Protesta e fermerëve ndaj paketës fiskale, reagon Ministrja e Bujqësisë: Jam takuar me ta! Jemi në të njëjtin kah dhe nuk ka nevojë të dialogojmë përmes mediave

Nov 18, 2021 | 13:28
SHPËRNDAJE

Frida-Krifca-ministrja-BujqësiseMinistrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka reaguar për herë të parë në lidhje me protestën e fermerëve të Myzeqesë dhe kërkesat e adresuara prej tyre ndaj paketës së re fiskale.

Ministrja bën me dije se institucioni që ajo drejton ka qenë në një dialog të vazhdueshëm me fermerët dhe thekson se të dyja palët janë në të njëjtën barrikadë dhe jo në barrikada përballë.

Krifca theksoi se pretendimet fiskale të fermerëve janë adresuar në buxhetin e vitit 2022, qëllimi i të cilit është rritja e produktivitetit në bujqësi që do të thotë dhe rrjedhimisht më shumë të ardhura për fermerët.

“Unë jam në dialog të vazhdueshëm me fermerët. Që përpara protestës që ju e keni parë në media, kam qenë në Lushnjë, jam takuar pikat e grumbullimit, me eksportuesit dhe fermerët. Dialogu ka qenë i vazhdueshëm me fermerët dhe nuk ka munguar asnjëherë. Sot përpara se të vija në mbledhjen e qeverisë isha në një serë.

Ata kanë disa pretendime për fiskale të cilat janë të adresuara mjaft mirë në buxhetin e vitit 2022, që vijnë si masa direkte mbështetëse për fermerin dhe rritjen e produktivitetit në Bujqësi. Çka është dhe objektivi i kësaj qeverie, për të siguruara më shumë të ardhura për fermerët.

Nuk jemi në krah të kundërt të barrikadës, jemi në një barrikadë për të krijuar një Bujqësi që i reziston sfidave të kohës. Jemi në të njëjtin kah dhe nuk ka nevojë të dialogojmë përmes mediave”, tha Krifca.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura