Projektligji që nuk sjell ligj

Mar 6, 2015 | 12:17
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI

   Projektligji për arsimin e lartë kishte kohë që pas kundërshtimeve ndaj tij nga senatet e universiteteve dhe forumet akademike kishte humbur ose kishte kaluar në “klan”-destinitet. Për pasojë thashethemet për të morën dhenë. U fol për një konflikt midis hartuesve të tij dhe autorëve të reformës në AL, për një përthyerje interesash të shprehur me terma ligjorë të grupeve të veçanta krejtësisht të papranueshme, apo dhe për disa provime të titullarëve kryesorë të institucioneve për shkak të pakënaqësive në niveleve të ndryshme të hartimit të tij. U përmenden dhe negociata interesash, ose më saktë trafiqe interesash për të sfumuar kundërshti thelbësore. Këtu përfshihet dhe bërja kurban e universiteteve të rretheve duke i shndërruar ato në kolegje, për të marrë me të mirë Universitetin e Tiranës dhe shndërrimin e këtij të fundit, bashkë me ca që i do shumë qeveria, në publikë të pavarur. Në fakt, brenda rreshtave të ligjit humbja e statusit universitet të shumë aktualëve në Shkodër, Elbasan, Korçë etj., parashikohet të ndodhë me patjetër. Të shumtë ishin ata që në kuadër të këtij konspiracioni deklaronin që ligji ishte stopuar me urdhër të dora vetë Kryeministrit dhe mund dhe të mos paraqitej fare. Në fakt, duket se po të mos kishte shpërthyer çështja Doshi, fati i këtij  ligji mund të ishte sirtari. Urgjenca lajmëruese për paraqitjen e tij e katandisi atë më shumë sesa në kurorëzim të një pune “reformatore”, në një mjet arrivist për të krijuar në klimën e nxehtë politike një ngjarje “të madhe”, që mund të tërhiqte vëmendjen e medias e të opinionit publik dhe të eklipsonte vrasjet me pagesë brenda kupolës. Aq i madh ishte nxitimi, sa dhe Kryeministri ngatërroi axhendën. Por në një aspekt tjetër, vetë ideatorët e tij kanë llogaritur jo pa sukses kalimin e tij pa shumë telashe brenda një situate ku askush nuk e ka mendjen te ligjet, por te Maliqët e Shqipërisë, të cilët rezultojnë “të zënë deri në fyt” me “punë estetike kokash”. I kalamendur brenda kësaj thashethemnaje pa fund të sigurt, projektligji më shumë sesa trupëzim i një reforme në ligj, i ngjan trupëzimit të një tërësie thashethemesh e interesash në ligj. Duket i tillë sepse në konkludimin e tij ai nuk ua vuri veshin as kërkesave të senateve dhe as atyre të akademikëve. Liria akademike dhe autonomia universitare brenda tij trajtohen si plaçkë, çmimin dhe masën e së cilës e vendos Kryeministria ose Ministria. Madje, ai përzien autonominë me lirinë akademike. Autonominë universitare nuk e pasqyron në katër dimensionet e saj si autonomi organizative, financiare, për personelin dhe autonomi akademike. I konceptuar më shumë si kontroll shtetëror, ai synon të mbajë nën tutelë shumë çështje të arsimit të lartë dhe të universiteteve në kundërshtim të plotë me Magna Charta dhe dokumentet e procesit të Bolonjës. Roli i shtetit kësisoj mbivlerësohet dhe në themel vendoset parimi i centralizimit. Pushteti që u duhet dhënë universiteteve, përqendrohet gabimisht në duart e Këshillit të Ministrave, Kryeministrit, ministrit.
Projektligji nuk shpreh qartë dallimin ndërmjet qeverisjes dhe menaxhimit si në nivelin e IAL (Senati, bordi i administrimit) dhe veçanërisht në nivelin e njësisë kryesore dhe njësisë bazë. Nuk përcakton se si realizohet qeverisja në nivelin e njësisë kryesore, kush i merr vendimet për zhvillimin e njësisë kryesore dhe njësisë bazë.  
Projektligji përmban shumë organizma publikë të financuar nga shteti dhe aktorë në funksion të AL dhe shumë organizma brenda IAL. Disa prej tyre janë rregulluar me detaje duke tejkaluar natyrën e ligjit, ndërsa për disa të tjerë shprehet përciptas ose në mënyrë të paqartë. Ai është i tillë dhe për shumë institucione si KALKSh, Asambleja e personelit akademik, Komisionet e përhershme, Administratori i njësisë bazë etj. Kërkimi shkencor brenda tij është i mangët dhe nuk rakordohet me ligjin ekzistues për shkencën. Realisht goditja që i jepet QSA dhe qendrave të tjera me natyrë kërkimore-shkencore shkon në kundërshtim me stimulimin e kërkimit shkencor.
Kritizerët më të fortë të tij që dhanë kontribut dhe në hartimin e raportit për reformën në AL, evidentojnë se projektligji nuk plotëson parimet universitare të pranuara universalisht, ndërkohë që parimet janë piketat udhërrëfyese të një ligji. Parimi i autonomisë universitare nuk është përcaktuar mirë dhe në mënyrë të plotë. Parimi i lirisë akademikë nuk është përcaktuar saktë dhe plotësisht. Parimi i dallimit ndërmjet qeverisjes dhe menaxhimit nuk është paraqitur drejt. Parimi i transparencës është i paplotë. Nuk reflekton ndryshimet në nivel rajoni, global dhe ka pak referenca europiane. Projektligji nuk parashikon rolin e universiteteve për zhvillimin e rajonit ku ato ndodhen. Po ashtu, asnjë nen nuk parashikon internacionalizimin e universiteteve shqiptare. Ai është konceptuar më shumë si një dokument që ka hollësinë si tipar, ndërkohë që ligji duhet të ishte konceptuar si rregullator parimesh.
Projektligji bie në kundërshtim me legjislacionin kryesor vendës, me Deklaratën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me standardet europiane. Brenda tij ka nene që bien ndesh me Kushtetutën dhe legjislacionin vendas si ato qe paraqesin diskriminim, që lidhen me financimin dhe me krijimin e institucioneve të pavarura publike. Ka nene që bien ndesh me DEDNJ dhe dokumentet e procesit të Bolonjës dhe të UNESCO-s. Gjithashtu projektligji nuk shpreh përputhshmërinë me ligje të tjera vendëse, si ligji për kornizën shqiptare të kualifikimeve, ligji për arsimin parauniversitar, ligji për shoqëritë tregtare, ligji për shoqërinë civile, ligji për buxhetin e shtetit. Senati dhe Rektori humbasin peshën dhe rolin e tyre specifik. Ajo që nuk thuhet me zë të lartë, madje këtu të gjithë interpretuesve u ikën zëri, është ndryshimi i skemës së financimit dhe rritja e tarifave për studentët në masa të papërballueshme duke rritur përqindjen e shumën kontributore të tyre dhe duke zvogëluar numrin e atyre që përfitojnë subvencionin. Mekanizmi i kredisë studentore mbetet i paqartë dhe i pasigurt. Ndryshimet fare teknike që i janë bërë atij në ndryshim nga drafti i parë janë të pamjaftueshme. I vetmi ndryshim i dukshëm është ai i së drejtës studentore për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe ky është bërë sipas parimit: Meqenëse po e kërkoni dhe nuk na prish punë, po ju a japim, por meqenëse e kërkoni me patjetër, po jua japim jo të plotë. Nga 15%, koeficienti studentor zbret kështu në 10%, sa për t’i mbyllur gojën. Si i tillë, ky projektligj nuk pritet të vendosë ligj në arsimin tonë të lartë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura