Protesta, Paloka: Në filozofinë e PD nuk ekziston dhuna

Mar 11, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, e cilëson skandal daljen e informacioneve nga Prokuroria mbi dëshminë që ishkryeministri Berisha dha në lidhje me akuzën e deputetit Tom Doshi.

Edi Paloka

Në një intervistë për “Panoramën”, Paloka thekson se opozita do të vijojë të njëjtin qëndrim në Parlament për dorëheqjen e Metës, pasi sipas tij nuk mund të ketë punime normale në një Kuvend, ku kryeparlamentari akuzohet për vrasjen e dy deputetëve.

Z.Paloka, nga dëshmia e Berishës në Prokurori del se jeni ju që ia keni dhënë informacionin për kërcënimin ndaj Tom Doshi, si është e vërteta?
Së pari është një skandal që vazhdojnë të dalin të dhëna nga Prokuroria, deklarata të dhëna qoftë nga dëshmitarë. Dhe kjo filloi që me dëshmitarin e parë Bamin, i cili ende pa u prononcuar, i dolën deklaratat. Së dyti, për atë që presupozohet se ka thënë Berisha në Prokurori, zotin Berisha unë e dëgjova dhe deklaroi se thëniet e tij në Prokurori janë sekret deri në momentin që ato deklasifikohen. Kështu që unë nuk mund të bëj komente për deklaratat që vetë z. Berisha i ka cilësuar si sekret dhe që Prokuroria është e interesuar më shumë se kushdo tjetër që t’i mbajë në këtë status.

Ju keni pasur informacione?
Unë sapo e dhashë këtë përgjigje.

Z. Meta deklaroi se s’ka asgjë të vërtetë në akuzën e Doshit, pse ju nuk e besoni variantin e tij? Z. Meta duhet të plotësonte kërkesën që i kemi bërë në fillim. Që me plasjen e skandalit, që me bërjen publike të akuzës së një deputeti të maxhorancës për kryetarin e Kuvendit, duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të drejtësisë. Vetëm ashtu do të ishte i besueshëm. Vetëm duke treguar të gjithë vullnetin se ishte gati të përballej me drejtësinë si qytetar i thjeshtë apo dhe deputet i thjeshtë do të bindte opinionin se realisht kjo histori është aq e pafajshme për Metën sa ai deklaron. Gjithë rrjedha e ngjarjeve, mënyra se si u veprua me këtë ngjarje, se si për 6 muaj u mbajt e fshehtë, vetëm me kulisa, me biseda kokë më kokë mes njëri-tjetrit, krerëve të shtetit, Kryeministër, kryetar Parlamenti, ministër i Brendshëm dhe vetëm pasi ky skandal plasi, pasi Doshi e publikoi këtë skandal, vetëm atëherë filluan të veprojnë institucionet, u kapën çuditërisht shpejt dëshmitarët, u thirrën po me aq urgjencë dhe dhanë deklarimet e tyre që nga ministri i Brendshëm, te Kryeministri, te kryetari i Kuvendit. Filluan historitë me dëshmitarë që zhduken, me dëshmitarë që arratisen, dëshmitarë që merren dhe ndryshojnë qëndrimet e tyre. Jemi në kushtet e një akti tërësisht mafioz. Një shtet që vepron si kupolë e mafies, ku çdo gjë bëhet për të mbuluar të vërtetën. Edhe nëse Meta do të kishte të drejtë, absolutisht nuk do ta marrë kurrë këtë të drejtë, të paktën për opinionin publik. Mënyra se si u veprua dhe se si veprohet tregohet qartazi që tentohet thjesht të fshihet e vërteta.

Tashmë opozita ka nisur një formë bojkoti të komisioneve. Deri kur do të vazhdojë?
Nuk ka bojkot të komisioneve. Deputetët marrin pjesë në të gjitha komisionet. Vetëm se i qëndrojnë vendimit të marrë nga PD se nuk mund të ketë punime normale të Parlamentit. Kur kryetari i Kuvendit akuzohet se ka paguar para që të vrasë deputetë, nuk mund të ketë situatë më absurde sesa në atë Parlament të vazhdojnë punimet normalisht, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Përse e keni thirrur nesër protestën? A ka lidhje vetëm me videon e Tom Doshit?
Protestën në fakt ka kohë që e kërkojnë qytetarët. Reagimi ynë është një përgjigje ndaj kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve. Ne kemi qenë nën presion gjatë gjithë kohës prej qytetarëve që t’i drejtojmë drejt protestave. Fakti është se vendi po shkon përditë e më shumë drejt rrënimit ekonomik, drejt rrënimit të rendit dhe sigurisë. Qytetarët shqiptarë, dy gjërat më të rëndësishme për jetën e njeriut sot, jo vetëm nuk i kanë të siguruara, por po shkojnë drejt shkatërrimit. Për sa i përket sigurisë ekonomike, vendi po shkon drejt varfërisë ekstreme, ku njerëzit dënohen se nuk kanë 600 lekë të vjetër të paguajnë dritat, ku njerëzit futen në burg sepse janë të varfër. Ndërkohë që Koçot, Ramët, Metët dhe gjithë të tjerët vazhdojnë të pasurohen në kurriz të popullit. Pabarazia, padrejtësitë që u bëhen qytetarëve çdo ditë dhe me dhunë, duke përdorur Policinë e Shtetit si mjet represioni ndaj qytetarëve. Krimi dhe terrori që sundon çdo ditë në rrugët dhe shtëpitë tona, absolutisht kërkojnë një përgjigje. Qytetarët e kërkojnë nga opozita, ne i kemi ftuar qytetarët ditën e enjte të reagojnë, të bashkohen me ne dhe t’i tregojmë kësaj maxhorance se ditët e saj kanë mbaruar. Nëse nuk ka reagim qytetar, këtu gjërat do të shkojnë gjithnjë e më keq.

Jeni shprehur se populli mund ta tejkalojë opozitën, kjo do të thotë nuk mund të kontrolloni dot turmën?
Unë jam shprehur se në filozofinë e PD-së nuk ekziston dhuna. Rama dikur deklaronte lidhur me kontrollin e turmave apo të qytetarëve se në raste të tilla janë qytetarët që drejtojnë dhe është e pamundur t’i kontrollosh.

BRAHIM SHIMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura