Basha prezanton kandidatin e Korçës dhe Maliqit: Qeveria po sfidon shqiptarët e BE me kandidatë të inkriminuar

Apr 19, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ndryshe nga prezantimi i Halimit në Tiranë dhe Alibeaj, në Fier, për profesorin Mero, kreu i PD ka zgjedhur një tubim proteste.

Basha me kandidatin e Korces dhe te Maliqit

Basha dje në Korcë, shfrytëzoi serinë e protestave, të nisura pas akuzave të Tom Doshit, për të prezantuar edhe Xhevdet Belishta, si kandidat në Maliq.

Kreu i selisë blu tha para protestuesve: “Korça e kulturës meriton më të mirën, ndaj qytetarët korçarë do të kenë kryetar të ardhshëm të Bashkisë një profesor të nderuar, Gjergji Meron, ndërsa banorët e Bashkisë së Maliqit mjekun e respektuar të qytetit, Xhevdet Belishtën”. Basha u zotua se oferta e re dhe kandidatët e Partisë Demokratike në Korçë e mbarë vendin do të jenë një garanci me kontratën e nënshkruar, për të hapur dyert për qytetarët ndaj çdo halli të tyre dhe të krijojnë çdo lehtësi për mirëqenie.

AKUZAT

Duke folur për kandidatët e maxhorancës, kryetari i opozitës denoncoi lidhjet e shumicës së majtë me krimin, duke përmendur rastin e kandidatit të PS-së për Bashkinë e Krujës, Artur Bushi, i cili është arrestuar për trafik droge.

“Çfarë ka të përbashkët Korça me këtë model, me këtë hibrid të ndërthurjes së krimit me pushtetin, të shitblerjes së votës, të korrupsionit, të babëzisë për të përfituar, të arrogancës, të fudullëkut, të pashpirtësisë e pandjeshmërisë ndaj qytetarëve?! Ku janë sot, a kanë reflektuar pasi gjithë Europa u shokua, u trondit nga inkriminimi kokë e këmbë që i bënë administratës dhe shtetit? A kanë reflektuar pasi mbarë qytetarët e vendit u ngritën në këmbë, në rrugë e në sheshe, kundër krimit dhe sundimit të tij? Aspak! Vendosën të kandidojnë në Krujë një trafikant kokaine, po sfidojnë çdokënd. Kjo është sfidë ndaj jush, ndaj qytetarëve, ndaj partnerëve, ndaj Europës, ndaj Amerikës, ndaj të ardhmes sonë”, tha Basha. 

Basha me kandidatin e Korces dhe te Maliqit

Para protestuesve, Basha ka sulmuar dhe kandidatin e shumicës, Sotiraq Filon, të cilin e quajti “qyqari Filo”. 

“Vijnë këtu me Filo qyqarin, me çirakun që merr paratë që t’ia çojë shefit, që t’ia çojë shefit të tij. Vijnë me të, çfarë i thonë Korçës me Filo qyqarin, i thonë ulni kokat, zbrazni xhepat, jepni votat, mbyllni gojën, sepse mendojnë se mund të blejnë gjithçka me paratë e krimit dhe të korrupsionit. E kanë mirë apo e kanë keq? Gabim e kanë, apo jo? Nuk e blejnë dot shpirtin e korçarëve, nuk e blejnë dot të kaluarën e trafikantëve që kanë në krahë, nuk i blejnë dot gjynahet që kanë bërë me këtë popull. Nuk kemi ndërmend t’i lejojmë, Korça do t’i thotë jo, Shqipëria do t’i thotë jo”, u shpreh Basha.

Brahim Shima 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura