Protesta e 11 Shkurtit, Berisha mbledh grupet e punës në selinë blu: Po përballemi me një armik të opozitës dhe votës së lirë. Ka kryer akte kriminale

Feb 3, 2023 | 19:29
SHPËRNDAJE

Ish kryeministri Sali Berisha ka mbledhur në selinë blu grupet e punës dhe kryetarët e degëve të Tiranës për të nisur përgatitjet për protestën e thirrur nga opozita në datën 11 Shkurt.

Berisha deklaroi gjatë fjalës së tij se përpara kanë një armik të egër të votës së lirë, opozitës dhe demokracisë. AI u shpreh se Rama nuk njeh asnjë kufi apo akt moral në përpjekjet e tij për të dëmtuar opozitën.

“Së pari ju përshëndes të gjithëve ju këtu dhe të gjithë anëtarët e PD të forumit rinor, të lidhjes së gruas demokratike, të gjithë mbështetësit dhe simpatizantët tanë në Tiranë. Duhet të ritheksoj edhe njëherë këtu para jush se ne përballemi me një armik të egër të votës së lirë të opozitës, demokracisë dhe pluralizmit.

Kemi përballë një njeri i cili siç dëshmuan për çdo shqiptar zhvillimet e fundit, nuk njeh asnjë kufi, asnjë moral, asnjë normë në përpjekjet e tij për të shkatërruar opozitën shqiptare. Aktet e tij janë ndër aktet më kriminale. Ai që në vitin 2017 pasi futi në xhep mandatin e dytë u tha shqiptarëve se tani do u tregoj unë si do qeveris. Do qeveris pa opozitë. Një opozitë e cila kishte humbur zgjedhjet. Nuk mjaftonte kjo. Ajo nuk mund të tolerohej. Ajo duhet të shkatërrohej. Duhet të zhdukej dhe për të këtë qëllim duhet të angazhonte organizatën më të fuqishme të planetit, FBI-në. Duhet të korruptonte një nga dy tre njerëzit më të rëndësishëm të kësaj organizate për të manipuluar apo për të hetuar.

Këto do i thotë drejtësia por qëllimi i vetëm ishte për të marrë peng kryetarin e opozitës. Këtë akt e kryejnë vetëm armiq të betuar të demokracisë, idealeve demokratike dhe parimeve demokratike. Nuk e kryen kurrë një njeri që beson në vlerat e demokracisë dhe sistemin demokratik. McGonigal doli në pension por operacioni apo farat e mbjella me atë operacion vazhduar deri në vitin 2021. Lulzim Basha i paditur për larje parash ra në mëshirën e Edi Ramës që i mbylli dosjen”, deklaroi Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura