Prokuroria hetoi për ‘mosdeklarim të të hollave’/ “Shfryhet” dosja e ‘Toyota Auris’, lirohen të arrestuarit

Jan 18, 2020 | 9:51
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Dosja e bujshme e “Toyota Auris”, ku u sekuestruan 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit, u “dorëzua” nga ish-Krimet e Rënda në Prokurorinë e Tiranës, për akuzën e “Mosdeklarimit të të hollave në kufi”, ndërsa Gjykata e Tiranës ndryshoi dje masën e sigurisë për 4 të arrestuarit, duke i lënë ata në masën “Detyrim paraqitjeje”.

Alfred dhe Elvis Vladi
Alfred dhe Elvis Vladi

 

Ndonëse sekuestrimi i eurove u bë në Portin e Durrësit, burime për gazetën “Panorama” thanë se hetimet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, kjo pasi në këtë prokurori, Policia e Shtetit ka bërë më herët një kallëzim për këta shtetas, me dyshimin për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe janë bashkuar procedimet. Ndërkohë, masa e sigurisë ndryshoi, për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit, duke bërë që dje të pranohet kërkesa e avokatëve.

Sekuestrimi i eurove në makinën “Toyota Auris” ishte një nga dosjet më të bujshme të vitit 2018, ndërsa u ngritën akuza për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Pastrim të parave”, pas më shumë se një vit, tashmë ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kohën e “shkrirjes”, e ka dërguar për kompetencë në prokurorinë e rrethit, duke e “shfryrë”. IshKrimet e Rënda deklaruan në atë kohë edhe mbylljen e hetimeve për këtë dosje, duke i kërkuar Gjykatës marrjen të pandehur të të 4 të akuzuarve për akuzat e ngritura, ndërsa dosja u kthye për përkthimin e një letër-porosie.

SIPAS KRIMEVE 

Katër të hetuarit për dosjen e “Toyota Auris”
Katër të hetuarit për dosjen e “Toyota Auris”

 

Së bashku me Edi Likën, Klevi Likën, Alban Mollaymerin dhe Agim Çekën, në këtë dosje u hetuan edhe dy kushërinjtë Elvis dhe Alferd Vladi, për të cilët u dhanë dhe masa sigurimi në mungesë.

Kushërinjtë Vladi u konsideruan si drejtues të skemës së futjes së eurove. “Elvis Vladi ka dalë nga Shqipëria më 19.04.2018 dhe ka shkuar në Belgjikë. Ai është marrë me organizimin e gjetjes së mjeteve për transportin e parave që vijnë nga aktivitetet kriminale dhe pasi është siguruar që ato po transportoheshin, ka ardhur në Shqipëri me avion në datë 20 qershor 2018, pikërisht për të bërë pritjen e parave të pista.

Nga ana tjetër, Edi Lika dhe Klevi Cani kanë marrë përsipër pjesën e transportit të parave. Alfred Vladi kishte detyrë të bënte pritjen e mjeteve në Portin e Durrësit, ndërsa Alban Mollaymeri do bënte zhdoganimin e tyre”,sqarohej ndër të tjera në dosje. Në dëshmitë e të arrestuarve, të cilat janë bërë dhe pjesë e hetimeve, mësohet se ata janë shprehur se kanë servis makinash dhe se janë kontaktuar nga Alfred Vladi për blerjen e makinave “Toyota”, por ata nuk kanë pasur dijeni për shumën e eurove të gjetura”, pretendonte Prokuroria gjatë hetimeve paraprake.

HETIMET NË BELGJIKË 

Toyota Auris, makina ku u sekuestruan eurot
Toyota Auris, makina ku u sekuestruan eurot

 

Hetime për 3.4 milionë eurot janë duke u kryer edhe nga Prokuroria në Belgjikë. Sipas letërporosisë të dërguar muaj më parë, autoritet belge kërkuan dëshminë e kreut të PD-së, Lulzim Bashës. Kujtojmë se Lulzim Basha në një nga seancat plenare në Kuvend, në qershor të 2018-ës, dy ditë para kapjes së eurove, bëri të ditur se ishin kapur dhe akuzoi qeverinë si garantore të futjes së kësaj shume në mënyrë ilegale në Shqipëri.

Ndërkohë, nga letërporosia e autoriteteve belge, mësohet se ata kanë nën hetim 12 persona, të cilët janë: Elvis Vladi, Alfred Vladi, Edi Lika, Klejdi Cani, Alban Mollaymerit, Agim Ceka, Albana Vladi, Imam Imami, Alban Imami, Arianit Nimani, Drita Sopi dhe Dritan Hakaj.

DEKLARATA E BASHËS 

Dy ditë para sekuestrimit të eurove në Portin e Durrësit, kreu i PD-së, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ishte porositur një makinë me euro në Gjermani nga ekspontetë të PS-së, por që ngarkesa ishte kapur. “Shikoni si zgërdhihen, njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë, ka qenë në Gjermani para tri ditësh. Mbaheni mend këtë që po ju them, dhe ka porositur një “Toyota Yaris”, po ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milionë euro të drogës brenda. Vazhdo qesh, do e shikosh çfarë do të tunden para hundës shumë shpejt. Është vetofruar për 600 mijë emigrantë.

E bën me shpresën t’i harrojmë drogën, krimin e korrupsionin. Do të blejë heshtjen e Europës me refugjatë”, thoshte Basha dy ditë para sekuestrimit të eurove. Ndërkohë që për këtë deklaratë dhe të tjera pas kësaj, u zhvillua edhe një proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, ku Balla akuzoi kreun e opozitës për “Shpifje” pas shqyrtimit të të cilës Gjykata gjeti fajtor Bashën.

Dosja “Toyota Auris” u shqyrtua fillimisht në Durrës

Masa e parë e sigurisë për 4 të arrestuarit, të cilët tashmë janë në masën “Detyrim paraqitje” u dhanë nga Gjykata e Durrësit, që në 28 qershor të 2018-ës, e gjeti veten jo kompetente për shqyrtimin e dosjes, për shkak të akuzave të konstatuara. Dosja kaloi me shumë bujë në atë kohë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa u dha edhe një masë e dytë, siç parashikohet në ligj, duke u lënë sërish në “Arrest në burg”.

Gjatë një viti e shumë hetimesh, të dyshuarit kërkuan disa herë ndryshime të masës së sigurisë, kërkesa të rrëzuar nga Gjykata, ndërsa asnjëherë nuk u pranua fajësia. Ndërkohë që Prokuroria kishte nisur letërporosi në vendet europiane, Belgjika gjithashtu nisi një hetime për këtë çështje, ku rezultonte se kishte nën hetim 12 persona.

Ish-Prokuroria për Krime të Rënda rrëzoi grupin kriminal. Ndërkohë, në 1 gusht të vitit që lamë pas, Policia belge shpalli në kërkim dy kushërinjtë Vladi, duke i konsideruar ata si të rrezikshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura