‘Protokolli s’e nxit biznesin të tërheqë kredinë’/ Kreu i “BiznesAlbania”: Garancia e dytë sovrane të jetë me interes zero

Jun 17, 2020 | 10:53
SHPËRNDAJE

Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, ka përshëndetur iniciativën e qeverisë për garancinë e dytë sovrane, por thekson se kredia për bizneset duhet të jetë pa interesa.

Luan-Bregasi-Biznes-Albania-IBNA

Në një komunikim me “News 24” Bregasi pohoi se shuma e garancisë prej 150 milionë dollarësh do të shërbejë jo vetëm për pagat, por edhe si kapital qarkullues, çka do të relaksojë shumë biznese që janë në vështirësi.

Por, presidenti i “BiznesAlbania” bëri me dije se bankat, përveçse hezitojnë të japin kredinë, nuk janë të qarta mbi protokollin që duhet të ndjekin për dhënien e garancisë sovrane.

Ai kërkoi nga ana e qeverisë të ndërmjetësojë për alokimin e fondit, ndërsa bankave t’u japë më shumë fleksibilitet. Një tjetër kërkesë e parashtruar ka të bëjë me periudhën e shlyerjes, që për shkak të zgjatjes së pandemisë, duhet të shkojë deri në pesë apo gjashtë vite.

Ku qëndron problemi me garancinë e dytë sovrane?

Në garancinë e dytë sovrane, pavarësisht kërkesave të shumta që bëri biznesi për lehtësim taksash, për shtyrje të kredive e të tjera, ne i mirëpritëm pasi 150 milionë dollarë që u akorduan në paketën e dytë ishte lajm i mirë. Kjo nuk ishte vetëm për pagat, por për kapital qarkullues. Kishte dy avantazhe: për pagat dhe faktin se shteti mori përsipër që interesat do t’i përballonte vetë. Mendoj se qeveria duhet të shpejtonte në alokimin e kësaj kredie të garancisë sovrane. Para marrëveshjeve me bankat, në dijeninë time, megjithëse pati një shkëmbim informacioni, këto institucione ende nuk janë të qarta se çfarë protokolli do të ndjekin për garancinë sovrane. Për ne biznesmenët, nëse realizohet dhënia e kredisë 150 milionë dollarë, nuk është pak, por nga informacionet që kemi, bankat hezitojnë për dhënien e kësaj kredie. Është e ditur se 60% e kompanive shqiptare punojnë me kredi bankare, projektet e tyre i kanë financuar nga projektet bankare. Sidomos sektori i turizmit, fasoneritë e të tjera. Kjo kategori që është drejtuar te bankat, nuk po them se marrëdhënia me këto ndërmarrje ka qenë 100% e shëndetshme, kjo dhe për shkak të konkurrencës apo çmimeve të larta të lëndëve të para që ka tregu ynë. Çka i ka bërë shumë biznese që mos të kenë raport të shëndetshëm me bankat.

Janë biznese që kanë pasur kredi bankare, të cilat nuk i kanë shlyer në mënyrë të rregullt?

Jo, s’e them këtë, por kanë pasur dobësi në marrëdhënie me bankat. Janë riskeduluar kreditë. Nëse qeveria vendos kushtin që deri në muajin shkurt të këtij viti, bizneset do të jenë korrekte me bankat, do jetë e vështirë që ta përfitojnë këtë kredi përmes garancisë së dytë. Bankat nuk duhet të kërkojnë më shumë dokumente, sesa kur japin një kredi vetë ato. Kjo kredi duhet të jetë pa interesa, ose nga 0.5-1 % dhe jo 5 %, pasi janë interesa të larta. Duhet të ndihmohet biznesi. Ende kompanitë kanë vështirësi. Po bëjnë plane biznesi. Qeveria duhet të bëjë një protokoll të saj që të mos e paguajnë principalin për 6 muaj, deri në 1 vit. Ne kemi kërkuar që kohëzgjatja e kësaj kredie, për shkak se efektet e pandemisë do jenë edhe përtej një viti, të njihet deri në një periudhë 5-6 vjet. Janë disa kushte që duhet të shoqërohen dhe që të ndihmohet biznesi. Nëse kjo kredi konsumohet, edhe pse mund të ishte më shumë, nëse injektohet shpejt në ekonomi, do t’i relaksojë shumë këto biznese që janë në vështirësi.

Këto kërkesa të biznesit nuk janë diskutuar me qeverinë? Pasi kushtet e kësaj garancie të dytë sovrane janë thënë kohë më parë nga qeveria…

Ne kemi qenë në kontakt me Ministrinë e Financave dhe dua të përshëndes disponibilitetin që ka pasur si institucion. Por duhet të ekzistojë një mekanizëm i qartë mbi përgjegjësitë që merr shteti. Unë kam informacione që shteti ynë u ka kërkuar bankave, se në rast se një kredimarrës s’do të shlyejë dot kredinë, në 40% që ka banka, kjo të ndahet me qeverinë. Kjo nuk është gjë korrekte. Unë mendoj se duhet të përshpejtohet procedura e thithjes dhe disbursimit të kredisë sovrane, që biznesi të mos ketë vështirësi. Dhe e treta: elementet që përbëjnë protokollin e një kredie të jenë të thjeshta. Shlyerja të jetë 6-7 vite, pra të krijohen kushtet që të ndihmohet biznesi. Bankat janë të shëndetshme dhe mund ta financojnë ende ekonominë shqiptare.

Çfarë kërkoni nga qeveria? Të ketë marrëveshje të re?

Nuk është se na e kanë bërë të qartë protokollin e qeverisë me bankat për garancinë e dytë sovrane, por kemi dalë në këtë përfundim se protokolli është pak i vështirë. Nuk është protokoll që e nxit biznesin që të tërheqë garancinë e dytë sovrane. Duhet që shteti të marrë përgjegjësinë, riskun e vet, që ka deklaruar se do të marrë 60 % të riskut. Po ashtu, t’i jepet frymëmarrje biznesit që ta shlyejë këtë kredi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura