Pronarët e skafeve dhe “jet skive” protestë në Sarandë: Nëse nuk na japin zgjidhje deri nesër, do hedhim mjetet në det

Aug 11, 2022 | 14:45
SHPËRNDAJE

Pronarët e mjeteve ujore në zonën e Sarandës dhe Ksamilit kanë zhvilluar sërish këtë të enjte një protestë në lidhje me vendimin e autoriteteve për të moslejuar ushtrimin e aktivitetit të tyre ekonomik.

pronaret skafet sarande

Ashtu sikurse dy ditë më parë ata janë mbledhur sërish në ambientet e jashtme të Komisariatit të Kufirit në Sarandë, ku kërkojnë zgjidhje për problematikën e tyre.

“Është dita e dhjetë që po sorollatemi. Vimë çdo ditë këtu dhe kërkojmë një zgjidhje nga Komisariati i Kufirit se na kanë pezulluar në mënyrë të paligjshme. Dokumentet i kemi të sakta dhe tē ligjshme sipas atyre që ka kërkuar ushtrimi i këtij biznesi. Të dalin të na sqarojnë. Ata e dinë shumë mirë që veprimi i tyre është i paligjshëm. Kërkojmë një zgjidhje. Nuk jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, gjendje lufte dhe të pezullohemi. Kërkojmë zgjidhje sot në ditën e dhjetë. Në erdhëm të njoftojmë Komisariatin e Kufirit që nesër mjetet sipas dokumenteve që na ka dhënë kapiteneria dhe të gjitha institucionet ne do t’i hedhim mjetet në ujë. Nëse këta vinë na dhunojnë dhe na sekuestrojnë atëherë do ta çojmë çështjen në Prokurori dhe Gjykatë” tha njeri prej pronarëve Adrian Lame

Ndërkohë pronari tjetër i një mjeti ujor, Ervis Abazi deklaroi: “Ky veprim është antikushtetus. Jemi persona që operojmë me ligje dhe kemi paguar të gjithë taksat. Nëse ju nuk jeni të aftë të na lini në ujë dhe të sigurimi infrastrukturën na ktheni ato lekë që kemi paguar, na ktheni taksat që kemi dhënë dhe ne nuk hidhemi në ujë. Nëse nuk na jepni zgjidhje ne nesër do hidhemi në ujë. Jepini drejtim kësaj çështje të zgjidhet në rrugë ligjore”.

Kujtojmë se mjetet ujore u ndaluan në zonat bregdetare fill pas vdekjes së 7-vjeçares Jonada Avdia, e cila u përplas për vdekje nga një skaf në plazhin e Potamit. Mjeti lundrues drejtohej nga komisari i policisë Arjan Tase.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura