Projekti ‘Thumanë-Kashar’/ Banorët e Bërxullës zhvendosin protestën para Hipotekës: Po shkelet ligji me të dyja këmbët, Dallëndyshe Bicit nuk i japim më shumë se 1 javë kohë

Mar 29, 2023 | 10:23
SHPËRNDAJE

Banorët e Bërxullës kanë dalë në protestë sërish këtë të mërkurë për të kundërshtuar projektin, Thumanë-Kashar, ku sot janë zhvendosur pranë zyrave të Hipotekës.

 Ata i kanë bërë thirrje drejtoreshës së Hipotekës, Dallëndyshe Bicit që të marrë masa brenda një jave dhe të vlerësojë pronat, ku banorëve t’i jepet certifikimi i pronës.

Sakaq janë shprehur se ndërtimi i banesave të tyre nuk është në shkelje me ligjin, pasi ato kanë 30 vite që janë ndërtuar dhe në ato kohë nuk ka pasur gjurmë të rrugës.

“Ne kërkojmë certifikim të pronës që preken nga projekti, janë 22 banesa ku 13 janë të pa certifikuara, nuk po i bëhet legalizimi. Hipotekës i është kërkuar që mos të vlerësohen banesat, shkresa i ka shkuar që në gusht, penalizon banorët. Arsyeja e zhvendosjes së protestës është sepse nuk kemi marrë një zgjidhje. Ligji e thotë qartë që puna e parë është certifikimi i banesave pastaj të nisë projekti, por këta shkelin ligjet. Banesat kanë 30 vite që janë ndërtuar dhe sot ai thotë që ke ndërtuar banesa në gjurmën e rrugës, nuk është ndërtim pa leje, pse shteti nuk më ndaloi që në fillim. Dallëndyshe Bici vërtet që ka pak kohë në pozicion, por i kërkoj të marrë menjëherë masat. Nuk i japim më tepër se 1 javë kohë, nëse nuk marrim përgjigje lidhur me certifikimin e banesave. Duhet të fillojë certifikimi, ne firmosëm dokumentet por ligji thotë se brenda 10 ditësh duhet të jepet certifikimi”, tha një banor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura