Prokurori i ri/ Bllokimi, nuk ka kandidatë nga shoqëria civile për KLP

Nov 28, 2017 | 11:50
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Mungesa e kandidatëve nga shoqëria civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka paralizuar funksionimin e këtij institucioni.

llalla_8-1024x777

Edhe pas thirrjes së pestë të Kuvendit, për shoqërinë civile që të kandidojë për një vend në KLP, përsëri institucioni i ri i Reformës në Drejtësi mbetet i bllokuar. Ky bllokim çon automatikisht me moszgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, pasi më 3 dhjetor, mandati i Adriatik Llallës përfundon.

Sipas ndryshimeve të fundit kushtetuese, është vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili vendos përfundimin e mandatit të Adriatik Llallës dhe zgjedh prokurorin e ri. Asnjë institucion tjetër nuk e ka këtë kompetencë.

Procesi

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, iu drejtua më 15 nëntor për herë të pestë shoqërisë civile që të paraqesë pranë Avokatit të Popullit kandidaturat për një vend në KLP. Sipas tij, afati i paraqitjes së kandidaturave përfundon më 30 nëntor. Madje, ai ka zhvilluar në ambientet e Kuvendit një takim me shoqata të shoqërisë civile për të mësuar prej tyre arsyet e ngurrimit të tyre për të pasur anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në takim, përfaqësues të shoqërisë civile janë ankuar për kritere aspak fleksibël për kandidatët që duhet të shkojnë në KLP, disa prej të cilave janë të vështira për t’u përmbushur.

Një tjetër arsye, sipas tyre, është dhe anatemimi i tyre si kandidatë nga politika. Në raundin e katërt të thirrjes për kandidatura nga shoqëria civile, ishte paraqitur vetëm një jurist, i cili ishte skualifikuar për shkak të mosplotësimit të kritereve. Komisioni i Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit, i cili bën vlerësim formal të kritereve, më 31 tetor administroi vetëm një kandidaturë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Kandidati Vladimir Vladaj, sipas këtij komisioni, nuk plotë- sonte kriterin e vjetërsisë prej 15 vitesh punë si jurist dhe se në momentin e kandidimit ai nuk duhet të ushtronte profesionin e avokatit. Këto dy kritere e rrëzuan atë si kandidaturë dhe pse formalisht duhet të ishin të paktën tre kandidatë për ta cilësuar të rregullt këtë procedurë.

Pas këtij dështimi të radhës, Komisioni i Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit përmes një shkrese i kërkoi Kuvendit ribotimin e njoftimit për të ftuar shoqërinë civile që të bëhet pjesë e garës për të plotësuar vendin e saj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Por edhe sikur të ishte mbyllur ky proces, KLP nuk do mund të ngrihej dot dhe shkak është vetingu. Këto organe përbëhen nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë.

Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë/ prokurorë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të Fakulteteve të Drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile. Pra, edhe sikur të ishin gjendur anëtarët e shoqërisë civile, pa iu nënshtruar vetingut kandidatët nga gjykata e prokuroria, KLGJ e KLP nuk mund të ngrihen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura