Presidenti i Republikës Ilir Meta nderoi veprimtarin atdhetar dhe koreografin Ramazan Këllezi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”.
Kreu i Shtetit thotë se koreografi Këllezi u vlerësua për kontributin e çmuar për promovimin jashtë vendit të traditave e kulturës sonë kombëtare, në veçanti për ndihmesën e dhënë për edukimin e brezave të rinj të shqiptarëve në diasporë me dashurinë për Atdheun.
“Si koreograf, ai ka përgatitur disa breza valltarësh, duke dhënë një ndihmë të çmuar për promovimin e kulturës sonë, shembull frymëzimi për çdo shqiptar patriot brenda apo jashtë vendit, për të dhënë kontributin personal në promovimin e vlerave, gjuhës dhe traditave tona.
Maestro Këllezi, lindur dhe rritur në Tiranë, në një prej familjeve autoktone tiranase, ka shpalosur gjatë gjithë jetës së tij dashurinë për vallen popullore shqiptare.
Ai ka interpretuar shumë role solistike, duke punuar si mësues dhe drejtor në Shkollën Kombëtare të Baletit, si drejtor i Pallatit të Kulturës ‘Studenti’, si edhe ka realizuar disa krijime koreografike në gjini të ndryshme në spektakle televizive dhe filma shqiptarë.
Përkrah fushës artistike, z.Këllezi, ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në diplomacinë shqiptare me detyrën e tij për disa vite si Konsull pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Romë, por edhe si President i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, që punon dhe promovon interesat e ruajtjes dhe mbajtjes gjallë të kulturës sonë dhe valleve shqiptare.
Vlen të përmendet, që edhe falë punës së tij dhe përkushtimit të tij, Parlamenti i Ontarios miratoi ligjin për shpalljen e muajit nëntor si Muaji i Trashëgimisë së Shqiptarëve në Ontario, një event që tashmë do festohet përgjithmonë.
Ramazan Këllezi, me punën e tij të palodhur dhe pasionin për të promovuar vlerat e traditës sonë kombëtare është një shembull krenarie dhe frymëzimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që të jenë ambasadorë dhe promotorë të vlerave tona më të mira kombëtare, të gjuhës, të flamurit dhe të traditave të mrekullueshme shqiptare”, tha në fjalën e tij Presidenti Meta.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al