Propozimi për dyfishimin e gjobës për mosdeklarim real të pagave: Kontabilistët: Masë arbitrare, nuk ul informalitetin

Jun 16, 2022 | 10:30
SHPËRNDAJE

pagat-euro-768x433Propozimi për rritjen e masës së gjobës nga 100% në 200% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për mosdeklarimin e punonjësve dhe fshehjen e pagës konsiderohet nga ekspertët arbitrare dhe nuk redukton informalitetin.

Ndryshimi në ligjin “Për procedurat tatimore” që përcaktojnë dyfishimin penalitetit te subjektet e regjistruara me përgjegjësi tatimore të TVSH-së dhe tatimfitimit që nuk deklarojnë apo fshehin pagat e punonjësve u prezantua për konsultim publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Kontabilisti Armand Mala tha për “Monitor” se në rast se masa e penalitetit vendoset më e lartë se detyrimi cenon “kushtetutën” tatimore dhe rrit presionin te bizneset për paga më të ulëta. Mala vlerëson se ulja e taksave do të rriste vetëformalizimin e bizneseve.

“Puna në të zezë vazhdon të mbetet një problem, megjithëse vitet e fundit dukshëm është ulur shumë numri i të punësuarve të padeklaruar. Por ndërkohë deklarimi i pagës reale vazhdon të mbetet një problem. Mosdeklarimi i pagës reale nuk është domosdoshmërisht një privim që punëdhënësit iu bëjnë punëmarrësve. Në shumë raste janë dhe vetë punëmarrësit ata që në këmbim të një page më të lartë neto bëjnë kompromis fare lehtë për nëndeklarim të pagës. Por rritja e penaliteteve nuk besoj që është zgjidhja për një problematikë të tillë.

Së pari, është e pakuptimtë që gjoba të jetë më e lartë sesa detyrimi, cenon në thelb “kushtetutën” tatimore. Së dyti, një presion apo reprezalje e tillë në një situatë delikate në të cilën ndodhen bizneset mund të çojë në ekuilibër të ri të pagave. Bizneset nuk mund të përballojnë të vetme koston e shtuar si rezultat i deklarimit real të pagave, normalisht mund të ushtrojnë presion për paga më të ulëta. Është për t’u çuditur fakti sesi në asnjë moment nuk konsiderohet ndonjë zbutje e barrës fiskale për sa u përket pagave që t’i shtyjë bizneset drejt vetë-formalizimit, por synohet vetëm nëpërmjet instrumentit të gjobave. Bizneset prej vitesh konfirmojnë që nuk është aspak kënaqësi për ta mosdeklarimi i pagave reale, por është situata ajo që e imponon diçka të tillë”, veçoi ai.

Të njëjtën qasje pohon edhe audituesi ligjor Sokol Toska. Sipas tij rritja e masës së gjobës nuk do të ndikojë te ulja e informalitetit, nëse nuk ndryshon situata e administrimit tatimor. “Masa e gjobës edhe në ligjin aktual është e lartë. Nuk ndryshon situata me informalitetin nëse fillimisht nuk ndryshon qasja e administratës. Duket si aksionet e mëparshme. Një dallgë 2 javore dhe do të shuhet”, tha ai.

Në relacionin e projektligjit thuhet se nga analizat e realizuara nga administrata tatimore rezultojnë se për 3 vitet e fundit (2019, 2020, 2021), për biznesin e madh janë vendosur: 1,025 gjoba për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehja e pagës, me një vlerë prej 142,336,266 lekë.

“Edhe pse në kushtet e fatkeqësive natyrore si tërmeti dhe pandemia, administrata tatimore ka qenë më e kufizuar nga kontrollet/verifikimet fizike në terren, përsëri vihet re një numër i lartë i shkeljeve që lidhen me mosdeklarimin e punonjësve dhe fshehjen e pagës. Për pasojë, propozimi vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish. Ashpërsimi i penaliteteve, synohet të ndikojë në reduktimin e këtyre shkeljeve, mbrojtjen e individëve të punësuar si dhe pasqyrimin real në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, citohet në relacionin e draftit.

Drafti

Neni 1

Në piken 3, të nenit 119, “Mosdeklarimi i punonjësve dhe fshehja e pagës”, të ligjit nr.9920, datë 19.05.20008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ndryshohet si vijon:

“3. Nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi, si rezultat i marrëdhënies së punësimit, tatimpaguesi-punëdhënës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimit tatimor dhe kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritur për gjithë periudhën që provohet se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën:

a. 200 për qind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi dhe TVSH dhe,

b. 100 për qind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura