Prokuroria ‘sherr’ me Apelin për pronat e të pasurit të Shijakut. Ja pasuritë në hetim

Aug 15, 2017 | 11:21
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda bën rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të togave të zeza të shkallës së dytë, e cila liroi nga sekuestro pasuritë e biznesmenit nga Shijaku Dashamir Gjoka. Më 20 korrik 2017, u mësua se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda kishte hequr sekuestron e vendosur nga Shkalla e Parë për pasuritë e biznesmenit, Dashmir Gjoka.

Digital Camera
Digital Camera

“Prokuroria vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për rrëzimin e konfiskimit të pasurive të shtetasit Dashamir Gjoka është marrë në zbatim të gabuar të ligjit, si edhe është bazuar mbi shkelje procedurale”, thuhet në rekursin e dorëzuar në gjykatën e Lartë.

Organi i akuzës kërkon që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, vlera totale e të cilave vlerësohet në mbi 200 milionë lekë të reja.

Organi i akuzës filloi hetimin pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”, pas dyshimeve se shtetasi Dashamir Gjoka i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.

PRETENDIMET E PROKURORISË

Organi i akuzës tha se, në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/ a të K.Penal.

Fakti penal, për të cilën shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, është kryer në periudhën nga përpara vitit 1999 deri në vitet 2000 dhe 2001. Në përfundim të gjykimit të kërkesës me objekt konfiskimin e pasurive në zotërim të personit të mësipërm, Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi konfiskimin e pasurive të paluajtshme të përshkruar si më poshtë:

Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës; Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën prej rreth 200.000.000 lekë (te reja). “Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk u përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin dt. 28.06.2017 ka vendosur prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe rrëzimin e kërkesës për konfiskim”, bëri me dije prokuroria.

“HUATË”

Prokuroria thekson se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda u ka dhënë vlerën e provës disa “letrave të thjeshta”, në bazë të të cilave dy shtetas deklarojnë si i kanë dhënë hua në vitin 1995-1996 Dashamir Gjokës, me qëllim që ky i fundit të mund të ndërtojë kompleksin “Gjoka”.

“Gjykata ka argumentuar se, në bazë të Kodit të Procedurës Civile (mbi bazën e të cilit zhvillohet hetimi pasuror në kuadër të ligjit “Antimafia”), letrat e thjeshta, të firmosura nga dy palët konsiderohen si të ligjshme, edhe pse nuk janë formuluar para noterit”, thuhet në rekurs.

Sipas prokurorisë, nuk ka asnjë provë apo fakt që të konfirmojë vërtetësinë e datave të këtyre dokumenteve të huadhënies. Dy “huadhënësit” deklarojnë se shtetasi Dashamir Gjoka u ka kthyer shumat e parave, ndërkohë që rezultoi e provuar në gjykatë se Gjoka nuk ka pasur mundësi reale pagese për këto shuma, thekson prokuroria.

TRAZHGIM SOKOLAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura