Prokuroria nuk i beson Policisë, kërkon ekspert të pavarur për pajisjen e përgjimit

Jun 21, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës është në kërkim të ekspertëve të pavarur privatë, edhe të huaj, që mund të ndihmojnë hetimin për pajisjen e përgjimit “IMSI-Catcher”.

pergjimi-GSM_monitor

Një numër kompjuterësh dhe pajisjesh të tjera elektronike, si dhe disa serverë me pamje filmike të sekuestruara nga hetuesit, po mbahen ende në Prokurori, pasi nuk mund t’i besohen Policisë. Sipas ligjit shqiptar, eksperti në procesin penal duhet të jetë jashtë çdo ndikimi nga palët në hetim, ndërkohë që i hetuari kryesor në këtë çështje është drejtori i Policisë, Haki Çako, epror i Policisë Shkencore.

Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës ka deklaruar dje se nuk mund të kryhen ekspertizat nga Policia Shkencore shqiptare. “Kjo strukturë ka konflikt ligjor interesi në këtë rast, pasi personat në hetim për çështjen e pajisjes së përgjimit janë eprorët dhe kolegët e punonjësve të Policisë Shkencore”, thanë burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, në rast ekspertimi, cilido të jetë rezultati, nuk do të jetë i besueshëm kur kryhet nga Policia Shkencore. Për këtë arsye, organi i akuzës deklaroi se pajisjet e sekuestruara do të mbahen në Prokurori, deri sa të gjenden ekspertët privatë apo të huaj që do të bëjnë ekspertimin e tyre.

HETIMI PËR PËRGJIMET

Në datën 12 maj 2016 e në vazhdim, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar në Policinë e Shtetit disa kompjuterë të marrë në zyrat e punonjësve që kanë pasur të bëjnë me pajisjen “IMSICatcher”. Po kështu, kompjuterë janë marrë edhe në zyrat e Forcës Lëvizëse Operacionale, FLO, ku veç pajisjeve të zyrave, janë sekuestruar edhe serverët që regjistrojnë pamjet e kamerave për të parë hyrje-daljet aty të makinës tip “BMW” në të cilën është montuar pajisja e përgjimit.

Pikërisht këto pajisje pritet të ekspertohen nga specialistë të pavarur, që do t’i kthejnë përgjigje Prokurorisë në lidhje me pyetjet që ajo ka. Me kërkesë të Prokurorisë, më 6 qershor 2016, Gjykata vendosi pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm Haki Çako, por ai u kthye në detyrë më pas nga një vendin i Gjykatës së Apelit.

Ndërkohë është vendosur dhe është ende në fuqi masa “arrest shtëpie” për dy zyrtarët e tjerë, drejtorin e Forcave Lëvizëse Operacionale Artion Duka dhe specialistin Ention Xhelilaj, të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria ka thënë se dy hetues të saj shkuan në Policinë e Shtetit më 12 maj 2016, në ora 11:45 dhe kërkuan sekuestrimin e pajisjes së përgjimit që ka hyrë në Shqipëri, pa kaluar në doganë. Ndonëse Policia u tha hetuesve se nuk e kishte pajisjen, në librin e hyrje-daljeve Prokuroria gjeti më pas të ishte shënuar dalja e makinës me pajisjen përgjuese, në orën 12:10.

Për këtë arsye, Prokuroria thotë se pajisja përgjuese i është fshehur hetimit. SHISH ka dërguar në Prokurori së fundi një raport që tregon se pajisja është lëvizur në Tiranë në afërsi të Prokurorisë së Përgjithshme, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Transporteve, Drejtorisë së Burgjeve dhe në Rrugën e Elbasanit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura