Propozimi i ish-ministrit Ilir Beqaj: Të bëhet pushim e premtja dhe e hëna

Jul 10, 2020 | 10:29
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka propozuar që në dy apo tri fundjava të bëhet e premtja dhe e hëna pushim për administratën. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste tha se për shkak të trafikut të krijuar në fundjavë, duhen riparë pushimet e administratës në mënyrë që të shmanget ngarkesa në gusht.

“Unë do të sugjeroja që të shikohet mundësia që e njëjta shumë financiare t’u ofrohet klientëve me paketë turistike shqiptare. Këtë vit kemi mundësinë që edhe ato hapësira shqiptare të pavizituara, veçanërisht ato që kanë dalë shumë në pah falë programit të rilindjes urbane dhe rilindjes rurale, të mund të vizitohen nga të gjithë. Fakti që u bë e 3-ta javë që ka ngarkesë, do të thotë që shqiptarët po lëvizin.

Ndaj i kërkoj qeverisë që nga sot deri më 14 shtator kur fillon shkolla, janë dhe 9 javë, të mund të marrë në konsideratë që në dy ose tri fundjava ta bëjë ditë pushim edhe një të premte dhe një të hënë, për t’u dhënë mundësi njerëzve për më shumë alternativa, të mos mbivendosemi të gjithë në gusht kur dhe cilësia e shërbimit bie, kështu të mund dhe të çlodhemi edhe të ndihmojmë ekonominë.

Nëse nga sot për 9 javë mund të shpallen tri fundjava, nga e premtja në të hënë, pra, janë 4 ditë pushimi, njerëzit mund të fillojnë që sot të programojnë punët e tyre dhe prenotimet”, tha Beqja. Ish-ministri i Shëndetësisë u ndal edhe në kriteret e caktuara sa i takon hapësirës që marrin hotelet dhe resortet. Sipas tij, hotelet duhet nuk duhet të marrin më shumë çadra nga sa kanë dhoma. Hapësira e mbetur duhet t’u jepet subjekteve të tjera në mënyrë që përfitimet të mos i takojnë vetëm një grushti njerëzish.

“Ka një problem që lidhet me trajtimin e ri të plazheve sivjet. Plazhet janë një e mirë publike e kufizuar, por mund të merret në konsideratë fakti që nëse e kanë të garantuar hapësirën e plazhit para tyre hotelet, më duket e pakuptimtë që nëse një hotel ka 20 dhoma të marrë 30 çadra, 10 çadrat e tjera do t’i shesë për klientë të tjerë. Kjo e mirë publike e kufizuar mund të përdoret në mënyrë të barabartë që edhe hapësirat e tjera të mos përdoren nga hotelet, por nga subjektet e tjera”, shtoi Beqja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura