Projektrregullorja/ Fondet e investimit të licencuara në BE do të marketohen dhe shiten për herë të parë edhe në Shqipëri

May 24, 2022 | 21:43
SHPËRNDAJE

Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” parashikon ndër të tjera mundësinë e marketimit dhe shitjes për herë të parë në Shqipëri të fondeve të investimit të licencuara në një vend anëtar të BE-së.

fondet-e-investimeve

Në mënyrë që shoqëria e huaj administruese ose dega e shoqërisë së huaj administruese si dhe sipërmarrja e huaj e investimeve kolektive, të kryejnë veprimtari në vendin tonë, duhet të njihen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, sipas një njoftimi zyrtar.

Për të realizuar këtë, në zbatim të kërkesave ligjore, Autoriteti ka hartuar projektrregulloren që përcakton procedurën, rregullat dhe dokumentacionin për njohjen e sipërmarrjes së investimeve kolektive me ofertë publike, të shoqërisë administruese apo degës së shoqërisë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, të licencuara në një vend anëtar të BE-së. Kjo projektrregullore po i nënshtrohet procesit të konsultimit publik.

Në projektrregullore përcaktohen kriteret për procedurën e njohjes, si edhe detyrimi për transparencë ndaj investitorit, ku shoqëria administruese ose sipërmarrja e investimeve kolektive me ofertë publike që do të marketojë dhe shesë fondet në Republikën e Shqipërisë do t’u vërë personave të interesuar në dispozicion prospektin në gjuhën shqipe, si edhe dokumentin me informacionin kryesor për investitorin.

Gjithashtu, dokumenti i hartuar nga Autoriteti detajon mënyrën sesi mund të realizohet marketimi dhe shitja e kuotave të fondeve të investimit nga shoqëria administruese e njohur ose dega e saj, duke parashikuar licencimin e një banke si agjent shitjeje, sipas përcaktimeve të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” dhe në përputhje me rregulloren për licencimin e agjentit të shitjes.

Projektrregullorja, sipas njoftimit mundëson për herë të parë marketimin dhe shpërndarjen e drejtpërdrejtë në Republikën e Shqipërisë të sipërmarrjeve të investimeve kolektive të licencuara në një vend anëtar të BE-së, duke krijuar kështu për investitorët në vendin tonë më shumë alternativa, si dhe akses për të investuar direkt në sipërmarrje të investimeve kolektive të licencuara në Bashkimin Europian./Monitor

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura