Pronat dhe 64 udhëtime jashtë vendit, në dyshim rikonfirmimi i gjyqtarit Islamaj

Nov 18, 2018 | 7:30
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU / Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, duhet të presë edhe një muaj që të mësojë nëse do të rikonfirmohet në detyrë me vendim të formës së prerë ose jo.

edmond islamaj

Kjo, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur ditën e premte që të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për riçelje të hetimit administrativ për disa prona të patundshme të gjyqtarit. Komisioneri Publik, në seancën e së hënës, dorëzoi argumentet e tij se përse hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte i cunguar në disa aspekte të pasurisë së gjyqtarit.

Në të njëjtën seancë, gjyqtari Islamaj, që qe i pari nga Gjykata e Lartë që u rikonfirmua në detyrë nga KPK-ja, dorëzoi dokumentet e veta për të provuar të kundërtën. Në mënyrë që të shqyrtoheshin edhe këto dokumente nga ana e Kolegjit, seanca u shty për ditën e djeshme. Komisioneri Publik, i përfaqësuar nga Dariel Sina dhe Florian Ballhysa, tha se u qëndronte të njëjtave pretendime si në seancën e parë.

Pas tokës në bregdet, Komisioneri Publik u përqendrua edhe në udhëtimet e panumërta jashtë vendit të gjyqtarit, duke ngritur dyshime për mbulimin e shpenzimeve me burime të ligjshme. Në këto kushte, KPA i kërkoi në seancë gjyqtarit listën e udhëtimeve të kryera prej tij, por një kërkesë të tillë Islamaj e konsideroi si të padrejtë, pasi sipas tij, Kolegji nuk mund të kryejë hetime duke administruar prova. “Ju kërkoj ndjesë se e kam harruar, por mund ta gjej dhe ta dorëzoj. Unë i kam paraqitur provat si akte që i shërbejnë procesit. Mendoj që Komisioneri duhet të shprehet nëse e bindin ose jo provat, pastaj gjykimi të vendosë. Kolegji i Apelimit nuk ka karakterin e KPK dhe nuk mund të mbledhë prova të reja. Kërkesa e Komisionerit Publik është e pabazuar në ligj”, tha gjyqtari para KPAsë. Lidhur me tokën, Komisioneri Publik kërkoi që të hetohej edhe një herë praktika e blerjes dhe legalizimit të saj, si edhe burimet që janë deklaruar për ta blerë atë.

edmond islamaj 2

“Kjo sipërfaqe ndodhet disa 10 metra larg detit dhe është në një zonë strategjike. Pretendojmë se Kolegji duhet të hetojë në këtë pasuri, duke marrë dokumentacionin e plotë për origjinën e kësaj prone. Si ka kaluar nga shtet, në private dhe deri sa ka arritur te subjekti. Nisur nga vlerësimi ynë, duhet të verifikohet nëse kemi të bëjmë me shitje për fshehje të pasurisë. Pasi me një kërkim të thjesht online, vlera e shitjes në këtë zonë shkon deri në 25-fishin, e vlerës së blerjes reale”, tha Komisioneri Publik. Më tej, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pranuar të kryejë hetim edhe për 3 prona të bashkëjetueses së gjyqtarit.

Nga deklarimet, rezulton se ajo e ka fituar kontratën e shitblerjes, në vitin 2001, por kjo pasuri, sipas Komisionerit, nuk është deklaruar deri në vitin 2004. Ndërkohë, edhe për dy pasuri të tjera në pronësi të bashkëjetues, sipas vlerësimit të Komisionerit nuk është bërë një hetim, i cili do të bindte. Në fund, KPA u tërhoq në dhomë këshillimi për rreth 5 orë, ku pranoi ankimin e Komisionerit Publik, duke e konsideruar të drejtë pretendimin se nuk janë bërë hetime të thelluara, në lidhje me pasuritë e përmendura nga Komisioneri Publik në seancën e 12 nëntorit. Ndërkohë, trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesi Luan Daci, relator Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, lajmëroi në fund se, seanca e radhës do të mbahet në datën 11 dhjetor.

Pronat dhe udhëtimet jashtë vendit, në sitën e KPA-së

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranoi dje kërkesën e Komisionerit Publik për hetim të mëtejshëm për pasurinë kullotë, 1000 metra katrorë në Kavajë të gjyqtarit Islamaj. Referuar Komisionerit, burim i krijimit të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat nga paga ndër vite, ndërsa ajo që ishte konsideruar si e çuditshme, është fakti se shitësi e ka blerë këtë pronë në 2015, një muaj para se t’ia shiste Islamajt.

Më tej, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pranuar të kryejë hetim edhe për 3 prona të bashkëjetueses së gjyqtarit. Nga deklarimet, rezulton se ajo e ka fituar kontratën e shitblerjes, në vitin 2001, por kjo pasuri, sipas Komisionerit, nuk është deklaruar deri në vitin 2004.

Ndërkohë, edhe për dy pasuri të tjera në pronësi të bashkëjetues, sipas vlerësimit të Komisionerit, nuk është bërë një hetim, i cili do të bindte. Kolegji pranoi të hetojë shpenzimet e udhëtimeve të gjyqtarit. Nga viti 2008 deri në 2016, janë kryer 64 udhëtime jashtë territorit shqiptar, ndërkohë 8 prej tyre janë mbuluar nga Gjykata dhe për pjesën tjetër nuk është hetuar. “Duhet të ruhet i njëjti standard si në raste të tjera, ku është hetuar për mbulimet e shpenzimeve”, tha komisioneri Florian Ballhysa në seancë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura