Pronësia intelektuale, ndahen çmimet për studentët

Apr 25, 2015 | 13:33
SHPËRNDAJE

Në prag të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, Ministria e Kulturës, ajo e Arsimit në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industris ë zhvilluan dje konkursin final me studentë të disa universiteteve, të cilët testuan njohuritë e marra në fushën e të drejtave të autorit. 

Dje gjatë konkursit mes universiteteve mbi pronësinë intelektuale

Ishte Universiteti “Luarasi” që çeli siparin e këtij aktivieti të nisur përpara disa ditësh, një konkurs brenda univeritetit për të shpallur dy studentët më të mirë që do të përaqësonin universitetin në konkurs. Në aktivitetin mes disa universiteteve shtetërore e tyre publike, spikatën studentët e Universitetit “Luarasi”, që ndryshe nga të tjerët, kanë pasur fatin që konceptet e pronësisë intelektuale e të drejtës së autorit t’i mësojnë falë një lënde me zgjedhje në universitet nga pedagogë të certifikuar në këtë fushë. 

Aktiviteti i djeshëm vjen dhe në kohën kur qeveria dëshiron të implementojë një ligj të ri për pronësinë intelekuale dhe të drejtat e autorit dhe njohja e të rinjve me këto koncepte konsiderohet si hapi bazë për zbatimin e kësaj të drejte. Për këtë, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës po zhvillon një fushatë të gjerë me qëllim që një lëndë e tillë të futet në kurrikul, në të gjitha ciklet mësimore, duke nisur që në arsimin 9- vjeçar.

Për këtë, Universiteti Luarasi” ka përgatitur terrenin më herët, duke lidhur disa marrëveshje, çka do të jetë një mundësi e artë për formimin e studentëve dhe të ardhmen e yre. “Deri më tani, studentë të Universitetit ‘Luarasi’ kanë ndjekur disa trajnime për të drejtën e autorit duke u pajisur dhe me certifikatat përkatëse”, bën me dije Altin Maliqi, pedagog në Departamentin e të Drejtës Civile dhe Tregtare në Universitetin “Luarasi”.

Por jo vetëm kaq. Ky Universitet ka lidhur një memorandum bashkëpunimi me Dhomën Kombëtare të Tregtisë duke u dhënë mundësi studentëve të marrin pjesë në trajnimet që organizon ky institucion kundrejt një tarife gati të përgjysmuar që do të shoqërohet me certifikatën përkatëse. Ndonëse Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale është nesër, aktivitetet nga Zyra për të Drejtat e Autorit kanë nisur një muaj më parë, nëpërmjet takimeve me grupet e interesit.

“Përveç veprave artistike, me rëndësi të veçantë janë markat dhe patentat të cilat konsiderohen si pronësi intelektuale”, shpjegon pedagogu Maliqi. Së shpejti, një përfaqësues nga ky universitet do të ketë fatin të trajnohet për të drejtën e pronësisë intelektuale në Bashkimin Europian. “Sapo të implementohet ligji i ri, Ministria e Kulturës do të licencojë disa agjenci. Shpresojmë që studentët tanë të jenë të parët që do të ftohen për të punuar në këto institucione”, theksoi Altin Maliqi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura