Propozimi i ri, Lera: Profesionistët e vetëpunësuar të shërbimeve do të trajtohen me taksim progresiv

May 17, 2022 | 22:11
SHPËRNDAJE

dy-punesim-768x564Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur hartimin e ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat që parashikon funksionimin e një sistemi të ri taksimi për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime.

Drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale, Niko Lera tha për “Monitor” se të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime, (që nuk shesin mallra, por ofrojnë shërbime) pasi t’u zbriten të gjitha shpenzimet dhe pasi t’u njihen të gjitha lehtësitë fiskale në fuqi do të trajtohen me normë tatimi si të punësuarit.

Lera nënvizoi se ndryshimet synojnë adresimin e deformimeve që kanë lindur nga shmangia e detyrimeve tatimore, ku të punësuar që trajtohen me taksë progresive nga 13 deri në 23% kanë dalë nga listëpagesat, duke u regjistruar si të vetëpunësuar.

“Sistemi i ri parashikon që të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime, profesionet e lira, do të trajtohen njëlloj si të punësuarit me pagë. Nga të ardhurat e tyre do të zbritet çdo shpenzim që ata realizojnë, do të dalë fitimi neto, nga fitimi neto do t’i zbriten edhe përfitimet që ka individi i punësuar, si taksim zero për pagat deri në 40,000 lekë. Fitimi neto pas çdo zbritje që do t’i bëhet do të taksohet, siç taksohet çdo i punësuar. Pra norma e tatimit për këtë kategori do të jetë 0% për të ardhurat deri në 40,000 lekë, 13% nëse të ardhurat mujore janë deri në 150,000 lekë dhe 23% për shtesën e tyre”, veçon z. Lera.

Drejtori i përgjithshëm i politikave fiskale tha se në grupin e parë të ligjit për tatimin mbi të ardhurat që janë të punësuarit taksimi nuk ndryshon, te grupi i dytë për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime njëlloj si i punësuar do të trajtohen bashkë, grupi tjetër janë individët tregtare që do të vazhdojnë me taksë zero, grupi i katër janë ata individë që investojnë në bono thesari apo obligacione do të vazhdojnë të trajtohen në të njëjtën mënyrë, pra nuk ka ndryshime.

“Për individët tregtarë si të vetëpunësuar që kanë një bar-bufe, kafe, restorant të vogël apo market do të vazhdojnë ta gëzojnë taksën zero deri në 2029, pasi këto struktura nuk janë domethënëse për sistemin tatimor dhe janë burim punësimi”, veçon ai.

Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikohet t’i propozohet FMN për t’u përjashtuar nga taksimi i ri një listë me profesione, si: berberi, estetiste manikyri, parukiere, murator, elektricist, hidrauliku, që ofrojnë shërbime, por që në fakt janë biznese të hapura për publikun.

Drafti i ri do të përfshijë edhe konceptin e taksimit për dhuratat në të holla dhe të trashëgimisë në të holla me normë 15%.

Nga taksimi do të përjashtohen dhurimet dhe trashëgimitë brenda familjes. Ndërsa të ardhurat nga lojërat e fatit që aktualisht taksohen me 15% do të vazhdojnë të taksohen me të njëjtën normë./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura