Protesta e 6 dhjetorit do zhvillohet para Kryeministrisë. Policia refuzon kërkesën e Berishës për tubimin: Përbën rrezik për sigurinë kombëtare

Nov 26, 2022 | 7:44
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME

Pasi pak ditë më parë zbuloi orën 12:00 të 6 dhjetorit për protestë, dje lideri demokrat tregoi edhe vendin ku do zhvillohet tubimi. Sipas Berishës, vendi do të jetë para Kryeministrisë, pasi sipas tyre është Kryeministri përgjegjësi kryesor për çdo anomali që funksionon në Shqipëri.

“Aty ku është në traditën e opozitës, përpara Kryeministrisë Edi Rama dhe ajo ndërtesë është gjenerator i të gjitha këtyre të zezave që përjetojnë shqiptarët. Aty do të jetë qendra e protestës.

Natyrisht, po punohet për një skenar nga grupe specialistësh dhe përpiqemi që populli shqiptar të përfaqësohet në mënyrën më dinjitoze. Zëri i tij të dëgjohet dhe të ushtojë. Jo vetëm në Tiranë dhe te përfaqësuesit e nderuar të vendeve anëtare të BE-së, por në mbarë botën”, tha dje Berisha.

Ndërkohë, kritikëve për datën e protestës, e cila përkon edhe me samitin e BE me vendet e Ballkanit që do zhvillohet në Tiran, Berisha iu përgjigj duke falënderuar Komisionin Europian, që pak ditë më parë deklaroi se duhen respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërkohë, Berisha u zotua se ndërkombëtarët do të mirëpriten nga protestuesit pasi problemi i tyre është kryeministri.

“Kam një falenderim të përzemërt për Komisionin Europian, përfaqësinë e tij. Në deklaratën e djeshme u dëshmuan shqiptarëve se ata vijnë këtu për mbështetjen e popullit shqiptar. Vijnë këtu për mbështetjen e demokracisë në Shqipëri dhe natyrisht vijnë këtu, kanë përzgjedhur Tiranën, gjë që është shumë e drejtë edhe për qëllimet e tyre gjeostrategjike.

Thirrja dhe kërkesa që liritë dhe të drejtat e qytetarëve të respektohen ishte përgjigjja më e shkëlqyer që mori Edi Rama dhe tellallët e tij, të cilët me reagimin e tyre të tmerruar nga protesta të krijonin përshtypjen se në këtë vend, se në Tiranë nuk po mblidhen kryeministra dhe presidente të vendeve të lira, të zgjedhur me votën e lirë, por po mblidheshin diktatorë të gjithë botës dhe kjo mori përgjigje përfundimtare në deklaratë.

Sikundër, garantoj dhe siguroj se PD vendosmërisht, përcaktohet për një tubim, i cili ka synim më madhor paraqitjen më dinjitoze dhe civile dhe ka pa diskutim në konsideratë të plotë garancinë e sigurisë së miqve që vijnë, respektin e hekurt dhe rigoroz të rregullave të mirëpritjes shqiptare”, tha Berisha.

MBËSHTETJA NGA META

Ndërkaq, Berisha u shpreh se për protestën e 6 dhjetorit kishte mbështetje plotësisht të Metës, ndërkohë që ftoi edhe aleatët e tjerë e veçanërisht qytetarët që ta konsiderojnë 6 dhjetorin si një mundësi të artë për t’u dëshmuar liderëve evropianë për problemet në Shqipëri.

“Plotësisht! Në perceptimin tim, në ndjesitë e mia, kjo është thirrja që është mirëpritur më shumë nga qytetarët në tërë karrierën e Sali Berishës. Pse e gjeni vetë! Aleatët janë të mirëpritur. Ftesa ime është për të gjithë aleatët dhe popullin opozitar. Çfarë vendimi marrin, ajo është në tagrin e tyre.

Por ne ftojmë të gjithë qytetarët që konsiderojnë kauza të drejta, që konsiderojnë shndërrimin në ‘boat-people’, në kombin e gomoneve të vijnë aty dhe të protestojnë. Të protestojnë, sepse ka një problem këtu që të jemi realist. Është e vërtetë që jemi më të varfrit, por e vërteta është se sot, dy herë kemi qenë në historinë e ‘boatpeople’.

Kemi qenë në ‘91- shin dhe sot. Ama, sot të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë minimumi 30 herë më të mëdha sesa ishin 31 vite më parë”, tha Berisha.

Samiti i BE në Tiranë, Policia refuzon kërkesën e Berishës për protestë

Policia e Tiranës ka refuzuar kërkesën e ish-Kryeministrit Sali Berisha për të zhvilluar protestë në Tiranë më datën 6 dhjetor, në një kohë kur kryeqyteti do të mirëpresë samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Në shkresën e Policisë drejtuar Partisë Demokratike thuhet se në kuadër të këtij samiti në vendin e njoftuar për mbajtjen e protestës janë marrë masa për ruajtjen e sigurisë dhe çdo organizim i tillë përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Më poshtë theksohet se Policia është e gatshme për të organizuar mbarëvajtjen e çdo tubimi jashtë këtij perimetri.

Perimetri i sigurisë, i njoftuar nga Policia

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në bulevardin “Bajram Curri”, përfshirë sheshin “Nënë Tereza”.

Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri te kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.

Rruga “Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.

Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”,

rruga “Faik Konica”,

rruga “Skerdilajd Llagari”

Rruga “Papa Gjon Pali II” në gjithë gjatësinë e saj,

rruga “Asim Zeneli”,

rruga “Themistokli Germenji”,

rruga “Mustafa Matohiti”,

rruga “Jul Variboba”,

rruga Fatmir Haxhiu”.

Rruga “Ismail Qemali”,

nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rrugova”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura