Pronat në bregdet, Qeveria “ngrin” çmimet. Rritje vetëm për Ksamilin e Vlorën

Feb 8, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Çmimet e pronës përgjatë vijës bregdetare, në pjesën më të madhe të tyre nuk kanë njohur rritje, duke mbetur në të njëjtat vlera ashtu si edhe një vit më parë.

Pronat-bregdetReferuar hartës së re të çmimeve të trojeve, vihet re që toka në këto zona do të kushtojë thuajse njësoj. Qeveria ka shpërfillur tendencën e tregut duke i çmuar këto hapësira me të njëjtën vlerë pavarësisht rëndësisë së tyre.

Kështu në brigjet që lagen nga deti Jon, konkretisht në Qeparo, Himarë, Orikum, Radhimë, Palasë, Dhërmi dhe Sarandë, çmimet për metër katror të pronës nuk kanë ndryshuar.

E njëjta tendencë vërehet edhe në Veri, ku në Shëngjin vlera do të vijojë të jetë edhe këtë vit 3435 lekë/m2. Në këtë trajektore mbetet edhe qyteti bregdetar i Durrësit në pjesën më të madhe të tij.

RRITJA

Në tabelën përbri janë të listuara edhe vlerat e reja të tokës, të ballafaquara me çmimet e aplikuara përgjatë 2015. Çudia këtë vit vjen nga skaji jugor i vendit. Qyteti i Ksamilit ka shënuar një rritje me thuajse 50 për qind.

Nga 1225 lekë që ishte, ka shkuar në 2560 lekë vlera për metër katror. Pas nuk ka mbetur edhe qendra e Vlorës, si edhe Durrësi, të cilët po ashtu janë shtrenjtuar në raport me një vit më parë.

Përkundrejt kësaj, në hartën e re vihen edhe re edhe zona të cilat kanë njohur ulje. E tillë është Lezha, ku çmimi nuk ka ruajtur vlerën e para një viti, duke regjistruar zbritje me gati 20 për qind.

PRONARËT

Rëndësia e kësaj harte është e madhe sepse i shërben skemës së kompensimit të pronarëve të shpronësuar. Masa e tyre e përfitimit për tokën që u është konfiskuar llogaritet mbi bazën e këtyre vlerave.

Ndaj, sa më të volitshme të jenë çmimet, aq më e lartë është masa e përfitimit dhe e kundërta. Me miratimin e ligjit të pronave, i cili pritet të hyjë në fuqi, ka ndryshuar edhe formula mbi bazën e të cilës do të bëhet llogaritja e kompensimit.

Është e vërtet që zëri kadastral do të jetë ai që ka pasur toka në momentin e konfiskimit, por çmimet që do të aplikohen do të jenë këto të sotmet.

Tabela e vlerave të reja do të shërbejë si referuese jo vetëm për procesin e kompensimit të familjeve që janë shpronësuar në diktaturë, por edhe atyre, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale.

Nga ana tjetër, ata që legalizojnë objektin kanë interes për çmime të reduktuara, sepse vetëm kështu ulet detyrimi financiar që ata kanë në ngarkim.

TABELA

Tabelat-Cmimet

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura