“Prokuroria të hetojë deputetin”, Boçi reagon pas thirrjes së Nikollës: Ajo përgjegjësja që ka degraduar Maturën

Jun 13, 2018 | 18:15
SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit i ka bërë kërkesë prokurisë që të fillojë hetimet ndaj deputetit Luçiano Boçi, pasi ky i fundit denoncoi sot se testi i matematikës për maturantët kishte dalë para disa ditësh dhe jo disa çaste para provimit siç pretendonte ministria në fjalë.

Pas kësaj ka reaguar dhe deputeti Luçiano Boçi, i cili me anë të postimi në facebook shkruan se ministrja ka kohë që është vënë nën akuzë.

“Ministrja e di mirë se është ajo vetë përgjegjësja kryesore si titullare e institucionit, e daljes dhe qarkullimit të testeve të maturës shtetërore. Ministrja mban përgjegjësi të plotë ligjore që testi u fotografua në sallë dhe u shpërnda nëpërmjet telefonit, te ndaluar sipas ligjit”, shkruan ndër të tjera Boçi.

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

Postimi plotë

Ministrja e vënë prej kohësh nën akuzë për grabitjen e të dhënave personale të nxënësve dhe të prindërve për qëllime të ngushta politike, thërret sot në ndihmë prokurorinë për interesa personale.

Në detyrën si ligjvënës ne mbrojmë interesin publik dhe qytetar dhe interesi i fëmijëve tanë është interesi më i lartë.

Në emër të tij ne kemi denoncuar dhe do të denoncojmë publikisht çdo rast abuzimi, shkelje të ligjit dhe shpërfillje ndaj mundit, sakrificës dhe djersës së tyre.

Ministrja e di mirë se është ajo vetë përgjegjësja kryesore si titullare e institucionit, e daljes dhe qarkullimit të testeve të maturës shtetërore.

Ministrja mban përgjegjësi të plotë ligjore që testi u fotografua në sallë dhe u shpërnda nëpërmjet telefonit, te ndaluar sipas ligjit.

Ministrja e di mirë se është ajo përgjegjësja që ka degraduar Maturën në mall online dhe ka shkelur me këmbë punën disa vjeçare të nxënësve e prindërve.

Është ajo që trafikon testet e maturantëve për të mbuluar shkatërrimin që ka mbjellë në arsim.

Është ajo që e ka shndërruar arsimin në një magazinë pa inventar nxënësish, ku nuk fiton më i miri, më i përgaturi, por më i shkathti e i shpejti.

Është ajo dhe Rama i saj që tallen çdo ditë me maturantët, rininë e prindërit e tyre, me të ardhmen e shpresën e tyre.

Përgjegjësit ligjorë dhe moralë të kësaj katrahure janë Rama dhe Nikolla.

Më mirë të kishe heshtur zonja Ministre!

Dita e gjykimit po afron….!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura