Protestat në Europë, turizmi i përgjegjshëm dhe Drimades

Aug 16, 2017 | 10:24
SHPËRNDAJE

romeo-hanxhariPROF. DR. ROMEO HANXHARI

Në Europë komunitetet protestojnë për anashkalimin dhe injorimin që turizmi u bën. Ata po bezdisen nga turistët dhe po cenohen nga investitorët. Në Shqipëri komunitetet ende nuk protestojnë, por procesi i injorimit dhe bezdisjes ka baza të njëjta, fatkeqësisht. Kjo ndodh sepse ata që paguajnë parà, investitorët apo turistët qofshin,e bindin veten se kanë blerë gjithç- ka. Por komunitetet dhe trashëgimia e tyre nuk blihen dot. Komunitetet tolerojnë deri në një farë pike, por pastaj reagojnë dhe ashpër.

Prandaj ka vite që flitet për nevojën e një turizmi të përgjegjshëm, ku 3 aktorët, pra investitorët, turistët, dhe komuniteti lokal punojnë së bashku në respekt të ndërsjellë pa dëmtuar dhe injoruar asnjërin. Ata duhet të bashkëpunojnë në të mirë të një bashkëjetese që ndërtohet mbi këtë themel: identitetin lokal. Te ne nevoja për “turizëm të përgjegjshëm” është ulëritëse, sidomos në zona ku trashëgimia kulturore është përbërëse shumë e rëndësishme e ofertës turistike. Turizmi i përgjegjshëm është sinonim i turizmit të qëndrueshëm.

Çfarë ndodh në këto zona si: Venecia, Barcelona, Milano, Vjena, Dubrovnik, etj, të cilat në Shqipëri mund të ekuivalentohen (në shkallën përkatëse) me Beratin, Dhërmiun, Gjirokastrën, Durrësin, Shkodrën, etj? Vlerat kulturore të këtyre zonave janë krijuar nga banorët e tyre autoktonësh pjesë e jetesës së përditshme në mijëravjeçarë. Rrjedhimisht këta banorë i konsiderojnë vlerat e tyre si pjesë të jetës së tyre, si pjesë të ADN-së së tyre identitare. Ndërsa, turistët në shumicën e rasteve njohin vetëm sipërfaqen e këtyre vlerave, për shkak të shpejtësisë së konsumit turistik.

Duke mos e thelluar dot njohjen dhe duke rendur të konsumojnë sa më shumë në sa më pak kohë, këta turistë nuk e respektojnë dot siç duhet tërësinë e vlerave, dhe madje ndonjëherë e nëpërkëmbin atë pa dashje ose me dashje. Fjala vjen, një banor autokton i Milanos stërgjyshërit e të cilit kanë ndërtuar me pasion katedralen d’Uomo, futet atje me qetë- si e veneracion absolut për të kryer ritet e lutjeve të përjavshme apo të përditshme, ndërsa një turist futet atje për të bërë selfie nxitur nga shpejtësia e konsumit turistik.

Normalisht që banori lokal mërzitet, por edhe turisti nuk kënaqet. Po ashtu, një banor i Venecias e ka sheshin “Shën Mark” pjesë të së përditshmes së tij por edhe pjesë të shpirtit të tij, ndërsa turisti vjen me pretendimin bosh se ai “e ka blerë” të drejtën e përdorimit të sheshit. Prandaj ndonjëherë turistët gjenden deri edhe duke urinuar nëpër cepat e monumenteve kulturore nëpër natë. E prandaj Dubrovniku ka vendosur kufizim të numrit të turistëve, si të vetmen mënyrë për të ruajtur trashëgiminë e vet të paprekur.

E, e njëjta gjë edhe për një banor të Beratit, i cili i konsideron rrugicat e gurta si pjesë të identitetit të vet të përditshëm ku çdo gur e çdo cep ka një histori e një dramë, dhe nuk i konsideron si “bukurira” që vetëm duhen fotografuar kalimthi e me zhurmë. E njëjta gjë edhe për një banor të Dhërmiut, i cili i konsideron kishat e manastiret e krahinës së vet si pjesë të vetes së tij e të historisë që ka mbrujtur atë komunitet dhe jo thjesht si ndërtesa apo piktura që dalin bukur në fotografi.

Këto janë ndryshime në sjellje që krijojnë çarje midis turistëve dhe banorëve lokalë si dhe midis operatorëve turistikë dhe banorëve. Dhe absolutisht i njëjti proces ndodh edhe me trashëgiminë kulturore jo-materiale, si emër vendet, historia, folklori, besimi, figurat historiko-legjendare, pasqyrimin në letra, etj. Le të bëjmë disa shembuj për sa i përket mënyrës se si investitorët e përdorin identitetin lokal: me respekt apo me injorim.

Kështu, a mundet dikush të vendosë të investojë në Vjenë dhe të hapë në sheshin “Shën Stefan” të qytetit një restorant me emrin “Sarajet e Sulltan Sulejmanit”, duke patur parasysh se ky sulltan mizor rrethoi dhe terrorizoi këtë qytet duke rrezikuar ta pushtonte?! Natyrisht që do ishte e papërgjegjshme një restorant me atë lloj emri, sepse ai është një qytet, identiteti i të cilit është mbrujtur me krenarinë e fortesës së fundit europiane që i rezistoi terrorit osman në kulmin e fuqisë së këtij të fundit, dhe që shpëtoi kështu gjithë kontinentin. E njëjta gjë edhe në Dhërmi.

A është e përgjegjshme që një operator turistik ta pagëzojë restorantin e vet atje me emrin “Sofra e Pashait” apo “Sarajet e Pashait”?! Sigurisht që ky nuk është “turizëm i përgjegjshëm”, dhe madje dëshmon mungesë respekti ndaj identitetit të komunitetit të zonës ku investitori kërkon të integrohet. Banorët nuk flasin ende në publik, por midis tyre ata e konsiderojnë këtë si “provokim”.

Pse? Sepse ky komunitet është formuar në shekuj mbi bazën e rezistencës së suksesshme antiosmane. Asnjë pasha osman apo osmanofil nuk ia ka dalë të vendosë jo sarajet, por as çadrat e veta në ato zona. I vetmi pasha që pushtoi duke terrorizuar me dhunë të egër atë zonë ka qenë Ali Pashë Tepelena, dhe për këtë shkak ai urrehet. Ai komunitet respekton heronjtë e vet që kanë vrarë pashallarë, si Damiani me shokë, si bamirësi Gjikë Bixhili, e si gjenerali i Napolit, Dhimitër Leka me shokë.

Atëherë a është përdorimi i termit “Pashai” si brand turistik, një provokim i identitetit dhe historisë së zonës, si dhe një refuzim që në tentativë të bashkëjetesës midis investitorit operator turistik dhe komunitetit lokal?! A është ky një sabotim ndaj “turizmit të përgjegjshëm”?! A është kjo njëlloj sjelljeje arrogante nga ana e personave që mendojnë gabimisht se “turizmi është thjesht blerje toke, investim parash, dhe ndërtim strukturash pompoze”, dhe jo bashkëpunim e respekt me komunitetin lokal, siç në fakt duhet të jetë?! Dhe së fundi, a janë pikërisht këto bërthamat e arsyeve se pse po protestojnë sot edhe komunitete lokale në Europë?!

Një shembull tjetër negativ është edhe rasti kur investitorë jashtë komuniteteve shfaqin mungesë respekti ndaj zonës ku kanë vendosur të investojnë. Kam dëgjuar vetë një rast kur ndonjë “investitor” shprehet deri edhe me ofendime për banorët autoktonë të Himarës. Apo me shprehje si “jua gjeta tokat me ferra dhe jua ndërtova”. Kjo është tepër! Kjo është mosnjohje totale për një zonë ku bukuritë natyrore ndërthuren mrekullisht me trashëgiminë kulturore, një truall ku çdo pëllëmbë tokë është fryt i ndërtimit me thonj të mureve të gurta mbajtëse dhe i mbartjes së dheut me shporta, sipas traditës së mbarë qytetërimit të lashtë mesdhetar…

E pra, kjo mungesë respekti dhe deri edhe në përbuzje që kanë “parallinjtë” që blejnë toka e shtëpi dhe mendojnë se mund të bëjnë turizëm në këto zona të mbarsura me trashëgimi e me histori, është në fakt një minim i turizmit të qëndrueshëm e të përgjegjshëm…. Por ka edhe shembuj pozitivë kur praktikat e turizmit të përgjegjshëm nxiten nga investitorë po aq të përgjegjshëm. Një investitor duhet që devocionin dhe vlerësimin ndaj komunitetit lokal ta kthejë në kreativitet sipërmarrës, në mënyrë që të dyja këto cilësi të shkojnë në favor të punësimit të qëndrueshëm dhe të krijimit të të ardhurave për të gjithë.

I tillë është rasti i Drimades Beach: tashmë prej 15 vjetësh një plazh i madh dhe një zonë e tërë rreth atij plazhi në Dhërmi njihet nga publiku mbarë shqiptar me këtë emër. Por, pak prej nesh e dinë që ai plazh në fakt emrin lokal e ka Perìvolo. Emërtimin “Drimades Beach” e ka marrë vetëm së fundi për shkakun sepse e para strukturë hoteliere që u ndërtua në atë plazh u quajt pikërisht ashtu, ”Drimades Beach”. Pra, nëse zakonisht është hotel ai që merr emrin e plazhit ku ndërtohet, në këtë rast plazhi ka marrë emrin e hotelit që u ndërtua në të.

Dhe kjo ndodhi jo pa arsye dhe jo pa lidhje me komunitetin lokal. Kjo ndodhi sepse investitori u tregua i përgjegjshëm. Ai mund ta kishte emërtuar atë hotel me emra si “Palma beach”, “Florida”, “Green”, apo “Blu beach” etj, etj. Por jo. Në respekt të identitetit lokal, investitori përdori me mençuri dhe vizion emërtimin mesjetar me të cilin kronikanët perëndimorë e kanë raportuar Dhërmiun që prej shekullit të 15- të: Drimades. Dhe aq mirë u prit nga banorët ky emërtim i ri saqë tashmë edhe rrugën ata e quajnë “Rruga e Drimades”.

E kështu që ky emërtim mesjetar mjaft i rëndësishëm identitar për zonën, por deri vonë i humbur, tashmë është pjesë e fjalorit të gjithë të rinjve të Shqipërisë që të paktën një herë kanë qenë në atë plazh. Por s’mbaron këtu. Emërtimi u perceptua mirë edhe nga bizneset e tjera që u shtuan gradualisht në atë zonë. Tashmë emërtimi mesjetar “Drimades” është shndërruar në adresë për të paktën 50 biznese, restorante, hotele, kafe, dyqane në atë zonë.

Pra, një emër që i përket komunitetit dhe që është shndërruar në brand dhe në markë për të gjithë zonën. Këta shembuj na tregojnë se trinomi komunitet-investitor-turistë ka dy opsione: bashkëpunimi dhe respekti mes operatorëve dhe komunitetit mund të krijojnë sinergji dhe zhvillim të madh, ndërsa injorimi dhe mosrespekti krijojnë herët e vonë krisje dhe dështime. Suksesi i qëndrueshëm qëndron në një praktikë që përmblidhet në dy fjalë: turizëm i përgjegjshëm…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura