Prokuroria, 25 faqe ankim kundër pafajësisë së Frrokut. Dorëzohet apelimi. Vendimi i njëanshëm, u bazua në prova kontradiktore të avokatëve

Apr 11, 2015 | 11:19
SHPËRNDAJE

Shtatë ditë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Prokuroria dorëzoi dje në Apel ankimin kundër pafajësisë së biznesmenit Arben Frroku. “Panorama” shkruan sot se në një dokument prej 25 faqesh, tre prokurorët e çështjes kanë renditur argumentet e tyre kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Del nga burgu 303 Arben Frroku

Përmbajtja e apelimit të Prokurorisë nuk është bërë publike, por burimet nga organi i akuzës kanë thënë se “në 25 faqe material është kundërshtuar me prova çdo argument i përdorur nga gjykata në vendimin e pafajësisë”.

“Ankimi i paraqitur në Gjykatën e Apelit kundërshton të gjitha argumentet e renditura në vendimin që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj”, thanë burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, në konkluzionin e ankimit, thuhet mes të tjerash se “vendimi i gjykatës është haptazi i njëanshëm, duke pranuar pretendimet e pambështetura të avokatëve mbrojtës të të pandehurit Arben Frroku dhe duke rrëzuar faktet e argumentuara të Prokurorisë”.

KUNDËRSHTIMET E PROKURORISË
Tre prokurorët e çështjes te Krimet e Rënda, Ened Nakuçi, Njazi Seferi dhe Anton Martini, në ankimin e bërë ndaj pafajësisë së Arben Frrokut, theksojnë se gjykata është bazuar në dhënien e vendimit në thëniet e dëshmitarëve të paraqitur nga avokatët e biznesmenit.

Sipas prokurorëve, thëniet e këtyre dëshmitarëve te të cilat u bazua gjykata, kanë kundërthënie mes tyre. Në apelim Prokuroria përmend edhe eksperimentin hetimor, që u zhvillua me një makinë të gjykatës nga Tirana në Korçë për të verifikuar mundësinë e largimit të biznesmenit drejt Greqisë, pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë në shkurt 2013.

“Eksperimenti hetimor u realizua nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pavarësisht kundërshtimit tonë. Ky eksperiment në vendimin përfundimtar të pafajësisë është rrëzuar si i pavlefshëm po nga ana e gjykatës, që pranoi dhe urdhëroi kryerjen e tij”, thuhet më tej në kundërshtimin e tre prokurorëve. Ata kanë kundërshtuar edhe mënyrën e analizimit nga Gjykata të pamjeve filmike të marra nga kamerat në vendin e ngjarjes, duke sqaruar se dëshmitari i mbrojtur me identitet të koduar, Arben Ndoka, ka qenë në vendin e atentatit dhe ka parë makinën e autorëve të krimit.

DËSHMITARI
Disa orë pas dorëzimit të ankimit në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, Prokuroria artikuloi edhe një tjetër kritikë ndaj Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ndonëse pa e cituar si argument ligjor në ankimin për pafajësinë e Arben Frrokut, Prokuroria thotë se mënyra se si është analizuar nga gjykata dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, është e dëmshme.

“Ky qëndrim është i dëmshëm për procese të tjera hetimore që janë në vazhdim apo për rastet në të ardhmen, pasi ul besueshmërinë e institucioneve në hetime të tjera”, kanë thënë burimet e Prokurorisë. Të njëjtat burime thanë se kredibiliteti i institucioneve në raport me dëshmitarët e drejtësisë dëmtohet nga vendimi i gjykatës ndaj Arben Frrokut, pasi në mënyrë joligjore cilësohen të pavërteta thëniet e Arben Ndokës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura