Protesta për ndërtimin e HEC-it, banorët pretendojnë se ua falsifikuan firmat

Apr 5, 2021 | 12:37
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Llesh Çupi nga fshati Thirrë i Njësisë Administrative të Fanit në Mirditë rezulton në dokumente të ketë firmosur për ndërtimin e një HEC-i dhe fabrike ujit në fshatin e tij.

hec protesta

Por 80-vjeçari thotë se vetëm kur ka para makineritë duke punuar e ka marrë vesh se çfarë investimi po bëhet. I moshuari thotë se i është përdorur emri dhe falsifikuar firma pa pasur dijeni. “Këtu në fshatin tonë ka nisur të ndërtohet një hidrocentral dhe fabrikë e ujit. Puna ka nisur prej kohesh dhe do të marrin të gjithë burimet ujore t’i fusin në tuba. Kur pashë se çfarë po ndodhte, jemi ngritur gjithë fshati kundra këtij investimi, sepse është një dëm shumë i madh për zonën tonë.

Mirëpo kur kemi parë dokumentet, del dhe emri im sikur kisha firmosur dhe jam pro këtij investimi. Të them të drejtën jam habitur dhe po kërkoj se kush ma ka bërë këtë punë”, thotë Llesh Çupi. E njëjta gjë i ka ndodhur dhe Preng Markut, banor i këtij fshati. Edhe ai thotë se emri dhe firma e tij rezultojnë në dokumente sikur ka firmosur dhe është pro investimit në fjalë. “Unë kam marrë dokumentet dhe i kam parë dhe rezulton dhe emri im aty. Unë vetëm kur kam nisur punimet e kam marrë vesh se çfarë po bëhet këtu dhe dikush ka firmosur në emrin tim. Më është falsifikuar firma dhe këtë e ka bërë firma në bashkëpunim me pushtetarë lokalë këtu”, thotë Preng Marku

BANORET, KUNDER HEC-IT

Punimet e nisura për ndërtimin e një HEC-i dhe fabrike ujit në Thirrë të Mirditës kanë gjetur kundërshtimin e banorëve të dy fshatrave në këtë zonë. Ata u mblodhën të premten dhe protestuan para kantierit të ndërtimit, duke kundërshtuar zbatimin e këtyre projekteve, që sipas tyre, shkatërrojnë burimet ujore dhe ekosistemin e kësaj zone. Banorët thonë se të gjitha procedurat për lejen e ndërtimit janë kryer në mënyre të fshehtë pa u konsultuar me komunitetin.

“Jemi mbledhur këtu për të denoncuar një veprim të paligjshëm dhe kriminal të një kompanie private, e cila po i shfrytëzon burimet ujore të fshatit tonë për ndërtimin e hidrocentralit dhe fabrikës së ujit, kundër vullnetit të popullatës. Kjo kompani ka falsifikuar firmat e banorëve për të marrë leje në institucionet shtetërore për ndërtimin e hidrocentralit”, thotë Besnik Paci, ish-banor i fshatit Thirrë. Në fshatrat Thirrë dhe Sang janë të regjistruar 611 banorë, por sipas dokumentacionit të paraqitur nga firma, pretendohet se aty jetojnë vetëm 19 banorë, madje dhe firmat e disave prej tyre janë falsifikuar. “Në vitin 2017, kur janë marrë këto firma, në të dy fshatrat janë të regjistruar 611 banorë, ndërsa në dokumentin e paraqitur nga firma pretendohet se aty jetojnë vetëm 19 banorë. Pra, kanë paraqitur një dokument të falsifikuar dhe madje dhe aty janë falsifikuar firmat e banorëve”, thotë Paci.

PROTESTAT

Banorët thonë se janë të vendosur për të mos lejuar zbatimin e këtij projekti dhe kërcënojnë me përshkallëzim të protestave, nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet përgjegjëse. “Ne s’kemi qenë në dijeni fare dhe e kemi marrë vesh vetëm kur kemi parë makineritë duke punuar.

Kanë bërë një takim fshehurazi me 10 veta madje, gjoja se janë komuniteti i kësaj zone. Madje 6 prej tyre u kanë falsifikuar firmat, pasi në letra rezulton se ka firmosur dhe një person me aftësi të kufizuara, që nuk di të shkruajë, as të lexojë. Jemi të vendosur që mos të lejojmë ndërtimi i HEC-it dhe fabrikës së ujit, pasi sjell pasoja shumë të mëdha për zonën. Duan të bllokojnë burimet ujore e t’i fusin nëpër tuba. Ne kemi jetesën këtu me bujqësi e blegtori e të na ikë dhe uji, më mirë të na gjejnë vend e të na largojnë dhe ne nga këtu. Jemi të vendosur deri në fund që të mos lejojmë zbatimin e këtyre projekteve abuzive”, thotë Marie Prenga, banore e fshatit Thirrë.

Ndërsa një tjetër banore thotë se me ujin dhe malin e kanë të lidhur jetesën. “Unë jam më e vjetra në këtë protestë. Ne me atë ujë dhe me atë mal kemi jetuar, ndaj nuk kemi lëvizur, por kemi qëndruar këtu. Tani të marrin dhe ujin, më mirë ta në marrin dhe shpirtin”, thotë Ruta Bajraktari, banore e Sangut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura