.

“Është ideja e një modeli që vjen nga Perëndimi, shkon në Lindje e kthehet përsëri në Perëndim, përmes një udhëtimi gati të pabesueshëm. Një bashkim simbolik edhe me momentin e vrazhdë të shfrytëzimit të punës njerëzore, sipas kërkesave të një kapitalizmi të egër. Një ide që bën bashkë historinë e gjeografinë. Guri, hekurat e anijes, njeriu janë elemente që bashkëveprojnë për të krijuar një lloj narracioni që nuk kërkon të jetë dokumentar”, shprehet Paci. Kjo edhe për t’i lënë vend shkëndijave të imagjinatës, që pati qysh prej herës së parë që dëgjoi për një udhëtim të tillë.

“Një udhëtim sa i gabuar, aq edhe përrallor, që rrëfen se si një skulpturë gdhendet në oqean”. Ndërsa, me “Interregnum” (2017), Paci, siç kuratori i ekspozitës Adam Budak shkruan, jep dëshminë e një histerie sociale, që buron nga sistemet totalitare dhe prej abuzimit të pushtetit.

Bëhet fjalë për filmime të marra nga arkivat e shteteve ishkomuniste, ku tregohet se si njerëzit e përjetojnë (ose improvizojnë) vdekjen e diktatorëve komunistë të shekullit XX. “Në këtë rast, kam dashur të tregoj jo diktatorin, por popullin e diktaturës. Më ka interesuar gjithmonë se si diktatura ndërton një fiction brenda vetes, një narracion që lidhet me optimizmin, guximin, lumturinë, besimin në të ardhmen. Dhe i vetmi moment brenda këtij teatri kur njerëzve u lejohet vuajtja, madje u bëhet e detyrueshme, është vdekja e diktatorit”, tregon Paci. Ndërsa, dialogun dhe tensionet që ekzistojnë mes errësirës dhe dritës, sipërfaqes dhe thellësisë, të dukshmes dhe të padukshmes ai i rrëfen, përmes “Di queste luce servira la notte”, e videos së realizuar në lumin Arno të Firences. Artisti përshkon lumin përmes një varke e me disa tentakula drite përpiqet të zbulojë imazhe. “E kam realizuar kur kam qenë i ftuar nga Muzeu i Firences për të realizuar një punë në brendësi të projektit “Riva”, ku na duhej të ndërvepronim me lumin e “Arnos”.

Një lum i turbullt, i tmerrshëm për Firencen, sepse e ka përmbytur disa herë. Ideja, se në fund të atij lumi ka diçka që nuk mund ta shohim, më bëri kureshtarë për të hedhur dritë e për të peshkuar imazhe brenda këtij lumi”. Edhe në këtë punë, ashtu si edhe te “Prova”, artisti pohon se tentativa për të arritur rezultate nuk finalizohet. Në katin e dytë të Galerisë, veprat e Pacit i dedikohen temës së fëmijërisë. “Albanian Stories” (1997) shënon eksperiencën e parë të artistit me videon.

“Këtu videoja shërben më tepër për të dëshmuar histori. Ka qenë gjithmonë dëshira ime, si artist i edukuar brenda realizmit socialist, për t’u larguar nga narracioni në art dhe në këtë rast unë bëj një rikthim te narracioni, por në një tjetër formë”. Vogëlushja me të cilën krijohet një lloj interviste, reflekton momente të memorizuara nga viti ’97, ku rrëfimit të shfaqur në një televizor të vogël, tipik të viteve ’90, i bashkohet edhe fantazia fëminore.

Mandej, i ekzekutuar si mozaik, shfaqet “The Brothers” (2010). Një moment periferik i një videoje dasme, ku shfaqen dy fëmijë të vegjël, të cilin artisti e kthen në qendror. “Mozaiku e thekson këtë, pasi i jep një tjetër kohë, një tjetër fizicitet imazhit”, thotë Paci. Moment i veçantë i ekspozitës është dhe “Bukurshkrimi”, të cilin ai e prezanton për herë të parë. Artisti sjell përmes kësaj vepre disa fletë prej fletores së klasës së parë, ku tregohen edhe përpjekjet e tij të para për të mësuar të shkruajë.

Në fillim shfaqen disa shkarravina fëminore, pastaj një “jo” që fshihet, e mandej një shprehje pa ndonjë kuptim e shenja të ndryshme. “Ajo që vërehet, është se sa më shumë ushtrohem e mësoj të shkruaj, dora ime prodhon jo vetëm shenja të bukura, por edhe fraza të tilla”, thotë Paci. Frazat që lexojmë janë si: “Njeriu duhet të punojë”, “Rroftë 1 Maji”, “Tirana është kryeqyteti im” , “Në Tiranë punojnë udhëheqësit tanë të dashur”, “Tirana po zbukurohet dita–ditës” etj. “Kjo lidhet me ngushtimin e manipulimin që pushteti i bën mendësisë së njeriut. Me momentin e potencialitetit dhe se si ai moment mund të manipulohet dhe deformohet”.

Me ekspozitën e tij, në videoinstalacionin e fundit “Per Speculum” (2008, Angli), Paci tenton të vërë në dyshim, atë që vizitorët në pamje të parë mendojnë se e kanë të qartë. Reflektimi në pasqyrë i imazhit, që perceptohet si vetë imazhi, thyhet. Këtë moment, artisti e sheh si një moment çlirimi e fëmijët protagonistë do të nisin të luajnë me copëzat e pasqyrës e reflektimin e dritës. Kritiku Budak shkruan se kjo vepër shpreh anën e brishtë të gjendjes njerëzore, një zemërim të ekspozuar dhe agresion të traumave latente. “Shpreh gjeste vetëshkatërruese dhe paqëndrueshmëri të kohërave të pasigurta, të kapura në momentin e zgjimit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura