Propozimi francez, pas vetos ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Oct 31, 2019 | 13:39
SHPËRNDAJE

GENC BURIMI genc-burimi-2

Më shumë se dhjetë ditë pas vetos franceze kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vala e “shock”-ut që shkaktoi një vendim i tillë i Presidentit Makron, duket sikur ende s’ka përfunduar. Një gjë është e qartë: Franca po shfaqet totalisht e izoluar në skenën europiane në këtë dosje dhe termi “gabim historik” është dëgjuar në gojët e shumë zyrtarëve të lartë europianë apo liderëve në Europë, nga vendet baltike deri në Itali, duke kaluar nga Gjermania dhe vendet e Europës Qendrore.

Në këtë shkrim, do ftoj lexuesin shqiptar, që është edhe më i prekuri, t’i konsiderojë gjërat me distancën e nevojshme, larg emocioneve legjitime të shkaktuara nga “jo”-ja franceze.

NUK ISHTE FRANCA E VETMJA QË E BLLOKOI SHQIPËRINË

“Jo”-ja ndaj Shqipërisë nuk ishte vetëm një “jo” franceze. Franca shokoi më pak për “jo”-në ndaj Shqipërisë sesa ndaj Maqedonisë së Veriut, pasi kundër Shqipërisë veton e kishin hedhur dhe Spanja, Holanda dhe Danimarka.

Franca nuk pati asgjë të veçantë në këtë dosje shqiptare.

Parisi u dallua si i vetmi kryeqytet që i tha “jo” Maqedonisë së Veriut.

Kjo e vërtetë mbase nuk ka shumë rëndësi tani, por ajo duhet thënë.

Dhe kur europianët e tjerë e fajësuan Francën se po i hapte me veton e saj rrugën influencës ruse apo kineze, serish është Maqedonia e Veriut, sllave dhe me gjeopolitikë të luhatshme, që nënkuptohet dhe rrezikohet, pasi Shqipëria, ashtu si Kosova, njihen tashmë si zona influence të padiskutueshme të amerikanëve, ku rusët dhe kinezët nuk kanë as më të voglin shans në gjendjen e fobisë së “pashërueshme”, që ekziston te populli shqiptar dhe klasa politike shqiptare ndaj Moskës dhe Pekinit.

THELBI I PROPOZIMIT FRANCEZ PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Së dyti, duhet pranuar një e vërtetë tjetër në lidhje me Francën dhe kjo është vërtet e rëndësishme. Franca nuk do ta lërë pa e kompensuar veton ndaj këtyre dy vendeve me një iniciative pozitive, tek e cila Makron beson sinqerisht.

Diplomatët francezë shtrojnë një problem logjik. Kush është i aftë të kuptojë sot sesi është gatuar procesi i negociatave? Dihet se janë nja 35 kapituj që duhen negociuar, por ky proces që ka zënë pluhur është bërë shumë opak, i paqartë, i palexueshëm. Ç’do të thotë të hapësh negociatat, kur ato s’mund të përfundojnë kurrë? A s’qe ky rasti me Turqinë? Atëherë, pyet diplomacia franceze, përse të mos e themi copë, që procesi i negociatave mund të mos çojë detyrimisht në anëtarësim. Imagjinoni që një ditë, në Shqipëri, mund të ketë një Erdogan apo Putin në fuqi? Afërmendsh, që vendi, edhe po të ketë përparuar në negociata, s’mund të integrohet. Franca kërkon, pra, që kjo klauzolë të figurojë.

Ashtu siç Franca kërkon që edhe Traktati i famshëm i Romës, i cili themeloi BEnë dhe nuk parashikoi qartë dëbimin e një vendi që heq dorë nga parimet e demokracisë, pra, edhe dokumentet themelore të BE-së të rishikohen nën këtë këndvështrim.

Por, le të rivijmë te Shqipëria, Maqedonia e Veriut, të cilave Franca ua bllokoi hapjen e negociatave, por dhe te Serbia dhe Mali i Zi, të cilat i kanë hapur tashmë negociatat.

Franca thotë, po ashtu, se nuk është logjike që këto negociata të zgjasin me vite. Procesi duhet të modernizohet, të bëhet më i shpejtë, në të mirë të këtyre popujve dhe në fund t’u thuhet po ose jo.

Madje, më mirë akoma, sipas Francës, mund të jemi dhe më mikpritës si europianë ndaj këtyre vendeve.

Aktualisht, gjatë procesit të negociatave, që zgjat një ose dy dekada, vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm presin dhe presin.

Por, propozon Franca, kjo gjë mund të reformohet dhe vendet që janë në negociata “të hyjnë” para kohe në BE, të marrin pjesë në tryezat e ndryshme të BE-së, në Komisionin e BE-së, në buxhetin e BE-së, por ama të mos kenë të drejtë vetoje, gjë që është normale për aq kohë sa nuk janë bërë anëtare. Ky është një propozim vizionar dhe revolucionar, që askush nga vendet europiane, të cilat duket sikur hedhin lot sot për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk do kishte pasur guximin ta bënte.

Sigurisht, të gjitha këto lëvizje po bëhen në nivele diplomatike dhe ende politikisht nuk ka një propozim publik të formalizuar nga ana e Parisit sepse për momentin po i merret mendimi i partnerëve europianë. Ideja është që po u gjet konsensusi në bazë të këtij propozimi francez, pra, për një kohë negociatash më të shkurtër për vendet e Ballkanit Perëndimor, për “integrim” në BE të këtyre vendeve që gjatë fazës së negociatave, por pa të drejtë vote në vendimmarrjen europiane, dhe për një proces negociatash, që mund të përfundojë me po ose me jo, pra, nëse arrihet konsensus mbi këto pika në javët e muajt e ardhshëm, mund të shohim fare mirë që në samitin BE-Ballkan Perëndimor, i cili do të mbahet në Zagreb në pranverën e ardhshme, Franca dhe të gjitha vendet e tjera të BE-së të pranojnë me unanimitet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për 2020.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura