Prokuroria tjetër argument kundër gjykatës: Arben Ndoka tregoi targën e makinës së 3 vrasësve ku ishte edhe Frroku

Apr 7, 2015 | 8:05
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të dorëzojë në Apel ankimin kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Arben Ndoka, dëshmitari i ngjarjes

“Panorama” shkruan sot se jozyrtarisht mësohet se prokurorët e çështjes janë duke përgatitur kundërshtimet e tyre në lidhje me vendimin e dhënë nga gjykata javën që kaloi.

Argumenti kryesor i Prokurorisë është qëndrimi i pabazuar i Gjykatës në lidhje me dëshmitarin e mbrojtur, qytetarin me identitet të ndryshuar Arben Ndoka.

Ai ka qenë personi i parë dhe i vetëm që i ka treguar Policisë dhe Prokurorisë targën e makinës BMW që u përdor nga autorët e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj.

“Informacioni për targat e automjetit DR 1944 F është dhënë pak orë pas krimit nga dëshmitari i mbrojtur Arben Ndoka. Në momentin kur makina i kaloi pranë në vendin e ngjarjes, ai ka shënuar targën në celular dhe më pas ia ka thënë këtë gjë gardistit Ylli Memia. Targën dëshmitari ua ka thënë edhe zyrtarëve të Policisë me të cilët komunikoi atë natë, Agron Kuliçaj dhe Tonin Vocaj”, thanë burimet e Prokurorisë.

POZICIONI I DËSHMITARIT
Prokuroria deklaroi në rrugë jozyrtare se në momentin e ngjarjes, dëshmitari i mbrojtur ka qenë rreth 15 metra larg atij që quhet “Klubi i Korçarit”, në të cilin gjendej kamera të cilës i referohet Gjykata kur thotë se “Arben Ndoka nuk duket në pamjet e filmuara”. Dëshmitari ka qenë ngjitur me vendin e ngjarjes dhe aty ku ka kaluar makina. Kjo sipas Prokurorisë është arsyeja se përse kamera e “Klubit të Korçarit” nuk e ka fiksuar dëshmitarin menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi ka qenë në një pozicion të pambuluar nga kamera.

Dëshmitari Arben Ndoka dhe bashkëshortja e tij, sipas Prokurorisë kanë qenë aq afër vendit të ngjarjes, sa që makina e vrasësve për pak sa nuk i ka përplasur të dy dhe nga shpejtësia ka goditur një pjesë trotuari, duke e dëmtuar trotuarin. “Gjatë hetimit është verifikuar pjesa e trotuarit, e cila ishte e prishur, pikërisht në vendin ku ka deklaruar dëshmitari. Pasi kanë parë ngjarjen, dëshmitari i cili ka qenë në vendngjarje është larguar pak metra për të qetësuar bashkëshorten dhe është rikthyer menjëherë”, thekson organi i akuzës.

Sipas Prokurorisë, sapo është rikthyer, dëshmitari ka telefonuar gardistin Ylli Memia, të cilit i ka shpjeguar ngjarjen dhe i ka dhënë targën e makinës. Prokuroria bën me dije se kjo telefonatë është kryer pak minuta pas ngjarjes, gjë e cila provohet nga tabulatet telefonike. “Argumenti i Gjykatës duket i pabazuar, pasi nëse dëshmitari ka qenë më vonë se sa momenti i vrasjes në vendin e ngjarjes, si ishte në dijeni ai të targës së automjetit të vrasësve, të cilën ia ka treguar të saktë gardistit në telefonatën pas ngjarjes, si edhe në takim me oficerët e policisë?”, pyet Prokuroria.

BESUESHMËRIA
Dëshmitari i mbrojtur ua ka treguar ngjarjen zyrtarëve të Policisë Agron Kuliçi dhe Tonin Vocaj në takimin e zhvilluar pak orë më vonë në shtëpinë e gardistit Y.Memia. Fakti që janë takuar te shtëpia e gardistit provohet nga deklarimet e bashkëshortes së dëshmitarit, nga thëniet e Kuliçit dhe Vocajt, por edhe nga tabulatet telefonike, si edhe nga antenat e telefonave, të cilat provojnë faktin se të gjithë këta persona janë takuar te shtëpia e gardistit.

Sipas Prokurorisë, fakti që Gjykata ka thënë në vendimin e saj se dëshmitari ka qenë kontradiktor për vendin e takimit, së pari nuk cenon asnjë nga provat dhe së dyti, mund të ketë qenë tentativë e tij për të shmangur nga pyetja në hetim dhe gjykim të mikut të tij, gardistit Memia. Organi i akuzës thekson se pavarësisht pretendimeve të Gjykatës, provat e administruara, pra deklarimet dhe tabulatet e antenat e telefonisë celulare dëshmojnë faktin se ata janë takuar pak orë pas ngjarjes. TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura