Prokuroria nis lëvizjen për pasurinë e Edmond Begos, fillimisht do verifikohen…

Aug 27, 2018 | 9:20
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Ndonëse ishte dënuar si pjesë e një organizate kriminale e trafikim lëndësh narkotike, biznesmeni Edmond Bego deri tani i kishte shpëtuar ligjit antimafia.

Bega

Por duket se debati politik që u hap pas arrestimit të tij nga Policia greke, ndonëse më pas u lirua pasi Italia konfirmoi që nuk ishte në kërkim, Prokuroria e Krimeve të Rënda u kujtua të hapë një hetim pasuror ndaj tij.

Verifikimi i pasurisë së biznesmenit Bego, që aktualisht quhet ose Mondi Bego, po kryhet për shkak se ka qenë i akuzuar edhe si ish-anëtar i bandës së Aldo Bares. Burimet thanë se hetimi ka nisur këtë fundjavë, pasi emri i Edmond Begos u rikthye në qendër të mediave me një debat politik, pasi Policia greke e ndaloi ne Igumenicë në bazë të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane, që më pas rezultoi se nuk ekzistonte.

Drejtësia italiane e kishte dënuar Begon në vitin 2008, me 21 vite burg për trafik narkotikësh dhe organizatë kriminale. Por ky vendim ishte njohur ne vitin 2010 në Shqipëri nga Gjykata e Lartë, duke e dënuar atë me 4 vjet e 4 muaj burgim, nga të cilat Bego kreu vetëm 1 vit e 11 muaj. Gjykata e Krujës, mbi bazën e kërkesës së tij, ia konvertoi pjesën e mbetur prej 1.8 vitesh burgim në liri me kusht.

VERIFIKIMI

Në një kohë që pas arrestimit në Igumenicë Greqia priste përgjigje nga Italia, në Shqipëri emri i Edmond Begos u diskutua gjerësisht nga politika si i afërm me eksponentë të maxhorancës. Partia Demokratike akuzoi kreun parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se kishte lidhje me biznesmenin e dënuar për trafik droge dhe se e kishte mbrojtur atë.

Madje, PD-ja kërkoi nisjen e hetimeve nga Prokuroria, pasi Edmond Bego kishte përfituar fonde publike nëpërmjet tenderëve, edhe pse rezultonte i dënuar penalisht për trafik droge. Burime nga organi i akuzës thanë se është pikërisht kjo pjesë që do të verifikohet e para nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nëse biznesmeni duhej apo jo të përfitonte fonde publike ndërsa rezultonte i dënuar penalisht për trafik droge.

Por nga ana tjetër, të njëjtat burime thonë se nuk kanë përjashtuar mundësinë edhe të hetimit të mirëfilltë pasuror ndaj Edmond Begos, duke pasur parasysh të shkuarën e tij. Pas vendimit për nisjen e hetimit pasuror, Prokuroria pritet të marrë vendimet e dënimit ndaj biznesmenit, si dhe procedurat e tenderëve që ka fituar me fondet publike, për të verifikuar ligjshmërinë e tyre.

ARRESTIMI

NE 2009 Edmond Bego, i njohur si miku i Aldo Bares, u arrestua nga Policia e Tiranës më 24 dhjetor të vitit 2009. Ishin efektivët e Grupit të Operacioneve Speciale, i njohur si GOS, në atë kohë, ata që kryen arrestimin e tij.

Lajmi u bë i ditur zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, që pohonte se Bego ishte shpallur në kërkim nga Italia dhe njihej si një nga miqtë e afërt të Aldo Bares dhe Enver Dondollakut. Efektivët e Policisë i pohuan se për të kishte një vendim arresti të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, që kishte nisur për të procedurat e njohjes së vendimit Gjykatës së Apelit të Torinos, e cila e kishte dënuar me 13 vite burgim bashkë me Enver Dondollakun dhe pjesëtarë të një grupi prej 26 personash, të cilësuar si anëtarë të organizatës së trafikut të drogës së drejtuar nga Aldo Bare (Alfred Shkurti).

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura