Prona e Teatrit Kombëtar i kalon bashkisë Tiranë! Këshilli i Ministrave publikon vendimin. Çfarë përcaktohet në VKM

Jul 31, 2021 | 10:59
SHPËRNDAJE

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për t’i kaluar Bashkisë së Tiranës, pronën e Teatrit Kombëtar.

teatrit

Vendimi është publikuar një ditë më parë në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe thuhet se prona me sipërfaqe 5 522.7 metër katror i kalon Bashkisë.

Ndërkohë në vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet se Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.

VENDIMI I PLOTË

V E N D I M

PËR

KALIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË PASURISË NR.1/241, TË LLOJIT “TRUALL”, NË ZONËN KADASTRALE 8150, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të shkronjës “d”, të nenit 3, dhe të neneve 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Kalimin, në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
  2. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
  3. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
  1. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

PO CFARE VENDOSI GJYKATA KUSHTETUESE

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur disa javë më parë të shfuqizojë vendimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama për ta kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës pronën e Teatrit Kombëtar, shembja e të cilit acaroi marrëdhëniet e artdashësve me autoritetet shqiptare dhe pati jehonë përtej Shqipërisë për mënyrën se si ishte zbatuar një veprim i tillë.

Gjykata Kushtetuese e vlerësoi veprimin e Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës si antikushtetues dhe kërkoi pezullimin e menjëhershëm të ligjit dhe vendimeve përcjellëse rreth ndërtimit të godinës së re të teatrit, sipas njoftimit të saj.

Gjykata Kushtetuese theksoi se kishte shfuqizuar edhe ligji për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Ky ligj, i cili ka paraparë procedurë të veçantë për vlerësimin, negociimin dhe kontratën për objektin e ri të Teatrit kombëtar, është gjetur në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykata Kushtutuese po ashtu ka gjetur shkelje të Kushtetutës edhe në rrëzimin e kërkesës për të shfuqizuar vendimin rreth shembjes së objektit të Teatrit Kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura