Protesta e opozitës, Policia: Mund të goditet Kryeministria me vezë

Dec 8, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për të garantuar qetësinë publike gjatë zhvillimit të protestës së sotme, megjithatë parashikon edhe momente dhune dhe ndonjë incident të vogël.

protestaNga informacionet e siguruara në rrugë operative, burimet thanë se ka të dhëna që gjatë protestës godina e Kryeministrisë mund të qëllohet me gurë dhe vezë e po kështu edhe forcat e rendit.

Megjithatë, Policia thotë se nuk parashikohet ndonjë problematikë apo incident i rëndë gjatë protestës dhe janë marrë të gjitha masat për të parandaluar çdo situatë.

Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të madh forcash. Kordoni i parë i ruajtjes së sigurisë do të jetë nga efektivet femra, mënyrë e zgjedhur prej kohësh nga Ministria e Brendshme për të zbutur sa më shumë përplasjet fizike.

Në gatishmëri janë edhe të gjitha forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Burimet thanë se për të siguruar marshimin-protestë të opozitës gjatë së martës në bulevardin kryesor, ky i fundit është parashikuar të qëndrojë i mbyllur nga ora 11:00 deri në 18:00.

Policia e Tiranës njoftoi kufizimin e pjesshëm të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Zogu i Parë”, në Rrugën e Kavajës, atë të Elbasanit dhe bulevardin “Bajram Curri”.

Në njoftimin zyrtar thuhet gjithashtu se ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve, nga sheshi “Skënderbej”, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin “Nënë Tereza”, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura