Protesta në Athinë për të ardhmen financiare të vendit. Sondazhet tregojnë se grekët janë të pavendosur për referendumin

Jul 3, 2015 | 17:30
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Protesta dhe përleshje me policinë janë shënuar pasditen e së premtes në sheshin qendror të Athinës, lidhur me mbajtjen e referendumit në fundjavë për të ardhmen financiare të Greqisë.

Foto marre nga “Reuters”

Sipas mediave greke dhe atyre ndërkombëtare, një grup të rinjsh janë përplasur me forcat e policisë duke shkaktuar konfuzion. Protesta mbahet në ditën e fundit të fushatës për referendumin e së dielës.

Kur mbeten edhe pak orë para se grekët të vendosin në kutitë e votimit për referendumin që do të mbajnë ditën e diel, sondazhet e publikuara në mediat greke tregojnë se ka paqartësi mes qytetarëve.

Sipas “Reuters” një sondazh i kryer nga “Avgi”, i zhvilluar nga data 30 qershor deri më 2 korrik, tregon se 43 për qind e grekëve do të votojnë për “Jo” dhe vetëm 42.5 për qind e tyre, do të votojnë për “Po” dhe 9 për qind janë ende të pavendosur.

Diferenca e ngushtë mes dy përgjigjeve tregon se ende pjesa më e pa vendosur pritet të bëjë diferencën në Greqi, ndërsa kryeministri Aleksis Tsipras, i ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për “Jo”. Sipas Tsipras, një “Jo” ndaj masave shtrënguese nuk do të thotë largim ndaj BE-së.

Një tjetër sondazhi i kryer nga instituti ALKO dhe i botuar në gazetën ‘Ethnos’ tregon një kryesim të lehtë në favor të “po” në referendumin e së dielës. 44.8% shprehen pro masave shtrënguese, 43.4% kundër tyre, ndërsa 11.8 % janë të pavendosur.

Ndërsa një sondazh tjetër i botuar tek gazeta ‘Protothema’ e ngushton edhe më tej diferencën. Sipas tij, 41.7 votojnë pro, 41.1% votojnë kundër dhe 10.7% janë të pavendosur. Sondazhet vijnë një ditë pas paralajmërimeve të fondit monetar ndërkombëtar se Greqia mund të përballet me një krizë të rëndë në rast të një ‘jo’-je në referendum. 

Referendumi
Grekët do të votojnë të dielën nga ora 07:00 në mëngjes deri në orën 19:00. Pyetja që parashtrohet është: “A duhet që plani i marrëveshjes që KE, BQE dhe FMN kanë paraqitur në takimin e Eurogrupit më 25 qershor, i përbërë nga dy pjesë që formojnë propozimin e plotë të tyre, të pranohet? Pjesa e parë titullohet “Reformat për plotësimin e programit aktual dhe përtej” dhe pjesa e dytë titullohet “Analiza paraprake e qëndrueshmërisë së borxhit”. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura