Pronat, qeveria do ndajë 28 milionë USD për gjyqet. FMN: Rrezikohet buxheti

Mar 17, 2015 | 14:26
SHPËRNDAJE

Vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të ish-pronar- ëve do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 28 milionë dollarë ose të paktën kaq ka planifikuar qeveria të ndajë në 2015-n.

Qeveria shqiptare, mbledhje

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Financave sqaron edhe shifrat që janë paguar vit pas viti për ish-pronarët dhe nga ana tjetër, faktin që po kërkohet një zgjidhje përfundimtare për këtë problem.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë kërkuar vit pas viti gjetjen e një zgjidhjeje me një formulë të pranueshme kompensimi, çka do të ndalte ish-pronarët të trokasin në dyert e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.

Mungesa e kësaj zgjidhjeje e vë në risk buxhetin, pasi ashtu sikurse shprehet edhe vetë qeveria në programin e saj ekonomik 2015-2017, Gjykata e Strasburgut mund të fillojë shqyrtimin e disa dosjeve të reja të pronave dhe vendimi mund të jetë njëlloj si i pari, që ka detyruar shtetin të paguajë shuma të majme.

FINANCAT

“Në vitin 2015, deri ditën e sotme, janë shlyer rreth 6.902.000 lekë dhe mbeten për t’u shlyer: një vendim në shumën 8.1 milionë euro ose 1.143.470 mijë lekë, i parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Financave për vitin 2015 dhe një vendim tjetër në shumën 650.000 lekë, i cili është në proces. Për të gjitha rastet e tjera, që mund të miratohen nga kjo gjykatë, në buxhetin e shtetit të vitit 2015 janë parashikuar 2 miliardë lekë”, thuhet në njoftimin e Financave.

Në total rezulton që për vitin 2015 të jenë programuar 3.2 miliardë lekë apo gati 28 milionë dollarë që do të shkojnë për ish-pronarët që kanë fituar gjyqet me shtetin. Ministria bëri dje transparente edhe shumat që janë paguar vit pas viti nga viti 2005 deri në 2014. Kështu, në vitin 2005 janë shlyer rreth 16 milionë lekë, në vitin 2007 rreth 3.5 milionë lekë, në 2008 gati 131 milionë lekë e kështu me radhë për të arritur në 543 milionë lekë në 2014-n.

LIGJI

Qeveria ka pranuar se deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare në vend, çështjet në Gjykatën e Strasburgut mund të përbëjnë problem serioz për buxhetin. Ministria e Financave bëri me dije se tashmë është ngritur një grup ndërministror që po punon pikërisht për dhënien fund të situatës duke ndryshuar ligjin themelor që lidhet me kompensimin dhe formulën që zbatohet.

“Qeveria shqiptare, duke vlerësuar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave si një çështje tepër të rëndësishme dhe me kosto të konsiderueshme, ka krijuar një grup pune ndërministror, i cili po përgatit një plan masash për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, duke krijuar një bazë të besueshme për qytetarët dhe institucionet ndërkombëtare, me qëllim që të mos ketë kosto të papritura dhe të papërballueshme për buxhetin e shtetit”, thuhet në njoftimin e Financave.

FMN Fondi Monetar Ndërkombëtar, në rishikimin e dytë dhe të tretë të programit që ka me qeverinë shprehej se risku fiskal që vjen nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut është i lartë dhe duhet të adresohet shpejt. Këtë më pas e përforcoi edhe zëvendësdrejtori menaxherial në FMN, Min Zhu, i cili pas miratimit të 58 milionë eurove si pjesë e marrëveshjes që vendi ka me Fondin, vuri theksin te çështja e kompensimit.

“Angazhimi i qeverisë për të forcuar qëndrueshmërinë e borxhit që reflektohet në buxhetin e 2015-s është i mirëpritur. Do të jetë e nevojshme që të adresohen risqet fiskale që rrjedhin nga pretendimet për kompensimin e pronave dhe nga stoku i lartë i investimeve të pabuxhetuara”, do të shprehej Zhu.

Nertila Maho 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura