Protesta në Teatër dhe “teatri” i Kryeministrit

Feb 14, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli2FRANO KULLI

Deri dje, Kryeministri, Zoti Edi Rama, artist për nga formimi bazë, nuk është ndierë përreth  protestës që aktorët e Teatrit Kombëtar, aktorë edhe nga qytete të tjera kryesore të Shqipërisë, kanë nisur e po bëjnë prej më se një jave, përkundër një projektligji dhe vetë ministres së Kulturës që e ka përgatitur, i cili, simbas tyre u cenon atyre edhe ato liri jo të plota që ata kanë pasur deri më tani për ushtrimin e profesionit të tyre, që është aktrimi, teatri, pra.

Simbas projektit, i cili me gjasë do të bëhet edhe ligj, e gjithë lëvizja teatrore, përfshirë atë të Teatrit Kombëtar dhe atyre të qyteteve të tjera të Shqipërisë, kërkon të centralizohet administrativisht, domethënë, ndryshe nga çka qenë deri më tani, ku trupat teatrore në njëfarë mënyre administroheshin nga bordet e tyre, tani e masandej do të drejtohen e komandohen vetëm nga një “dorë”, domethënë nga Zonja Ministre e Kulturës sot dhe nga ministri pasues nesër. Njëherësh me projektligjin, aktorëve u është kërkuar të lirojnë godinën e teatrit ekzistues, me arsyetimin e rindërtimit të tij, i cili, për hir të së vërtetës, është i domosdoshëm, madje ka një nevojë ulëritëse prej kohësh.

Veçse, kjo iu është kërkuar atyre, pa i njohur ata aspak me projektin rindërtues a me ndonjë projekt tjetër të një teatri të ri, i cili më së paku duhej konsultuar në radhë të parë me aktorët si grup interesi. Po edhe me publikun e gjerë qytetas, domosdo. Se po bëhet fjalë për Teatrin Kombëtar dhe jo për një ngrehinë, që e çfarëdo destinacioni qoftë, nuk mund të kishte rëndësinë e teatrit, qoftë edhe si vepër urbane.

Dje, Zoti Kryeministër, nëpërmjet FB (!) ka kumtuar nëpërmjet bashkëbisedimit me një fansin e vet, i cili e pyet: i ke dëgjuar Robert Ndrenikën e Bujar Asqeriun: “Jo, nuk i kam dëgjuar ata që s’dinë çfarë duan.” Si gjithnjë, edhe kësaj here, në stilin e tij tallës e fyes, përbuzës me këdo e me gjithkënd. Me punëtorë, fshatarë, profesorë e gazetarë…E drejtë që ai ia ka dhënë vetes qyshkur ka zënë atë karrigen pezante të pushtetit të lartë.

Edhe kësaj radhe njësoj, pa u vënë sadopak në sedër se po flet për atë specie njerëzie këtu në Shqipërinë tonë, që për aq sa kanë bërë, do të mbahen mend e të kujtohen për mirë, edhe atëherë kur emri i zotërisë së tij dhe një duzine kryeministrash të qindvjetëshit shtet shqiptar, do të kujtohen mjaft më rrallë e aspak me respekt. Por ka një gjë edhe më përtej mungesës së respektit, që shfaqet e në formën e talljes e cinizmit, në formën e shpërfilljes dhe të vjedhjes së gjësë publike, pa u përgjigjur qoftë edhe një herë të vetme para askujt.

Këqyrja e vetvehtes përmbi gjithkënd mbi tokë prej asaj vendkëqyrjes së karriges hijerëndë, nuk është modeli i panjohur për ne të qeverisurit e zotërisë së tij. Ky është profili i udhëheqësit autokrat, që e njëson pozitën e kryeadministratorit të punëve qeverisëse me sundimtarin. Sikur njerëzit të ishin kolon të tij. Taborret e këtij Kryeministri janë të akuzuar si dëmtorët më të mëdhenj të ekonomisë kombëtare dhe të prosperitetit të vendit.

-Ne kemi bërë teatro e stadiume më shumë se ç’janë bërë për 26 vjet-tha… Ia tregon Robert Ndrenikës, se çka bërë ai për teatrin…Sa tragjikomike. Në të vërtetë, bëma e vetme e Zotnisë së tij është ajo që Roberti, Mirushi e vërsnikët e tyre e mbajnë mend mirë. Ka qenë atëherë kur teatrin desh t’ua bënte kullë…, një qasje që vjen vërdallë edhe tani. Aktorët e kanë shprehur këtë shqetësim dhe këmbëngulja e Ministreshës te projekti i qeverisë, ngjan si detaj regjisorial në një teatër kukullash, ku fijet i luan “mjeshtri”…

Ndaj, dhe duan ta përmbyllin sa më shpejt zërin e protestës së aktorëve dhe sindikatës së tyre. Nuk e di se ka ndonjë Kryeministër tjetër, së paku në Europë, që të ketë dialoguar publikisht me një homologun e vet europian si Kryeministri ynë: “Hajdeni, investoni se në Shqipëri nuk ka sindikata që të mërzisin…”. I ekzaltuar, se në vendin e vet gjasme demokratik, nuk ka sindikata që të mërzisin… Edhe sot, tre vite më vonë, e njëjta sjellje vërdalloset. Një autokraci e frikshme, një ré e zezë për demokracinë, që unë shpresoj se zëri i kultivuar i aktorëve, në rezonancë me zërin e revoltës që zien, do ta zhdavarisë (shpërndajë) këtë ré.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura