Pronarët, 13 milionë euro në fondin e kompensimit

May 27, 2015 | 14:31
SHPËRNDAJE

Nga përfshirja në proces legalizimi e 60 mijë objekteve pa leje të ndërtuara pas 2009 në tokë shtet dhe tokë me pronarë pritet që të arkëtohen në total 27 miliardë lekë, ose thënë ndryshe 19 milionë euro.

Nga këto, sipas relacionit që shoqëron projektligjin e amnistisë, 15 miliardë lekë do të mblidhen nga pagesa me bono privatizimi. Referuar ligjit të ri, 70% e këtij fondi shkon për pronarët e shpronësuar për efekt të procesit legalizues. Kjo do të thotë që do të jenë rreth 13 milionë euro në total që do të shkojnë në fondin e kompensimit, duke u vënë në dispozicion të tyre.

“Një parashikim i efektit të përafërt në buxhet, i zgjerimit të fushës së zbatimit të ligjit në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, për sa u përket të ardhurave që do të mblidhen, pritet të jetë: 12 miliardë në lekë dhe 15 miliardë në bono privatizimi”, thuhet në relacionin e qeverisë. Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin e legalizimeve, kompensimi i pronarëve të shpronësuar është kryer paralelisht me kalimin e pronësisë në favor të ndërtuesve pa leje. Pra, pasi toka ka kaluar në pronësi të zaptuesit, pronari i shpronësuar ka përfituar kompensimin në masën 57% të vlerës së llogaritur. Ky ka qenë një zotim i kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame.

Ende pa filluar procesi masiv i legalizimit, Lame tha se nuk do të ketë vonesa në dëmshpërblimin e pronarëve. Ato do të kishin mundësi të përfitonin kompensimin menjëherë pasi të ishte bërë kalimi i pronësisë, ku të drejtat i kalonin ndërtuesit pa leje. Ky i fundit do të kishte mundësi të përfitonte tapinë për parcelën ndërtimore që kishte në posedim, ndërsa pronari të merrte paratë si kategori e shpronësuar për efekt të këtij procesi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura