Protesta e opozitës, Ministria e Brendshme: Kushdo që cënon rendin nesër…

Jan 26, 2018 | 21:04
SHPËRNDAJE

Ministria e Brendshme ka bërë të ditur sot se Policia ka hartuar një plan masash së bashku me misionet partnere për protestën e nesërme të opozitës.

xhafaj2

Në një njoftim për mediat bëhet e ditur se me urdhër të ministrit Xhafaj, ekspertë të huaj do të punojnë me policinë për monitorimin e katër orëve të protestës së opozitës, të thirrur nesër në orën 12.00.

Por në të njëjtën kohë Policia bën të ditur se do të veprojë sipas ligjit ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë.

DEKLARATA

Policia e Shtetit, në komunikimin e saj zyrtar, ka bërë sot publike masat e marra në kuadër të mbarëvajtjes së protestës së nesërme, mbi bazën e kërkesës së bërë nga Partia Demokratike.

Ministria e Brendshme, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe njëherazi mbështet punën e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në zbatimin me korrektësi të ligjit, pavarësisht dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj saj në disa nga këto tubime.

Me kërkesën e Ministrit të Brendshëm, hartimi i këtij plani masash është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit. E gjithë veprimtaria e Policisë, ditën e nesërme do të asistohet dhe monitorohet, gjithashtu, nga ekspertë të huaj, të cilët janë atashuar pranë Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të mbështesin Policinë e Shtetit në ushtrimin e detyrës së saj dhe të distancohen nga individët me mendësi e prirje të dhunshme.

Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit. Në të njëjtën kohë, ajo do të veprojë sipas përcaktimeve ligjore ndaj kujtdo që cënon rendin dhe sigurinë dhe do t’i përballë ata me ndëshkimin e duhur ligjor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura