Pronat, qeveria borxh 45 milionë USD, ja ku do të shkojnë paratë

May 3, 2015 | 13:35
SHPËRNDAJE

Qeveria ka trokitur sërish në derën e Bankës Botërore për një kredi të re prej 45 milionë dollarësh, e orientuar në një projekt që lidhet me pronat.

Ministri i Financave Cani dhe përfaqësuesja e BB, Sayed

Në një dokument të bërë publik nga banka, shpjegohen edhe objektivat që do të ketë ky projekt nëse merr aprovimin nga Bordi Ekzekutiv, edhe pse fazën e parë të konceptimit e kaloi. Projekti i Menaxhimit të Integruar të Tokës vjen si një propozim i ri pas mbylljes së një tjetër projekti pak a shumë të ngjashëm, siç ishte ai LAMP.

OBJEKTIVAT

Qeveria shqiptare në kërkesën e saj për financim jep shkurtimisht gjashtë objektivat që do të ketë projekti i ri. Kështu, së pari do të bëhet një regjistrim dixhital i pasurive të paluajtshme, i cili do të krijojë një sistem të plotë, të sigurt dhe të qartë. Një nga problemet që jo në pak raste ka ngritur Banka Botërore ka qenë pikërisht ngërçi me pronat ku ka mbivendosje dhe që shpesh bëhet edhe pengesë për investime. E dyta në listën e objektivave është përmirësimi i strukturës institucionale që do të shkojë paralelisht me sistemin e ri. E treta është lehtësimi i burokracive për shitjet dhe blerjet e pasurive të paluajtshme. Projekti parashikon që ky tregues të matet nga mesatarja e ditëve që duhen për të përfunduar një procedurë të tillë. Po kështu do të duhet që të bëhet edhe një përafrim i legjislacionit dhe praktikave me ato të BE-së. E pesta, ndoshta dhe një ndër më të rëndësishmet, është krijimi i bazës për një taksim të ri mbi pronën, i përfolur aq shumë që do të krijojë një qëndrueshmëri fiskale. Këtë e kemi dëgjuar nga qeveria edhe në formatin e kadastrës fiskale, e cila do të jetë një bazë të dhënash për pasuritë e paluajtshme që do të taksohen në bazë të vlerës së tyre reale dhe jo me vlerë fikse sipas metrave katror. I njëjti projekt do të mbështesë edhe aplikimin e këtij shembulli përmes zbatimit për herë të parë të projekteve pilote në disa bashki.

TAKSA E RE

Projekti i propozuar për miratim pranë Bankës Botërore përfshin katër komponentë të rëndësishëm, mes të cilëve edhe pjesën e taksimit të pronës sipas një modeli të ri. Kjo pjesë lidhet direkt me komponentin 3 të projektit, i titulluar “Vlerësimi dhe taksimi i pronës”. Ky komponent do të mbështesë vendosjen e një sistemi vlerësimi dhe taksimi më eficient dhe transparent të pronës. Veprimet nën këtë komponent do të përfshijnë edhe sisteme vlerësimi pilot bazuar në standardet ndërkombëtare të vlerësimit në bashkitë e përzgjedhura për aplikim. Komponenti mund të ndikonte dhe në përforcimin e kapaciteteve qeverisëse lokale për të faturuar dhe mbledhur të ardhurat nga taksa e pronës dhe për të siguruar kalimin e informacionit përmes përdoruesve të ndryshëm institucionalë”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Banka Botërore.

PRAKTIKA

Në thelb duket se projekti i ri do të funksionojë sipas atij paraardhës LAMP. Në dokument thuhet se qytetarëve u lihej një afat 30- ditor për shpalljet publike të listave të pronave dhe më pas secili bënte edhe veprimet për verifikimin. Projekti i ri do të jetë një vazhdim i të parit, madje praktika do të jetë më e detajuar për të çuar deri në fund një herë dhe mirë qartësimin e pjesës së titujve të pronësisë dhe hedhjen dixhitale të shumicës së dosjeve.

Nertila Maho

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura