Prokuroria e Tiranës, hetime për 770 objekte të dëmtuara. Ja ndërtesat që do prishen në kryeqytet

Dec 6, 2019 | 12:04
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Policia e kryeqytetit ka kryer veprime procedurale dhe ka dorëzuar në Prokurori listën me 770 objekte, që janë shpallur të pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës, për të cilat pritet vendimi për prishjen e tyre.1

Pjesa më e madhe e këtyre objekteve janë pallate dhe sipas tabelave të përgatitura nga Policia e Tiranës, duket se më e dëmtuara nga lëkundjet e forta sizmike ka qenë Bashkia e Vorës. Në territorin që mbulon kjo bashki, janë shpallur të pabanueshme dhe pritet që të shemben 371 pallate të ndërtuara para vitit ’90, 34 pallate të ndërtuara pas vitit ’90 dhe 194 banesa.

Faksimile e shkresës së Policisë
Faksimile e shkresës së Policisë

Në të gjithë territorin e Tiranës, që përfshin Vorën, Kavajën dhe Rrogozhinën, pritet vendimi për shembjen 383 pallateve të ndërtuara para vitit ’90, 35 pallateve të ndërtuara pas vitit ’90, 25 pallateve që nuk dihet viti i ndërtimit, 4 shkollave, 320 banesave dhe 3 objekteve të tjera.

SHKRESA E PROKURORISE

Me anë të një shkrese, Prokuroria e kryeqytetit i kërkoi disa ditë më parë Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera, edhe lajmërimin e saj në rast të vendimit për shembje. Hetimi në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar për tri vepra penale, “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm”.

“Për nevoja të kryerjes së veprimeve hetimore në funksion të procedimit penal, kërkojmë nga ana juaj të informohemi duke na vënë në dispozicion: Listën e plotë të ndërtimeve (banesave) të evidentuara nga ana juaj si të prekura nga tërmeti dhe për të cilat janë konstatuar dëmtime. Për çdolloj situate, në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e ndërtimit, të njoftohet paraprakisht Prokuroria, e cila vë në dispozicion grupin hetimor me kryerjen e hetimeve. Dokumentacionin tekniko-ligjor të ndërtesave apo banesave, në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti. Ky informacion të na vihet në dispozicion brenda datës, 05.12.2019”, shkruhet në njoftim.

OBJEKTET E PABANUESHME QE DO TE PRISHEN NE TIRANE

2 pallate të ndërtuara para vitit ’90 në territorin e Komisariatit nr.1, Tiranë
4 objekte, nga të cilat 2 pallate të ndërtuara para vitit ’90,
1 pallat i ndërtuar pas vitit ’90 dhe një banesë në territorin e Komisariatit nr.2, Tiranë
10 objekte, nga të cilat 1 pallat i ndërtuar para vitit ’90, 8 banesa dhe një objekt tjetër në territorin e Komisariatit nr.3, Tiranë
58 objekte, nga të cilat 2 pallate të ndërtuara para vitit ’90 dhe 56 banesa në territorin e Komisariatit nr.4, Tiranë
54 objekte banesa në territorin e Komisariatit nr.5, Tiranë
27 objekte, nga të cilat 25 pallate që nuk dihet viti i ndërtimit, 1 shkollë dhe 1 banesë në territorin e Komisariatit nr.6, Tiranë
599 objekte, nga të cilat 371 pallate të ndërtuara para vitit ’90, 34 pallate të ndërtuara pas vitit ’90 dhe 194 banesa në territorin e Komisariatit të Vorës
16 objekte, nga të cilat 5 pallate të ndërtuara para vitit ’90, 3 shkolla, 6 banesa dhe 2 objekte të tjera në territorin e Komisariatit të Kavajës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura