Pronat, Qato: Rivlerësim financiar për 26 mijë dosjet

Nov 19, 2015 | 15:20
SHPËRNDAJE

Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, deklaroi dje se me miratimin e projektligjit të ri, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, do të merren në rishqyrtim 26 mijë dosje të pronarëve, pronat e të cilëve u konfiskuan nga regjimi komunist.

Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato
Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato

Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve të nismës së Ministrisë së Drejtësisë, Qato tha se vendimet e marra nga AKKP, apo komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, nuk do të prishen, por për to do të bëhet rillogaritja e vlerës së pronës që u takon të marrin ish-pronarët.

“Ky projektligj merr në konsideratë 26 mijë vendimet që kemi konstatuar sot zyrtarisht në këtë proces. Këto vendime, që janë përfundimtare dhe janë të pandryshueshme, do t’i nënshtrohen vetëm vlerësimin ekonomik për sa i përket vlerës sa kushtojnë pronat. Pra nuk do të ketë rishqyrtim të vendimeve. Ne hyjmë vetëm në një proces administrativ për shkak vetëm të llogaritjes së vlerës ekonomike, një e drejtë që çdo pronar, sot në vitin 2015, ka të drejtë ta dijë se sa lekë apo sa tokë të fondit fizik pret nga shteti shqiptar”, tha dje drejtoresha e AKKP-së.

Por ky projektligj është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kanë theksuar se me këtë vendim “goditen në ballë” vendimet e Gjykatës së Strasburgut. “Ju thatë që kompensimi do të bëhet me çmimet e kohës së diktatorit Hoxha, ndërkohë që Strasburgu jep dëmshpërblimet me miliona euro. Edhe vendimi i fundit është 5 milionë euro. Pse duhet të votojmë një ligj që u bie mu në ballë vendimeve të Strasburgut?! Një pjesë e pronarëve dhe Manushaqe Puto, e kanë marrë kompensimin me çmimin e vitit 2015, ndërkohë që me ligjin e Ramës qytetarët duhet të kompensohen me çmimet e vitit ‘45″, tha dje Eduard Halimi.

FORMULA E RE

Formula e re që parashikon ligji ndryshon thelbin e vlerësimit të pronës, pra zërin kadastral të saj. Të gjitha pronat do të vlerësohen sipas zërit kadastral që kanë pasur në momentin e konfiskimit nga regjimi komunist. Në nenin 6 të ligjit është vendosur ndryshimi. Kështu, në rast se një tokë e konfiskuar në vitet e komunizmit ka qenë jashtë vijës së verdhë të qytetit dhe sot është brenda saj, vlera e saj do të llogaritet sipas zërit kadastral në kohën e konfiskimit.

Pra, në këtë rast, si tokë jo pjesë e qytetit. Por, në ligj të paktën është vendosur që çmimi i saj të mos jetë ai i kohës së komunizmit, por i sotmi. Si referencë do të merret çmimi i sotëm, i zonës më të afërt jashtë qytetit. Kështu një ish-pronar, që ka një tokë të konfiskuar me sipërfaqe 1000 m2, në periferi në Tiranës, kur është shpronësuar, ajo ka qenë një tokë bujqësore, ndërsa sot, për shkak të zgjerimit të qytetit, është tokë truall. Me ligjin e ri parashikohet që llogaritja e kompensimit të mos bëhet me çmim si tokë truall (siç është sot), por me çmim si tokë jashtë qytetit, pra siç ka qenë në kohën e konfiskimit.

Çmimi i tokës jashtë qytetit do të merret ai aktual, i përcaktuar nga qeveria për zonat jashtë qytetit. Kështu, në rast se si tokë truall ish-pronari do të kompensohej me 20 mijë lekë për metër katror, si tokë jashtë vijës së verdhë do të kompensohet me 5 mijë lekë për metër. Pra vlera e pronës do të shënojë rënie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura