Protagonistja në filmin “Sex, përrallë dhe celular”: Aroma e fëmijërisë që më çoi drejt teatrit

Dec 26, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Po të jesh në gjendje t’i lexosh ca shenja, për atë që do të jesh në të ardhmen, vijnë që nga fëmijëria e parë. Gjithë ç’do të bëhesh, mund të jetë e fshehur brenda një arome me të cilën ke jetuar dikur. Do të jesh pikërisht në kërkim të saj, për të plotësuar veten, sado që, në mënyrë krejt të pavetëdijshme.

Eglantina Ceno
Eglantina Ceno

Aktorja Eglantina Ceno, në kuptimin e parë të fjalës, ka jetuar në një skenë teatri, për 7 muaj me radhë. Atëherë ishte vetëm një fëmijë kopshti dhe as që mund të thurte ëndrra me aktorë për të ardhmen por, një “dorë” tjetër po e bënte këtë për të. Pakkush si ajo ka pasur rastin të jetojë brenda një qendre kulturore. Ca të tjerë, edhe t’ua thuash, nuk krijojnë dot as përfytyrime.

Eglantina, ose Egla, siç i flasin ca të tjerë, ende sot vazhdon të jetojë me ato imazhe. Nuk ka pasur rastin më parë të tregojë për këtë. Jo se është aktore e re dhe mediat tani kanë nisur t’i shkojnë pas, jo!

Brezi i saj i aktorëve, po bëhen sot, shtylla e atyre pak teatrove që kemi. Eglantina do të ishte me siguri mes tyre dhe ju do ta njihnit më shumë, nëse nuk do të kishte ndjekur gjithnjë instinktet e saj.

Sot, një pjesë e mirë e juaja e ka parë nëpër të gjitha kinematë e Tiranës, për të vijuar më pas edhe në rrethet e tjera ku, për fat, gjenden kinematë. “Sex, përrallë dhe celular” është filmi komedi ku Ceno është një nga protagonistet. Për kaq pak kohë sa ka në Tiranë, pas kthimit nga Italia, nuk se e keni parë rrallë.

E sigurt është që do ta shihni edhe më shpesh, në të ardhmen. Sepse aftësitë aktoriale duken thuajse gjithnjë edhe jashtë një roli. Mprehtësia në portret, pavarësisht se je duke biseduar se me sa sheqer është optimalja e kakaos, jep për ty të dhëna të tjera. Shihni mes përgjigjeve, do ta shihni edhe vetë!

Të mos ishte për filmin “Sex, përrallë dhe celular” nuk do t’ju njihnim ende, ndërkohë që kolegët moshatarë po bëhen sot ndër emrat kryesorë të teatrit…
Unë kam pak më tepër se një vit që jam kthyer nga Italia, pas një kohe shumë të gjatë largimi.

Foto nga filmi “Sex, përrallë dhe celular
Foto nga filmi “Sex, përrallë dhe celular

Ishit larguar duke i shkëputur të gjitha lidhjet, sepse jashtë jetojnë edhe të tjerë, por vijnë për bashkëpunime, heraherës…
Ishin bërë thuajse 12 vite që nuk isha kthyer asnjëherë, pas ikjes. Në këtë kohë kaq të gjatë, patjetër që lidhjet shkëputen, edhe të duash t’i mbash.

Nuk kishit askënd këtej për të cilin të ktheheshit?
Jo, përveç nënës, asnjë arsye tjetër. Edhe atë, sa herë më merrte malli, e merrja andej, me kohë të tëra.

Kur dëgjon raste si ky, të duket se ai që e ka bërë, ka ikur i zemëruar o i inatosur me gjithë çka lënë, për të mos e kthyer kokën kaq gjatë…
Në përgjithësi, unë nuk e kthej kokën tek ajo që lë pas, shoh ç’më sjell ajo që kam përpara. Nuk ka qenë kështu! Asnjë zemërim. Pas përfundimit të studimeve në Akademi, u largova në Gjermani. Ndieja se doja të bëja gjëra të cilat as momenti e as koha këtu nuk t’i jepte.

Ose mua nuk më mjaftonin. Në vitin e tretë të studimeve, prej një pedagogu artesh gjerman që erdhi në Tiranë për një workshop, kisha marrë propozimin për t’i transferuar studimet andej, në një shkollë artesh në Essen të Gjermanisë. Herën e parë nuk pranova, por një vit më pas, e telefonova për ta pyetur nëse oferta ishte ende e vlefshme.

Studiova atje një vit Body Theatre, por nuk u mësova dot plotësisht as me gjuhën e as me vendin. Italia ishte më miqësore për ne ato vite. U transferova atje. Së pari në një provincë të Katanias e më pas në një provincë të Torinos.

Për të bërë çfarë? A kishit një ide në kokë?
Asnjë ide, asnjë projekt. Të mos kisha moshën që kisha, ndoshta nuk do ta ribëja, sepse është e guximshme. Megjithatë u përfshiva në teatrot e provincës, që do të thotë trupa private teatrale që vënë pjesë në skenë. Gjithçka funksionon me audicione, kështu që nëse e fiton, është i yti. Nuk mendoj që u bë as Italia pjesë e imja në tërësi.

Mjeti ynë kryesor është gjuha dhe me gjithë perfeksionimin që të bën koha, ajo nuk është gjuha jote. Pastaj, për shkak se banoja në fshatin ku bëheshin xhirimet e serialit “100 Vitrina” dhe isha afër me ta, shpejt u përfshiva edhe në postproduksion, ku punova për gjatë. Për ta mbyllur me Italinë, më duhet të them që teatri i tyre është i vakët, nuk është aq pasionant sa i yni.

Shqipëria, me gjithë pasionet e saj, ishte këtu… Nuk ju shkoi në mendje të rivinit?
Jo, kisha ndërtuar një jetë timen andej, që nuk më shkëpuste dot.

Pastaj, befas, erdhe!
Po, dhe ishin përsëri arsyet personale që më bënë të kthehesha.

Po aktore, çfarë ju nxiti të bëheshit?
Ka qenë e thënë të ishte kështu! Im atë ishte operator dhe nga Berati ku jetonim, na transferuan dikur në Poliçan. Në pritje që të gjendej një banesë për familjen, na vendosën për 7 muaj të jetonim brenda Qendrës Kulturore të qytetit. Përditë, për të shkuar në kopsht, kaloja përmes skenës së teatrit.

Meqenëse nuk është as e prekshme e as konkrete, aromat duket sikur humbasin, por unë kam kërkuar pikërisht atë erë në çdo skenë ku kam shkelur. Nëse nuk më ngjante me të sajën, nuk ishte asnjëherë e kënaqshme deri në fund. Nga ana tjetër, isha e pranishme vazhdimisht në punët e tim eti.

Pra, ishte vendosur në heshtje që do të bëheshe aktore dhe kaq? Po nga pikëpamja interpretative, a kujdesej njeri të ju shquante ndonjë tipar?
Jo, nuk ka qenë e vendosur jo. Unë isha aty dhe kaq, shikoja si punonin, jetoja me ta. Kisha qenë gjithnjë vajza e shkollës që përfshihet në të gjitha aktivitetet, por as kjo nuk më bënte të ndihesha e aftë për t’u bërë aktore. Madje, në një pikë të jetës, pikërisht kur mbarova gjimnazin dhe im at u nda nga jeta, mendova që as nuk do t’i vijoja studimet e larta.

E gjendur edhe psikologjikisht e rënduar, me mendimin në kokë që tashmë nuk isha e bija e askujt e për të ardhur në Tiranë kjo e fundit duhej patjetër, hoqa dorë edhe nga mendimi. Por, nëse gjërat janë për t’u bërë, do të bëhen. Ime më, më nxiti drejt sfidës dhe unë u ringrita. Erdha në Tiranë, studiova për dy muaj programin, e bindur që gjithçka ishte e kotë, dhe as që e besova kur më thanë se kisha dalë e para.

A patët ndonjë përvojë aktoriale për t’u përmendur, përpara largimit?
Po, bashkë me një grup studentësh dhe regjisorin Altin Basha krijuam atëherë kompaninë e parë teatrale, “Oaz”. Them që kemi bërë punë mjaft të mira, vumë disa shfaqje nëpër të gjithë Shqipërinë, morëm pjesë në festivale, por nuk pati jetëgjatësi.

Ju është dashur shumë për të rivendosur lidhjet në Tiranë, pas kthimit?Njerëzit të harrojnë lehtë…
Unë nuk kam bërë asgjë për t’i kujtuar. 4 ditë pas ardhjes sime në Tiranë, më telefonuan për të më propozuar një rol te shfaqja “Shkërdhata me kapele”. Ai ishte bashkëpunimi i parë pas kthimit me Teatrin Kombëtar.

Po në këtë mësoj që më kishin përzgjedhur në Itali, për serialin “Status”, që nuk i ka nisur transmetimet. Kisha bërë audicion që kur isha atje dhe kisha fituar. M’u desh të udhë- toja sërish për xhirime deri sa erdhi filmi “Sex, përrallë& celular”.

Tani, do të qëndroni këtu apo do zhvendoseni befas diku?
Them që do të jem këtu.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura