Protesta e duhur

Dec 10, 2015 | 11:43
SHPËRNDAJE
Agron Gjekmarkaj
Agron Gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ

Protesta e djeshme e opozitës ofron një sërë leximesh. Ajo u bë dëshmitare e një pakënaqësie që zien prej kohësh për rezultatet e qeverisjes me numrat dhe qëndrimin në bulevard. Po ashtu, mund të interpretohet si një pikë kthese e marrëdhënies së opozitës me shoqërinë.

Të hënën u themelua opozita e Lulzim Bashës. Populli iu përgjigj thirrjes së tij në masë të konsiderueshme. Një gjë spikati mbi gjithçka tjetër. Dëshira për t’u përballur me arrogancën. Forma e zgjedhur ishte në limitet demokratike e ndoshta, në ndonjë rast, ato u tejkaluan, por jo aq sa për të merituar termin vandalizëm. Gjithsesi, opozita shqiptare e cila, me sa duket, po vetëtërhiqet në një stinë protestash, e ka jetike distancimin dhe paralizimin e çdo akti dhune, qoftë edhe thyerjen e xhamave vetmitarë. Më shumë sesa zhurma e forcës, i duhet forca e frymëzimit dhe konsekuenca e vazhdimësisë së protestës demokratike e qytetare.

Prej kohësh bunkeri në qendër të Tiranës, i cili më shumë sesa vepër arti mund të merret si estetizim i krimit dhe vetizolimit komunist, pat ngjallur zemërim, sidomos te shtresa e të persekutuarve politikë. Kryeministri, i cili shpeshherë zgjedh sfidat në vend të dialogut, e vendosi atë përballë Teatrit Kombëtar, ndonëse më e nevojshme dhe e kërkuar është të ndërtohet një teatër kombëtar sesa një bunker, meqenëse në vend kemi 750 mijë të tillë. Ai zgjodhi pikërisht bunkerin, mbase për ta natyralizuar dhe familjarizuar me brezat që nuk e jetuan diktaturën, duke ia tjetërsuar simbolikën. Nostalgjia e Ramës për bunkerët është e hershme.

Duket se e ka të zorshme të ketë një tjetër projektim për vendin e tij. Vite më parë, në Francë, një bunker mbushur me zhele shfaqej si Shqipëria e kohës, si arti i tij personal, ndërsa tani, kohën dhe gjykimin mbi të duket sikur e mbyll në bunker. Artisti Kryeministër dhe Kryeministri artist e kanë jetike të c’bunkerizohen. Vrimat që u hapen nga protesta mbi të, le t’i pendorë si dylbi për të vrojtuar të qeverisurit e vet. Ky gjest insistues, ky shpenzim parash për një bunker, u lexua si arrogancë, e cila u fry, u trash, u bë e shëmtuar edhe me zbulimin e listës së dekorimit të qindra personave, instrumente të Sigurimit të Shtetit dhe diktaturës komuniste.

Ndaj dje, Edi Rama pa t’i sulmohej tepria e tij, loja ambige me simbolet, shkeljet e syrit ndaj së kaluarës, regjimi dhe blloku, izolimi i qeverisë në këtë strehë si refuzim për t’i sintonizuar me realitetin. Natyrisht, nëse ky ekzekutiv do të kishte suksese të pamohueshme, ndoshta pakkush do të merrej me bunkerin, ndoshta edhe protesta nuk do të bëhej vetëm për t’i dhënë frymëmarrje politike opozitës, por janë problemet e shumta të përditshmërisë që i nxorën njerëzit në sheshin e protestës.

Ata me vetëpërmbajtje, zemërimin e tyre nën kërshërinë e ambasadorit gjerman ia derdhen një mase betoni, një simboli të urryer dhe jo institucioneve, siç ka ndodhur në të kaluarën. Pse jo duhet thënë që edhe forcat e rendit patën një sjellje korrekte, të cilat kërkuan të evitojnë përplasjet dhe jo t’i nxisin ato. Ajo masë e madhe njerëzish duhet të merret seriozisht nga qeveria, për të zëvendësuar arrogancën me një qeverisjeje më të mirë. Para detraktimit, sulmit, fyerjes, Rama duhet të zgjedhë reflektimin. Një burrë shteti, nëse ndihet i tillë, e ka detyrim e nevojë si frymëmarrjen. Inati dhe instinkti i të refuzuarit janë frustrime që më shumë se atë mund të penalizojnë vendin. Rama duhet të kuptojë se shqiptarët jetojnë keq dhe qeverisen edhe më keq.

Në këtë mjerim, arroganca është simfoni funebre. Ai është në kohë për ndryshuar dhe ndier se kjo nuk është protestë e paguar, as thjesht e opozitës, por e qytetarëve të zakonshëm e të zhgënjyer të këtij vendi. Mund të quhet Protesta e duhur një akt emancipimi i shqiptarëve dembelë, siç i quan shefi i ekzekutivit, të cilët, për një moment e lanë mënjanë përtacinë mendore dhe fizike dhe ia behën në kryeqytet për t’i kërkuar llogari për hallet dhe brengat e tyre.

Nga ana tjetër, si lexim i fundmë, më vjen të them se edhe opozita duhet ta marrë vesh se kujtesa nuk është aq e shkurtër. Nuk duhet t’i fyejë me të njëjtat figura, ndaj të cilëve për të njëjtat arsye që protestojnë sot kundër Ramës votuan kundër në 2013. Zemërimi i tyre nuk duhet parë si mbështetje për të rikthyer shpërdoruesit e PD-së në pushtet. Të gjithë janë në kohë për të bërë leximin e duhur dhe për të rënë dakord se ajo ishte protesta e duhur jo rastësisht më 8 dhjetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura