Pronat/ Skema e kompensimit rrëzohet në Strasburg, zbulohet dokumenti i Avokaturës së Shtetit

Feb 21, 2018 | 12:15
SHPËRNDAJE

Strasburgu nuk njeh skemën e re të kompensimit që qeveria ka nisur të zbatojë pas miratimit të ligjit të ri, dy vite më parë.

Avokatja e Shtetit, Alma Hicka
Avokatja e Shtetit, Alma Hicka

Vlerësimi që ATP ka nisur të kryejë, duke u bazuar në zërin kadastral të origjinës së pronës, është një metodë, e cila duket se nuk ka gjetur aprovimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kjo e fundit, vazhdon që në vendimmarrjet e saj t’i përmbahen së njëjtës formulë, duke vlerësuar trojet me zërin kadastral aktual dhe duke aplikuar çmimet për metër katror, të miratuara në 2008-n. Për më tepër, qeveria dështoi edhe në objektivin e vendosur për kthimin pas të çështjeve që janë depozituar për gjykim në Strasburg.

Mekanizimi i zgjedhur nga shteti shqiptar për trajtimin e dosjeve të pronave, nuk ishte bindës për GJNDNJ, sa kohë kjo e fundit vijon të marrë çështje në gjykim. Këto dëshmohen indirekt edhe në shkresën që Avokatura e Shtetit ka dërguar në adresë të ministres së Drejtë- sisë, Etilda Gjonaj.

“Panorama” zbardh përmbajtjen e letrës, e cila vjen si reagim pas kërkesës për informim të depozituar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

LETRA

Sipas Avokates së Shtetit, Alma Hicka, aktualisht, fatura që rëndon në buxhet është rreth 4.4 milionë euro. Ndërkohë, janë 224 çështje në shqyrtim pranë kësaj gjykate, për të cilat Hicka pohon se nuk ka informacion dhe se çdo vlerë përcaktohet rast pas rasti.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj

“Kosto aktuale për vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, për të cilat ka detyrim shteti shqiptar është një total prej 4.417 500 eurosh. Aktualisht, shtetit shqiptar i janë komunikuar dhe janë në shqyrtim pranë kësaj gjykate 224 çështje. Vlera financiare e pretenduar nga kërkuesit për 103 çështje, të cilat janë klasifikuar, sipas çështjeve pilot ‘M.Puto kundër Shqipërisë’ dhe ‘Luli dhe të tjerë kundër Shqipërisë’, është 822 364 481 euro, ndërsa për çështjet e tjera kjo vlerë përcaktohet rast pas rasti në momentin kur palët paraqesin kërkesat e tyre për shpërblim të drejtë”, thuhet në dokumentin që Hicka i ka dërguar ministres Gjonaj.

fax

Interesimit sesa prej vendimeve janë ekzekutuar, Avokatura e Shtetit i është përgjigjur se një gjë e tillë është jashtë kompetencave të këtij institucioni.

“Për sa i përket planit të punës apo të pagesave më lidhje me këto çështje, ju bëjmë me dije se një kërkesë e tillë nuk është në kompetencë të Avokaturës së Shtetit për t’u trajtuar”.

FATURA

Që në projektim të draftit të ri të pronave, qeveria Rama ka synuar, që nëpërmjet formulës së re, të mundësonte kthimin për shqyrtim në vendin tonë të të gjitha dosjeve që presin të gjykohen në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut presin aktualisht të gjykohen 396 raste. Pranimi nga ana e GJEDNJ i këtij projektligji si ‘mjeti i brendshëm efektiv’ për zgjidhjen e kësaj problematike, do të shmangë një kolaps buxheti të pritshëm për shtetin shqiptar, për shkak të dëmshpërblimit të lartë që shteti do paguaje për çdo vendim”, theksohet në një raport të Agjencisë së Pronave, i cili është dërguar në Kuvend në kohën kur diskutohej ligji i ri, gati tri vite më parë.

Aktualisht, janë 396 raste të paraqitura për gjykim në Strasburg, të cilat do ta zhysnin vendin në kolaps nëse do të shqyrtoheshin. Mbi 1 miliard dollarë do të ishte fatura që do të rëndonte mbi buxhetin e shtetit në tri vitet e ardhshme, nëse Strasburgu nuk njeh ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”.

Ka qenë kreu i Financave, Arben Ahmetaj, ai i cili ka bërë publike shifrën. Ahmetaj e cilësoi çështjen e pronave si një nga risqet më të mëdha për ekonominë dhe buxhetin, një gropë financiare që do t’i rëndonte çdo taksapaguesi shqiptar.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura