PROPOZIMI I PD/ Zbulohet neni i Kushtetutës që i ndërpret mandatin deputetëve të inkriminuar

Mar 26, 2015 | 20:00
SHPËRNDAJE

Zbulohet draft-neni kushtetues kalimtar që i ndërpret mandatin deputetëve të inkriminuar.

Oerd Bylykbashi

‘Panorama Online” ka siguruar propozimet e PD mbi amendamentet kushtetuese me fuqi të përkohëshme, për procesin e dekriminalizmit. Në propozime thuhet:

“Neni 73, 

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur”, thuhet në Kushtetutë.

Në propozimet e PD thuhet: “1. Kryerja me dashje e një vepre penale apo thyerja e Kushtetutes sipas nenit 70, pikat 3 dhe4, para bërjes së betimit të deputetit është në kundërshtim me këtë betim. Mandati i deputetit të legjislaturës gjatë së cilës kjo dispozitë hyn në fuqi, mbaron menjëherë kur konstatohet se deputeti është dënuar për jo më pak se një vit me vendim përfundimtar të formës së prerë për kryerjen e një krimi me dashje apo ka shkelur nenin 70 pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës, në periudhën njëzet-vjeçare që i paraprin bërjes së betimit nga deputeti i kësaj legjislature.

2. Kjo dispozitë i shtrin efektet e saj vetëm mbi deputetët e legjislaturës gjatë së cilës dispozita hyn në fuqi dhe i përfundon efektet e saj me mbarimin e kësaj legjislature.

3. Me hyrjen në fuqi të kësaj dispozite, deputetët vetëdeklarojnë nën betim para Kuvendit nëse janë dënuar me vendim përfundimtar të formës së prerë për një krim të kryer me dashje apo për shkelje të nenit 70 pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës, para bërjes së betimit sipas nenit 72 të Kushtetutës.

Pas hyrjes në fuqi, Kuvendi miraton menjëherë në Rregulloren e tij, formulën e betimit të deputetit dhe procedurat e verifikimit në zbatim të këtij neni”.

Draft neni kushtetues kalimtar për ndërprerjen e mandatit

Ky draft mban emrat e deputetëve Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi dhe Gent Strazimiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura