“Pronat me çmim tregu do kushtonin 8 miliardë USD”

Jan 28, 2016 | 14:20
SHPËRNDAJE

Nëse pronarët do të kompensoheshin me çmimet e tregut, fatura që do të kishte në ngarkim shteti do të ishte 800 miliardë lekë, ose thënë ndryshe 8 miliardë dollarë. Shifra u zbulua nga drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, në kundërpërgjigje të vendimit të Presidentit Bujar Nishani, i cili pak ditë më parë njoftoi se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri të pronave.

Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato
Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato

FATURA Gjatë një takimi me gazetarët, Qato tha se, nëse toka do të vlerësohej me zërin kadastral aktual, do të duheshin 800 miliardë lekë, një shifër gati e papërballueshme për buxhetin e shtetit. Por formula e miratuar me ligjin e ri e redukton këtë vlerë duke ulur rrjedhimisht edhe masën e përfitimit për pronarët. Kështu, me skemën e miratuar do të nevojiten 200 miliardë lekë, pra 4-fish më pak për të kompensuar financiarisht 26 mijë vendime të formës së prerë.

“Fatura e kompensimit, mbështetur në zërin kadastral aktual të pronave dhe në çmimet përkatëse të hartës së vlerës që ka qenë në fuqi në vitin 2014 shkonte 800 miliardë lekë, ndërsa fatura e kompensimit, bazuar në zërin kadastral në momentin e shpronësimit kap vlerën 200 miliardë lekë.

Në këtë kuptim, kjo shifër ishte e papërballueshme dhe rekomandimi i dhënë në vendimin pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” thoshte se vendi, brenda një afati të arsyeshëm dhe përmes një shpërblimi të drejtë, duhet të merrte masa për ta përmbyllur procesin e kompensimit të pronave”, tha Qato. Formula e gjetur bën pikërisht këtë. Rivlerësimi i pronave në bazë të zërit kadastral që kanë pasur në momentin e konfiskimit ul ndjeshëm faturën financiare, duke mos rënduar shumë në arkën e shtetit. Nga ana tjetër, bën të mundur mbylljen e një kapitulli që në 23 vite ka mbetur në udhëkryq.

Vetë drejtoresha e AKKP pranoi se kjo zgjidhje nuk është më e mira e mundshme, por ama është opsioni që mund të përballohet pa e zhytur vendin në kolaps. “E dimë të gjithë që ky nuk është ligji më i mirë. Ligji më i mirë do të ishte ai që do të kompensonte pronarët me vlerën që toka ka sot. Por kjo do të ishte e pamundur. Me këtë formulë u përpoqëm të japim një zgjidhje të mesme”, u shpreh më tej Qato.

LIGJI Lidhur me argumentet e Presidentit Bujar Nishani, i cili e cilësoi antikushtetues ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit”, drejtoresha e Agjencisë së Pronave tha se pretendimet e parashtruara nga kreu i shtetit nuk qëndrojnë. “Sipas relacionit të Presidentit, ligji i ri i pronave është super antikushtetues dhe nuk kishte asgjë që të përputhej me Kushtetutën brenda rregullimeve që ka bërë. Unë kam për detyrë të sqaroj se këto pretendime nuk qëndrojnë. Nuk cenohet parimi i sigurisë juridike. Ne, nëpërmjet këtij ligji do të bëjmë vetëm vlerësimin ekonomik të 26 mijë vendimeve të dhëna, gjë e cila do të na japë një çmim që duhet ta paguajmë”, tha më tej Qato.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura